(DW) – Në vend që të mbahej siç ishte bërë zakon, në shkurt të këtij viti, “Berlinale” u shty për në qershor. Edhe pse vendimi për ta shtyrë është bërë për shkak të pandemisë, një mënyrë ai është një kthim në traditë: Para se të zhvendosej në muajt e dimrit në vitet e ‘70, festivali i filmit ishte një ngjarje verore.
Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin filloi 70 vjet më parë, më 6 qershor 1951, me shfaqjen e “Rebecca” të Alfred Hitchcock në kinemanë “Titania-Palast”. Edhe pse filmi ishte i vitit 1940, ishte një premierë që u festua nga gjermanët, të cilët me entuziazëm pritën yllin kryesor të filmit, Joan Fontaine.
Në atë kohë, qyteti i shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte ende në rrënoja, dhe Berlini ishte në vijë të frontit të Luftës së Ftohtë.
Izolimi fizik i Berlinit Perëndimor nga pjesa tjetër e Republikës Federale të Gjermanisë ishte më i dukshëm gjatë bllokimit të qytetit enklavë nga sovjetikëve; nga qershori 1948 deri në maj 1949, Aleatët Perëndimorë e kompensuan këtë duke dërguar furnizime në Berlinin Perëndimor me avion. Dërgonin “Luftbrücke”, siç njiheshin me atë kohë.
Në këtë kontekst, festivali i ri i filmit jo vetëm që synonte të sillte pak shkëlqim në qytetin e Gjermanisë Perëndimore, por të shërbente edhe si “një shfaqje e botës së lirë” në një qytet të vendosur brenda kufijve të Gjermanisë Lindore.
Mes njerëzve që filluan projektin ishte zyrtari përgjegjës për kinematografi i administratës ushtarake amerikane, Oscar Martay (1922-1995) dhe juristi dhe historiani i filmit Alfred Bauer (1911-1986) - i cili vazhdoi të mbante pozitën e drejtorit të festivalit për një pjesë të gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, nga viti 1951 deri në vitin 1976.
Ashtu siç e përjavshmja gjermane “Die Zeit” bëri të ditur në vitin 2020, Bauer kishte qenë në të vërtetë një zyrtar i lartë i filmit nga ana e nazistëve, i cili punoi për të legjitimuar regjimin.
Një studim pasues zbuloi se Bauer kishte arritur të bindte hetuesit gjatë procesit të de-nazifikimit të pasluftës se ai kishte qenë gjithmonë një demokrat i vendosur dhe kundërshtar i nazistëve. Ai pretendoi se vazhdoi të punonte brenda burokracisë naziste “për të parandaluar që gjërat më të këqija të ndodhnin në kinemanë gjermane”.
Sipas studimit, Bauer ishte bashkuar me organizata të ndryshme nacional-socialiste që në vitin 1933. Sidoqoftë, ai me sa duket, ai u rreshtua po aq shpejt me propagandën e Luftës së Ftohtë të shtyrë nga Aleatët Perëndimorë.
Kjo përfshinte bojkotimin e të gjithë filmave nga të ashtuquajturat shtete të Bllokut Lindor, një parim i përcaktuar që nga fillimi nga ana e bordit këshillimor të festivalit të filmit. Ky qëndrim vazhdoi gjatë gjithë viteve ‘60, përkundër përpjekjeve jozyrtare të afrimit - të cilat megjithatë, u hodhën poshtë nga vendet e Evropës Lindore.
Për herë të parë një film sovjetik si pjesë e programit zyrtar të festivalit u shfaq në vitin 1974. Një vit më vonë, shumë shtete të tjera socialiste morën pjesë në “Berlinale”, duke shfaqur, për herë të parë, filma të prodhuar nga kompania shtetërore e filmit të Gjermanisë Lindore, “DEFA”.
Wolfgang Jacobsen, në “50 Vjet të Berlinales”, shkroi se “Historia e mungesës së shteteve socialiste në ‘Berlinale’ është një kapitull thelbësor në historinë e tensionit Lindje-Perëndim; një tragjedi-komedi e Luftës së Ftohtë, një dramë me role të ndërruara dhe protagonistë që ndryshojnë”.
Tensionet e Luftës së Ftohtë që zhvilloheshin në qytet u shfaqën në mënyrë të pashmangshme në Festivalin e Filmit në Berlin.
Edicioni i tretë i “Berlinales” nisi më 18 qershor të vitit 1953, vetëm një ditë pas shtypjes së dhunshme të kryengritjes së punëtorëve në Gjermaninë Lindore komuniste. Audienca atë vit ishte dukshëm më e vogël.
Ndërkohë, Berlini Perëndimor nuk dinte se si të reagonte kur një nga yjet e ftuar të festivalit atë vit, Gary Cooper, kritikoi hetimet komuniste të McCarthy në ShBA.
Në vitin e tij të pestë, me një buxhet të rritur për marketing, posterët që reklamonin festivalin e filmit ishin vendosur edhe afër kufirit me Berlinin Lindor.
Sidoqoftë, vizitorët e Gjermanisë Lindore nuk mund t’i bashkoheshin Festivalit që nga viti 1962, Muri i Berlinit i ngritur në gusht, një vit më herë dhe ai kishte bërë ndarjen përfundimtare të qytetit.
Sidoqoftë, organizatorët e “Berlinale” u përpoqën të mbanin lidhje me banorët e Berlinit Lindor, duke ngritur të ashtuquajtur “Ura televizive” për edicionin e vitit 1963 që transmetoi një pjesë të programit në ekranet përtej murit.
Por, skandali politik më i rëndësishëm i festivalit nuk u shkaktua nga ngjarjet në Berlin, por ishte i lidhur me një nga konfliktet e përfaqësuesve të Luftës së Ftohtë, Luftën e Vietnamit.
Në vitin 1970, gara përfshiu filmin e Gjermanisë Perëndimore, “O.K.” të regjisorit Michael Verhoeven, një projekt filmik kundër luftës që tregonte historinë e një vajze Vietnameze e cila përdhunohet dhe vritet nga katër ushtarë Amerikanë.
President i jurisë, atë vit, ishte regjisori dhe kinematografi George Stevens, i cili si ushtar amerikan gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte marrë pjesë në çlirimin e kampit të përqendrimit “Dachau”.
Ai nuk pranoi të kishte në garë një film gjerman që akuzonte amerikanët për krime lufte - por jo të gjithë anëtarët e jurisë ranë dakord me të. Juria u shpërbë dhe gara përfundoi pa ndarje të çmimeve për atë vit. Fillimisht ishte e paqartë nëse festivali do të mbahej përsëri.
Në mënyrë të ngjashme, një tjetër film për Luftën e Vietnamit shkaktoi protestë nga Sovjetikët në vitin 1979. Ata e konsideruan filmin “Deer Haunter” nga regjisori amerikan Michael Cimino, si një “fyerje për popullin vietnamez”.
Shtetet komuniste u tërhoqën nga festivali. Pavarësisht largimit të Kubës, Gjermanisë Lindore, Hungarisë, Bullgarisë, Polonisë dhe Çekosllovakisë dhe dorëheqjen e dy anëtarëve të jurisë, festivali vazhdoi. Vitin tjetër, ndërmjetësimi ishte i nevojshëm për të bindur vendet e bllokut Lindor të kthehen në festival.
Një dekadë më vonë, më 9 nëntor të vitit 1989, Moritz de Hadeln atëherë drejtor i “Berlinales” i propozoi Byrosë së Filmit të Gjermanisë Lindore që programi i festivalit të shfaqej njëkohësisht në Berlinin Lindor dhe Perëndimor.
Në mbrëmjen e po asaj dite, një konferencë për shtyp e Republikës Demokratike Gjermane dërgoi në rënien e Murit të Berlinit.
“Berlinale” në vitin 1990 u mbajt në të dy pjesët e qytetit - një ngjarje simbolike që sidoqoftë kërkonte një organizim të hollësishëm pasi autoritete të veçanta ende qeverisnin Berlinin e sapo unifikuar.
Edhe pasi u mbijetoi sfidave të diplomacisë së Luftës së Ftohtë, “Berlinale” ka ruajtur me krenari reputacionin e saj si ngjarja “politike” brenda festivaleve evropiane të filmit.
Në 20 vjetët e fundit, Ariu i Artë u është ndarë tri herë kineastëve iranianë që përballen me censurë ose përndjekje në vendet e tyre të lindjes; ndërsa në mes të krizës evropiane të migrantëve, çmimi më i rëndësishëm iu nda “Fire at Sea”, një dokumentar që shpalos kalimin e rrezikshëm të Mesdheut nga refugjatët që synim Evropën.