Duke përdorur çaj, sheqer, nisheste a uthull, janë krijuar materiale bioplastike e biotekstili për t’u dhënë formë dizajneve të veshjeve të cilat që në shikim të parë thyejnë kufijtë e modës tradicionale. Këtu hapet edhe diskutimi për ndikimin e industrisë së tekstilit. “Fije të gjalla”, është një alternativë për të ardhmen që mund ta ketë moda. “Kjo është një mënyrë për ta sfiduar industrinë tradicionale të modës, e cila shpesh lë pas një sasi të madhe mbetjesh”, ka thënë Hana Zeqa, autore e ekspozitës së hapur në “Paper Gallery”
Dardan Mirena
Në kohën kur moda dhe dizajni ndodhen në udhëkryqin mes së bukurës dhe asaj që mund të quhet ekologjike, ekspozita “Living Thread” (Fije të gjalla) sjell një qasje krejtësisht të re, duke kombinuar artin, shkencën dhe ndërgjegjen mjedisore. Në këtë ekspozitë, artistja Hana Zeqa asistuar nga Rita Hasani, nëpërmjet bashkëpunimit të tyre me “Paper Gallery”, kanë eksploruar në mënyrë që të përfitojnë dhe si të rrisin këto materiale si bioplastika, biotekstili duke përdorur dhe printimin 3D.
Me përdorimin e përbërësve të zakonshëm nga kuzhinat, si çaji, uthulla, niseshteja, sheqeri dhe materiale të tjera, siç kanë shpjeguar, kanë krijuar materiale që sfidojnë format tradicionale të modës dhe nxisin diskutime mbi ndikimin e industrisë së tekstilit në mjedis. Procesi dymujor i zhvillimit të këtyre materialeve eksperimentale nuk ka qenë pa sfida, por rezultatet përfaqësojnë një qasje të freskët dhe alternative ndaj konceptit të modës si mjet komunikimi dhe jo vetëm si një funksion estetik.
Në hyrje të ekspozitës, vizitorët përballen me vepra që sfidojnë kornizat konvencionale të modës, duke ndërthurur estetikën dhe shkencën përmes dizajneve novatore të veshjeve.
Në fokus janë disa dizajne të veçanta, të gjitha veshje të sipërme për gra, secila me nga një material të veçantë: Një korse me ngjyrë mjalti, është punuar nga materiali i përftuar përmes fermentimit të çajit kombucha. Ky proces i veçantë prodhon një teksturë të qëndrueshme dhe ekologjike.
Një veshje tjetër në të bardhë të lehtë, është krijuar me bazë niseshteje të kombinuar me përbërës të tjerë natyralë. Materiali mbizotërues i jep veshjes një finesë delikate, e cila qëndron në harmoni mes thjeshtësisë dhe funksionalitetit.
Një bluzë tjetër me nuanca kafe të çelur, ka si material bazë misrin, duke pasqyruar eksplorimin e burimeve të pazakonta në fushën e modës.
Këto dizajne dëshmojnë se kufijtë midis artit dhe shkencës mund të zhbëhen, duke ofruar një këndvështrim të ri për të ardhmen e modës.
Hana Zeqa dhe Rita Hasani, në vernisazhin e ekspozitës të martën mbrëma, kanë folur për konceptin, mesazhin dhe sfidat për të lidhur “Fije të gjalla”.
“’Living Thread’ është rezultat i një procesi krijues që bazohet plotësisht në materiale organike, përbërës të përditshëm që të gjithë i kemi në shtëpi, si sheqeri, uji, uthulla, çaji dhe të tjera. Qëllimi ynë ishte të eksploronim mundësitë e krijimit të një ‘organizmi’ që merr formën e veshjeve, megjithëse ato nuk janë veshje tradicionale, por një interpretim eksperimental i tyre”, ka thënë Zeqa.
Përmes kësaj qasjeje, janë krijuar materiale si bioplastika dhe biotekstili, të cilat janë biodegraduese dhe të riciklueshme.

“Madje edhe të konsumueshme. Kjo është një mënyrë për të sfiduar industrinë tradicionale të modës, e cila shpesh lë pas një sasi të madhe mbetjesh. Ideja jonë ishte të paraqesim një alternativë që kombinohet me filozofinë tonë të punës dhe një mënyrë për të dhënë një mesazh mbi rëndësinë e qëndrueshmërisë”, ka thënë Zeqa.
Ka theksuar se kanë punuar për dy muaj në studion e tyre dhe në “Paper Gallery” kanë eksperimentuar me materiale të printuara në mënyrë digjitale dhe të kombinuara me biotekstil.
“Ky projekt ka qenë për ne një kanal për të hulumtuar dhe integruar idetë tona në një formë të re dhe të qëndrueshme”, ka thënë ajo.
Rita Hasani, asistente e dizajnit, ka thënë se “Living Thread” është strukturuar në tri pjesë kryesore: bioplastika, biotekstili dhe printimi 3D. Gjatë këtij procesi, ajo ka asistuar në zhvillimin e materialeve bio, të cilat janë krijuar nga përbërës të thjeshtë që gjenden në çdo shtëpi, si çaji, uthulla dhe niseshteja.
“Materialet që kemi krijuar janë të biodegraduara dhe miqësore me mjedisin. Puna nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, pasi procesi shpesh nuk funksiononte siç ishte parashikuar. Por përmes këtyre sfidave që hasëm ne mësuam shumë dhe na dhanë një përvojë të vlefshme për të ardhmen. Në fund të këtij procesi, kemi arritur të realizojmë një instilacion që sfidon perceptimet tradicionale mbi modën dhe tregon se ajo mund të shërbejë si një mjet komunikimi për të përcjellë mesazhe të rëndësishme mbi ekologjinë dhe inovacionin”, ka thënë Hasani.
Ekspozita “Living Thread” nuk është thjesht një vepër arti.
“Është një ftesë për të reflektuar mbi mënyrën se si ne krijojmë, konsumojmë dhe bashkëjetojmë me mjedisin tonë. Përmes materialeve eksperimentale dhe qasjes së saj konceptuale, ajo sfidon kufijtë e modës tradicionale dhe propozon një vizion të ri për të ardhmen e dizajnit dhe të ekologjisë”, ka thënë ajo.
Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, ka shprehur vlerësime të larta për ekspozitën e organizuar nga artistja Hana Zeqa në “Paper Gallery”. Ka theksuar rëndësinë e kreativitetit dhe qasjes së saj unike ndaj modës, e cila fokusohet në riciklimin e materialeve dhe ndikimin pozitiv në mjedis.
“Jam shumë i impresionuar me këtë ekspozitë të organizuar nga Hana Zeqa, një artiste e madhe dhe një nga shumë talentet që Kosova ka. Është me të vërtetë kënaqësi të jesh këtu dhe do t’i ftoja të gjithë ta vizitojnë këtë ekspozitë fantastike”, ka thënë ai.
Siç e ka theksuar edhe ai, “Fije të gjalla” nuk është vetëm një ekspozitë por edhe një vizion për të ardhmen e modës.