Pavarësisht masave kundër COVID-19, e shkëlqimit jo të plotë për të cilin shquhet, Festivali i Filmit në Venecia megjithatë e gjen krejt nurin e vet te shpresa për rikthimin e publikut në kinema dhe te bindja se magjia e ekranit të madh nuk zbehet dot. Përderisa bota e filmit ka drejtuar sytë nga Venecia, atje do të shfaqet edhe një rrëfim nga Kosova. Është “Vera andrron detin” nën regji të Kaltrina Krasniqit që garon në “Orizzonti”. Atje do të jetë edhe ekipi i filmit. “Kemi një film shumë mirë të realizuar dhe e kemi testuar deri tash nëpër industri të filmit nëpër botë...Ndoshta po tingëlloj optimist, por unë pres edhe çmim”, ka thënë producenti i filmit, Shkumbin Istrefi
Pavarësisht përballjes më një valë të re të pandemisë që nuk ka kursyer asnjë shtet të Evropës, arti vazhdon të ngjallë shpresë. Këtë e ka dëshmuar ceremonia hapëse e Festivalit më të vjetër të filmit në botë, ai i Venecias në Itali.
Në edicionin e sivjetmë, të 78-in me radhë, marrin pjesë filma nga 59 vende të globit. Përderisa bota e filmit ka drejtuar sytë nga Venecia – ku të mërkurën mbrëma u hap Festivali – atje do të shfaqet edhe një rrëfim nga Kosova. Historia e jashtëzakontë e një gruaje 64-vjeçare që interpreton gjuhën e shenjave – si syzheu i filmit “Vera andrron detin” – është pjesë e garës.
Filmi i metrazhit të gjatë debutues i Kaltrina Krasniqit me skenar nga Doruntina Basha do ta ketë premierën në ditën e tetë të këtij muaji. Në kategorinë “Orizzonti” konkurron për çmimet: Filmi më i mirë, regjia më e mirë, çmimi Special i Jurisë, aktori dhe aktorja më e mirë, si dhe skenari më i mirë.
“Kinematë dhe teatrot nuk do të zhduken”
Pas kalimit nëpër tepihun e kuq, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia është hapur me dramën spanjolle “Parallel Mothers” nën regji të Pedro Almodóvarit. Filmi që brenda kastit të aktorëve ka Penélope Cruz, Aitana Sánchez-Gijón e Milena Smit, trajton temën e dy nënave që kryejnë lindje paralelisht. Kritika këtë film midis të tjerash e ka vlerësuar si produkt artistik të regjisorit Almodóvar që i jep Festivalit të Venecias një pako të vogël gëzimi. Kurse revista “Variety” e ka vlerësuar filmin e regjisorit spanjoll si më të mirin pas atij të vitit 1999, “All about My mother” me të cilin kishte fituar “Oscar”, “Bafta” dhe “Golden Globe” në kategorinë e Filmit më të mirë në gjuhë të huaj. Përtej filmit me të cilin është hapur festivali, organizatorët janë shpresëplotë për kthimin në jetë të kinemave pavarësisht pandemisë.
“Kam ndjenjën dhe përshtypjen se të gjithë janë të gatshëm të kthehen, për të filluar gjithçka përsëri dhe t’i shfaqim filmat që qëndruan në raft për dy vjet. Dhe shpresa është që publiku të kthehet në kinema, e cila është mënyra më e mirë për të parë një film”, ka thënë drejtori artistik i Festivalit, Alberto Barbera.
Ai ka thënë se pas rihapjes situata nuk do të jetë si para pandemisë.
“Platformat online janë në punën e tyre, por kinematë dhe teatrot nuk do të zhduken”, ka thënë ai.
E Bong Joon Ho, fitues i “Oscar” për filmin “Parasite”, që udhëheq jurinë kryesore për sivjet, ka thënë se viti i kaluar ishte një test që tregoi forcën e kinemasë. “Nuk besoj se historia e kinemasë mund të ndalet aq lehtë. Kështu që COVID-19 do të shkojë e kinemaja do të vazhdojë të ngelet”, ka thënë ai.
Istrefi: Kemi film të mirë, pres çmim
Filmi nga Kosova ka konkurrentë të fortë. Gara në kategorinë “Orizzonti” – që vë në pah trendët më të fundit në kinemanë ndërkombëtare nga talentet e rinj – del të jetë goxha sfiduese. “Vera andrron detin” midis të tjerësh do të garojë me: “Atlantide” nën regjinë e Yuri Ancarani (Itali/Francë/ShBA/Katar); “Miracol” nën regjinë e Bogdan George Apetri (Rumani/Republika Çeke/Latvi); “Pligrimai” nën regjinë e Laurynas Bareisa (Lituani); “Il Paradiso del Pavone” nën regjinë e Laura Bispuri (Itali/Gjermani).
Juria e kësaj kategorie do të kryesohet nga regjisorja boshnjake, Jasmila Zhbaniq, e njohur për filmin “Quo Vadis, Aida?, kurse në përbërje do të ketë regjisoren dhe skenaristen norvegjeze, Mona Fastvold; filmbërësin iranian, Shahram Mokri; kuratorin e departamentit të filmit në MoMA të New Yorkut, Josh Siegel si dhe shkrimtaren italiane, Nadia Terranova.
Por ekipi kosovar është shpresëplotë se do t’ia dalë të korrë sukses.

Shkumbin Istrefi. producent i filmit “Vera andrron detin” ka treguar se pavarësisht garës së fortë, pritjet i kanë të mëdha.
“Kategoria ‘Orizzonti’ e Festivalit të Venecias është kategori zyrtare dhe e cila ekskluzivisht ka filmat e parë të regjisorëve. Është një kategori shumë e fortë. Unë e kam parë listën e filmave, edhe pse nuk i kam parë filmat, autorët janë shumë të fortë. Unë mendoj që e kemi një film shumë mirë të realizuar dhe e kemi testuar deri tash nëpër industri të filmit nëpër botë, prej nga kemi marrë ‘feedback’ shumë të mirë. Ndoshta po tingëlloj optimist, por unë pres edhe çmim”, ka thënë ai të enjten.
Sipas tij, bëhet fjalë për një festival shumë të madh dhe shumë mirë të organizuar.
“Si mysafir zyrtar në festival do të jenë regjisorja Kaltrina Krasniqi dhe dy aktoret, Teuta Ajdini-Jegeni nga Shkupi dhe Alketa Sylaj. Do të shkojmë një ekip më i madh, unë si producent i filmit, Doruntina Basha që është skenariste e filmit, Astrit Kabashi që është aktor dhe Arona Zymberi – aktorja e vogël që ka një rol interesant në film. Po ashtu, do të jetë ekipi i ko-produksionit nga Shqipëria dhe Maqedonia. Unë do të nisem me datën 5 shtator që t’i pres atje, kurse pjesa tjetër e ekipit do të vijë më 7 shtator”, ka treguar ai, derisa është ndalur edhe te rrëfimi që shpalohet në projektin kinematografik. Ka thënë se filmi trajton temën e trashëgimisë së pronës te femrat që është problematikë jo vetëm në Kosovë, por edhe në regjion e më gjerë.
“Mendoj që edhe në aspektin artistik dhe në qasjen ndaj skenarit, Doruntina edhe Kaltrina kanë gjetur këndvështrim universal në këtë temë. Kanë trajtuar temë njerëzore. Fati i njeriut në rrethana të caktuara është temë universale, andaj mendoj që është kuptuar mirë dhe ka pasur impakt të madh edhe nëpër marketet dhe punëtoritë, ku kemi qenë prezentë deri tash”, ka thënë ai.
Në fund të korrikut kur edhe është bërë me dije se “Vera...” është pjesë e garës, regjisorja Kaltrina Krasniqi kishte thënë se kineastët e rinj i kanë tri adresa në planet ku u intereson që të konkurrojnë filmat e tyre. Kishte përmendur Berlinalen, Cannes dhe Venecian.
“Pas shpërthimit të lëvizjes #metoo, gratë dhe grupet e tjera të margjinalizuara kanë filluar një dialog global mbi rrethanat e tyre politike e shoqërore; kjo lëvizje ka rikonfirmuar diçka që gratë e dinë që moti: pabarazitë me të cilat ballafaqohemi janë shumë të ngjashme prej këtu në Azi, SHBA e gjetiu”, kishte thënë Krasniqi, për të shtuar se vetëm nuancat kulturore krijojnë “njëfarë iluzioni të pavarësisë për gratë, njerëzit me ngjyrë dhe komunitetin LGBTQ+”.
Për këtë projekt në të cilin është punuar shtatë vjet, Qendra Kinematografike e Kosovës i ka ndarë 130 mijë euro me konkursin e vitit 2015.
Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Punëtoria Kreative Istra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions), i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Por, shqiptarët do të jenë goxha në numër në Festivalin e Venecias, që konsiderohet edhe si më i vjetri në botë.
Në këtë edicion është njoftuar edhe për një kategori të re “Orizzonti Extra”, një degë e drejtuar kah publiku e që do të shpërblehet me një çmim nga audienca. Pikërisht këtu është përfshirë edhe filmi “La macchina delle immagini di Alfredo C” nën regjinë e Roland Sejkos. Ky film i krijuesit shqiptar që jeton në Itali, sjell historinë e një italiani që vjen në Shqipëri gjatë okupimit fashist dhe mbetet në Shqipëri tok me 27 mijë ushtarë e civilë italianë. Kështu, personazhi Alfredo C. shtrëngohet të punojë për pesë vjet në shërbim të propagandës së regjimit komunist.