Varkat me disa prej yjeve më të shquara të Hollywoodit do të zbarkojnë sivjet në Festivalin e Filmit në Venecia. Lady Gaga, Joaquin Phoenix, Julianne Moore, Tilda Swinton, Angelina Jolie, Daniel Craig, Adrien Brody, Felicity Jones, Cate Blanchett, George Clooney, Brad Pitt, Monica Bellucci, Michael Keaton dhe Jenna Ortega, janë në mesin e aktorëve të listës të cilët prej 28 gusht deri më 7 shtator shfaqin premiera filmat e tyre të fundit në teatrin “Palazzo del Cinema”. Tashmë janë bërë publikë filmat në garë e jashtë saj
Përveçse është një ngjarje glamuroze, edicioni i 81-të i Festivalit të Venecias – i cili përfshin një përzierje të filmave nga regjisorë e aktorë të njohur dhe projekteve të panjohura, por që variojnë në zhanre e stile – duket se edhe një herë e përforcon reputacionin si ngjarja kryesore për studiot filmike dhe platformat digjitale për të ndërtuar fushata për ceremoninë prestigjioze “Oscar”.
“Joker 2: Folie à Deux”, mjuziklli i regjisorit Todd Phillips që është vazhdimi i dytë i filmit “Joker”, që e pati fituar “Luanin e Artë” në vitin 2019, kthehet si pretendent kryesor në garën e festivalit. Në film rolet kryesore i luajnë Lady Gaga dhe Joaquin Phoenix.
Drejtori artistik i Festivalit të Venecias, Alberto Barbera, vuri në dukje gjatë një konference për shtyp se “miliona njerëz” e kanë parë trailerin e filmit “Joker 2” në internet, e i cili zbulon shumë pak për komplotin.
“As unë nuk do të zbuloj detaje”, ka thënë ai, “sepse askush nuk mund ta imagjinojë atë që Todd dhe skenaristët e filmit kanë arritur ta rrëfejnë përmes personazhit të Joaquin Phoenixit, Arthur Fleck, i cili është i mbyllur në një spital dhe atje takohet me Harley Quinnin, e portretizuar nga Lady Gaga, ndërsa pret gjyqin për pesë vrasjet që i kemi parë teksa i kryen në filmin e mëparshëm”.
Po ashtu, në garë për “Luanin e Artë” këtë vit është filmi i Luca Guadagninos, “Queer”, i adaptuar nga romani i William S. Burrough me të njëjtin titull. Në këtë projekt, aktori Daniel Craig e portretizon alter egon e autorit të njohur, një mërgimtar amerikan i dëbuar nga vendlindja, i cili tani jeton në Meksikë dhe lufton me varësinë nga heroina. Barbera e quajti pjesëmarrjen e pazakontë të Craigut në film, si “performanca më e mirë e jetës së tij”.
Filmi i parë i Pedro Almodóvarit në gjuhën angleze, “The Room Next Door”, me protagoniste aktoret e shpërblyera me “Oscar”, Julianne Moore dhe Tilda Swinton, gjithashtu përfshihet në programin garues të festivalit.
Filmi vjen pas projektit të kaluar të Almodóvarit, “Parallel Mothers”, i cili në vitin 2021 shënoi suksese të jashtëzakonshme në Venecie dhe e rrëmbeu çmimin “Aktorja më e mirë”, që shkoi për performancën e Penelope Cruzit në film. Në garë për çmim kryesor po ashtu është filmi biografik “Maria” i realizuar nga regjisori Pablo Larraín dhe ku luan Angelina Jolie në rolin e Maria Callas. Edhe dy filmat e kaluar biografikë të Larraínit, “Spencer”, në të cilin Kristen Stewart e portretizonte Princeshën Diana dhe “Jackie”, ku Natalie Portman erdhi në rolin e Jackie Kennedy Onassis, ishin shfaqur premierë në Festivalin e Venecias.
Brady Corbet rikthehet në festivalin italian me dramën “The Brutalist”, e cila rrëfen 30 vjet të jetës së László Tóthit, një arkitekt hebre me origjinë hungareze, i cili i mbijetoi Holokaustit. Rolin kryesor e luan aktori i shquar i Hollywoodit, Adrien Brody. Në filmin e shumëpritur gjithashtu luajnë aktorët, Felicity Jones, Joe Alwyn, Alessandro Nivola, Guy Pearce dhe Stacy Martin, mes shumë talenteve të tjera. Corbet e kishte fituar çmimin “Filmi më i mirë” në Venecie në vitin 2015 me projektin “The Childhood of a Leader”.
“The Order”, filmi i regjisorit australian, Justin Kurzel, me aktorë protagonistë, Jude Law dhe Nicholas Hoult, është një tjetër pretendent i denjë në garën e sivjetme të Festivalit. Kurse regjisorja holandeze, Halina Reijn, e lanson trilerin erotik “Babygirl”, ku luajnë aktorë të shquar si Nicole Kidman, Antonio Banderas dhe Harris Dickinson.
Walter Salles do të tentojë ta rrëmbejë “Luanin e Artë” me filmin “I’m Still Here”, që është filmi i parë i metrazhit të gjatë për regjisorin brazilian në më shumë se dhjetë vjet. Ky projekt gjithashtu e ribashkon Sallesin me aktoren e nominuar për “Oscar” me të cilën ka bashkëpunuar në filmin e kaluar “Central Station”, Fernanda Montenegro.
Një tjetër projekt i shumëpritur nga Amerika Latine, e që është në garë të festivalit është drama kriminalistike e Luis Ortegas, “Kill the Jockey”. Filmi e rrëfen historinë e një kalëruesi të talentuar që ka probleme me varësinë dhe i cili bie në kthetrat e një mafiozi.
Alfonso Cuaron rikthehet në Venecie me serialin e platformës “Apple TV+”, “Disclaimer”, ku luajnë aktorët Cate Blanchett dhe Kevin Kline. Blanchett e portretizon një gazetare hulumtuese, e cila bëhet personazh kryesor në një histori që ekspozon sekretet e saj më të errëta. Drama televizive e Joe Wrightit, “M. Son of the Century”, që ekranizon ngritjen në pushtet të Benito Mussolinit, po ashtu përfshihet në programin e festivalit më të vjetër në botë.
Filmi “Beetlejuice Beetlejuice”, që është vazhdim i projektit hit të regjisorit Tim Burton i lansuar në vitin 1988, është përzgjedhur për ta shënuar hapjen e festivalit prestigjioz. Shfaqja e tij në këtë ngjarje e shënon premierën botërore të filmit, i cili ribashkon në ekran të madh aktorët origjinal, Michael Keaton dhe Winona Ryder. Regjisori në një intervistë të mëhershme ka thënë se për të do të thotë shumë që do ta shënojë premierën botërore të filmit në Venecie. “Beetlejuice Beetlejuice” zë vend 36 vjet pas ngjarjeve të filmit të parë, dhe kastës së aktorëve i janë bashkuar edhe yjet: Jenna Ortega, Monica Belluci, Willem Dafoe, Justin Theroux, Dany DeVito dhe të tjerë.
Jashtë konkurrencës së festivalit shfaqet edhe filmi i zhanrit komedi dhe aksion “Wolfs”, në regji të Jon Wattsit dhe ku luan dyshja e njohur e Hollywoodit, George Clooney dhe Brad Pitt. Ngjarja e filmit fokusohet në personazhin e Clooneyt, i cili e portretizon një profesionist i punësuar për të mbuluar një krim të profilit të lartë. Por kur në vendin e ngjarjes shfaqet një tjetër burrë i të njëjtit profesion, i luajtur në film nga Pitt, ata detyrohen të punojnë së bashku. Megjithëkëtë gjërat dalin jashtë kontrollit dhe që të dy përballen me situata të papritura. Premierë jashtë garës shënon edhe trileri i Harmony Korine, “Baby Invasion”. Regjisorja pati shkaktuar bujë në Venecie vitin e kaluar me filmin aksion eksperimental, “Aggro Dr1ft”.
Kthehemi te programi garues, filmat francezë që e synojnë “Luanin e Artë” janë, komedia romantike e Emmanuel Moretit, “Trois Amies” dhe drama “And Their Children After Them” e regjisorëve Ludovic dhe Zoran Boukherma. Nga Franca garon dhe filmi “The Quiet Son”, regjinë e të cilit e kanë bërë motrat Delphine dhe Muriel Coulin.
Italia i ka pesë projekte filmike në garë sivjet, që vijnë në zhanre të ndryshme e nga regjisorë të gjinive dhe brezave të ndryshëm. Mes tyre janë, “Battlefield” nga Gianni Amelio, “Sicilian Letters” i regjisorëve Fabio Grassadonia dhe Antonio Piazza, “Vermiglio, The Mountain Bride” nga Maura Delpero dhe “Diva Futura” i regjisores italo-amerikane, Giulia Steigerwalt.
Regjisori norvegjez, Dag Johan Haugerud, është në garë me filmin “Love”, që vjen pas projektit të kaluar me titull “Sex”, i cili u shfaq premierë në Berlin në fillim të këtij viti dhe e përfundon trilogjinë e tij duke u thelluar në kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore, seksualitetin dhe normat shoqërore.
Regjisorja greke, Athina Rachel Tsangari, rikthehet në Venecie me filmin “Harvest”, ku rolin kryesor e luan Caleb Landry Jones dhe bazuar në romanin me të njëjtin titull e të vlerësuar me çmime të Jim Craces.
Projektet aziatike në garë për “Luanin e Artë” janë, trileri nga Singapori, “Stranger Eyes” nën regji të Yeo Siew Huas dhe dokumentari i regjisorit kinez Wang Bing, “Youth – Homecoming”. Përfaqësimi i fuqishëm i Azisë në Venecie përfshin gjithashtu vepra të reja jashtë konkurrencës nga mjeshtrit japonezë, Takeshi Kitano, i cili do të prezantohet me filmin e metrazhit të mesëm, “Broken Rage” dhe Kurosawa Kiyoshi, i cili e shënon debutimin e projektit me titull “Cloud”.
Nga Gjeorgjia vjen drama e Dea Kulumbegashvilit, “April”, që flet për një mjeke obstetër që kryen aborte të paligjshme në një pjesë rurale të Gjeorgjisë.
Nga Arabia vijnë dy filma në programin “Horizons” e ata janë, drama e regjisorit tunizian, Mehdi M. Barsaoui, “Aïcha”, që flet për një grua e cila ikën nga jeta e saj në një qytet të vogël pasi i mbijeton mrekullisht një aksidenti me autobus, dhe “Happy Holidays” e regjisorit palestinez Scandar Copti, që fokusohet në një aksident të vogël në Jerusalem që shkakton një zinxhir ngjarjesh.
Egjipti rikthehet në Festivalin e Venecias pas më shumë se një dakade me film në programin “Horizons Extra”. Fjala është për projektin “Seeking Haven for Mr. Rambo”, i cili vjen me regji të Khaled Mansour dhe e rrëfen historinë e një të riu të detyruar të përballet me frikën e tij dhe ta rizbulojë veten, kur shkon në një udhëtim për të shpëtuar qenin dhe mikun e tij më të mirë.
Siç është paralajmëruar më herët, Isabelle Huppert e udhëheq sivjet jurinë e festivalit. Edicioni i 81-të i Festivalit ndërkombëtar të filmit në Venecia nis më 28 gusht dhe përfundon më 7 shtator.