Kulturë

Filharmonia e Kosovës lë në Bernë jehonën e magjisë muzikore

Të gjata kanë qenë duartrokitjet në sallën e mbushur plot në Bernë të Zvicrës me koncertin e Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Antoine Marguier (Foto: Arben Llapashtica)

Të gjata kanë qenë duartrokitjet në sallën e mbushur plot në Bernë të Zvicrës me koncertin e Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Antoine Marguier (Foto: Arben Llapashtica)

“Më vjen mirë që programi është duartrokitur gjatë dhe që salla ka qenë e mbushur plot. Përveç personaliteteve nga jeta kulturore zvicerane dhe diplomatike, më gëzon fakti që kishte një numër të madh të diasporës, me të cilët Filharmonia nuk ka pasur rast të komunikojë drejtpërdrejt”, ka thënë zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, të enjten, një ditë pas koncertit në Bernë, ku, sipas tij, emra të shquar të muzikës kanë vlerësuar kapacitetet e Filharmonisë, sikurse edhe muzikën shqiptare

Në salla si ajo në “Casino Bern” të Bernës, prezantimi i Filharmonisë së Kosovës është fotografia ideale. Shpalosja e programit me vepra madhështore pasohet nga përgjigjja e publikut. Në kryeqendrën e Zvicrës, publiku vendas e ai shqiptar kanë mbushur sallën, ndërsa figura të shquara të muzikës e kanë vlerësuar kapacitetin e institucionit e të solistëve.

Të gjata kanë qenë duartrokitjet për “Bareshën” ikonike të Rexho Mulliqit, me të cilën vepër Filharmonia e bëri sefte jehonën e saj në skenën ndërkombëtare për sivjet. Siç shihet në videoxhirime, me këtë energji të publikut u hap koncerti. Me të njëjtën pritje në sallën përplot edhe u mbyll.

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se reagimi i publikut ka qenë i jashtëzakonshëm.

“Më vjen mirë që programi është duartrokitur gjatë dhe që salla ka qenë e mbushur plot. Përveç personaliteteve nga jeta kulturore zvicerane dhe diplomatike, më gëzon fakti që kishte një numër të madh të diasporës, me të cilët Filharmonia nuk ka pasur rast të komunikojë drejtpërdrejt më parë. Falënderoj stafin e Ambasadës së Kosovës në Bernë për mbështetjen në këtë rrugëtim”, ka thënë Selimaj për KOHËN.

Orkestra e solistët me programin që kanë prezantuar, kanë shpalosur kultura të vendeve të ndryshme që bashkohen me ato vendore (Foto: Arben Llapashtica)

Të pranishëm për ta ndjekur koncertin kanë qenë edhe figura të shquara të botës muzikore. Selimaj ka bërë të ditur se ata kanë vlerësuar kapacitetet e Orkestrës sikurse edhe muzikën shqiptare.

“Werner Schmitt, një nga personalitetet e njohura të muzikës dhe pedagog bashkëpunëtor i Yehudi Menuhinit, i cili ka luajtur me orkestrën tonë shumë vjet më parë, e ka vlerësuar rritjen e saj në tingullin dhe potencialin që ka.  Facundo Agudin, një dirigjent argjentinas-zviceran, gjithashtu e ka vlerësuar muzikën tonë për veçantinë dhe ritmet dalluese, si dhe interpretimin e orkestrës”, ka thënë Selimaj të enjten, i cili është lajmëruar nga Aeroporti.

Sikurse në Prishtinë, koncerti u drejtua nga zvicerani Antoine Marguier.  Orkestra e solistët me programin që kanë prezantuar, kanë shpalosur kultura të vendeve të ndryshme që bashkohen me ato vendore.

Koncerti është organizuar për nder të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Kosovës nga Ambasada dhe konsullatat e Kosovës në Zvicër

Koncerti është organizuar për nder të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Kosovës nga Ambasada dhe konsullatat e Kosovës në Zvicër.

“Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Filharmonia e Kosovës solli një koncert të jashtëzakonshëm në Bernë, duke vënë në pah bukurinë e kulturës dhe muzikës sonë. Mbi 1.100 të ftuar ishin pjesë e këtij eventi të veçantë, përfshirë përfaqësues të institucioneve vendore, trupin diplomatik nga Berna, Cyrihu dhe Gjeneva, si dhe shumë bashkatdhetarë. Një nder i veçantë ishte prania e zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz”, ka shkruar Ambasada e Kosovës në Zvicër, në një postim në rrjete sociale.

Aty koncerti vlerësohet më shumë sesa muzikë. Si diplomaci kulturore dhe urë miqësie midis dy shteteve.

Sopranoja Besa Llugiqi, në përcjellje të Orkestrës, ka sjellë muzikën lirike duke interpretuar arien “Un bel dì vedremo” nga “Madama Butterfly” e Puccinit dhe “È strano… Sempre libera” nga “La Traviata” e Verdit

“Me një repertor mbresëlënës – nga meloditë tradicionale te kryeveprat klasike botërore – orkestra magjepsi publikun. Një moment kulmor ishte interpretimi brilant i sopranos Besa Llugiqi, e cila elektrizoi sallën me talentin e saj”, shkruhet aty më tej.

Krejt në fillim u intonua himni i Kosovës, ai i Zvicrës dhe i Liechhtensteinit. Pjesa artistike nisi me “Bareshën” dhe vazhdoi me veprën “AlbBalcanica” për saksofon dhe orkestër të Valton Beqirit. Solist qe saksofonisti Vitaly Vitulya.

Në vazhdim, sopranoja Besa Llugiqi, në përcjellje të Orkestrës, ka sjellë muzikën lirike duke interpretuar arien “Un bel dì vedremo” nga “Madama Butterfly” e Puccinit dhe “È strano… Sempre libera” nga “La Traviata” e Verdit. Në këtë të fundit i është bashkuar në interpretim tenori i shquar, Oscar Esmerode. Në bis, Llugiqi ka interpretuar “Agimet shqiptare” të Avni Mulës.

Koncerti është vlerësuar më shumë sesa muzikë. Organizatorët e kanë cilësuar si diplomaci kulturore dhe urë miqësie midis dy shteteve (Foto: Arben Llapashtica)

Në pjesën e parë është interpretuar edhe uvertura e operës “Nabucco” të Verdit, ndërsa pjesa e dytë ka nisur me interpretimin e “Simfonisë nr.2” të Kreshnik Aliçkajt. Koncerti u mbyll me veprën “The Three-Cornered Hat” të kompozitorit spanjoll, Manuel de Fallas.

Filharmonia e Kosovës ka bërë të ditur se për koncertin e radhës do të marrë rrugë për në Rahovec, më 26 mars. Kori i Filharmonisë së Kosovës dhe ansambli harkor do të shpalosin programin atje nën drejtimin e Hajrullah Sylës. Dy ditë më pas zhvillon edhe koncertin tjetër. Nën drejtimin e dirigjentit italian Marco Crispo, me solistë Liza Kerob dhe Altin Tafilaj, koncerti i institucionit korrespondon me mbylljen e Javës së Frankofonisë në Prishtinë.

Galeri e fotove nga Visar Kryeziu