Kulturë

Festivali i romanit grafik mbyll edicionin duke paralajmëruar vepra të tjera në shqip

Disa prej mysafirëve të edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të romanit grafik “GRANFest” paraditen e së dielës kanë nënshkruar veprat e tyre për të interesuarit. Me këtë aktivitet edhe është përmbyllur edicioni i tretë i Festivalit, që ka mbledhur në Prishtinë emra të njohur artistikë nga vende të ndryshme të botës. Në këtë edicion organizatorët gjatë krejt ngjarjeve kanë vërejtur se interesimi për romanin grafik është rritur. Kanë kontribuar për këtë duke përkthyer e shpërndarë falas disa vepra. E me gjithë hallet organizative, kanë marrë energji për t’i nisur prej tash përgatitjet për edicionin e vitit që vjen. Madje disa ngjarje do t’i organizojnë edhe më herët

Pos emrit të atij që do ta ketë librin, autorëve iu intereson edhe portreti. Duan të gjejnë një specifikë, në mënyrë që jo vetëm t’ia nënshkruajnë librin, por edhe t’i ilustrojnë me diçka. E ky proces merr goxha kohë, sidomos kur interesimi për të marrë një nënshkrim nga vetë autorët e romaneve grafike nuk është i vogël.

Disa prej mysafirëve të edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të romanit grafik “GRANFest” paraditen e së dielës kanë nënshkruar veprat e tyre për të interesuarit. Me këtë aktivitet edhe është përmbyllur edicioni i tretë i Festivalit, që ka mbledhur në Prishtinë emra të njohur artistikë nga vende të ndryshme të botës.

Në këtë edicion organizatorët gjatë krejt ngjarjeve kanë vërejtur se interesimi për romanin grafik është rritur. Kanë kontribuar për këtë duke përkthyer e shpërndarë falas disa vepra. E me gjithë hallet organizative, kanë marrë energji për t’i nisur prej tash përgatitjet për edicionin e vitit që vjen. Madje disa ngjarje do t’i organizojnë edhe më herët.

Interesimi për t’i marrë romanet grafike falas bashkë me nënshkrimet e autorëve të dielën në librarinë “Dukagjini” ka qenë goxha i madh. Aktiviteti i paraparë që të zgjasë një orë ka shkuar gati në tri.

“Interesant është edhe fakti se ka shumë vajza këtu, pasi zakonisht për romane grafike janë më të interesuar djemtë”, ka thënë drejtori artistik i Festivalit, artisti Gani Jakupi.

Me “Trandafilin e Havanës” të autorëve Duchy Man Valderá dhe Alexander Izquierdo Plasencia kanë pritur në rresht shumë të rinj. Kubania Duchy Man Valderá ka nënshkruar veprën, e njëkohësisht edhe ka bërë ilustrime të ndryshme krahas nënshkrimit. Vepra në të cilën është bashkautore është një prej atyre që “GRANfest” i ka sjellë në shqip në edicionin me temë “Identitetet e përziera”.

Man Valderá pos që është befasuar nga të pranishmit që kanë pritur në radhë për nënshkrim, i ka bërë përshtypje edhe ajo që ka parë për disa ditë në Kosovë.

“Dy vendet tona, Kosova dhe Kuba, kanë një të përbashkët: të kaluarën komuniste”, ka thënë ajo. Man Valderá ka treguar se gjallëria që haset në rrugët e në kafehanet e Prishtinës është vështire të gjendet jo në Kubë, por edhe në vendet evropiane. Ajo tashmë jeton në Belgjikë.

“Kur e marr parasysh se para pak më shumë se një dekade ky vend ka qenë në luftë, dhe kur shikoj tash buzëqeshjet dhe vullnetin në fytyrat e njerëzve më krijohet një ndjesi interesante. Më vjen shumë mirë e njëkohësisht më vjen keq për të kaluarën”, ka thënë ajo me shpresën se do të jetë prapë në Kosovë.

Bashkë me të edhe disa kolegë të saj, autorë romanesh grafike kanë dhënë nënshkrimet e tyre.

Bashkëthemeluesi e drejtor artistik i Festivalit, Gani Jakupi, njëherësh autor i njohur i romaneve grafike, ka thënë se vështirësitë në organizmin e këtij edicioni ishin të shumta. Ka treguar se shkaku i telasheve administrative ka hequr dorë nga konkursi i MKRS-së për përkrahje të organizimeve kulturore.

“Shumë kam menduar se si do t’ia dal. Por tash kur e kam parë prapë vullnetin për të marrë pjesë në Festival, bashkë me energjinë që ka ky festival menjëherë kam nisur të mendoj për edicionin që vjen”, ka thënë Jakupi. Sipas tij, rinia e Kosovës ka interes për romanin grafik dhe Festivali ka për qëllim që t’i lidhë me vepra e autorë. Ka treguar se nuk do të shkojë shumë kohë deri në promovimin e një tjetër romani grafik.

Për temën “Mixed identitites”, Jakupi, emër i shquar në Francë e Spanjë, jo vetëm në artin e romanit grafik, por edhe në atë muzikor, ka thënë se kanë bërë prezantimin e diasporës dhe paraqitjen e saj si një burim i pasur vlerash kulturore.

Përpos ekspozitave dhe pesë punëtorive që janë mbajtur anembanë Prishtinës, një pjesë e madhe e autorëve kanë marrë pjesë edhe në konferenca e debate “ku kanë folur për veçantitë e veprave të tyre nën titullin ‘diaspora hebraike’”.

Me këtë temë janë paraqitur autorë të shumtë, si: Didier Pasaonik nga Franca, Duchy Man Valderá nga Kuba, Li-chin Lin nga Tajvani, Mana Neyestani nga Irani e të tjerë.

“GRANFest” ka promovuar veprën e dy gjenive të romanit grafik kuban: Duchy Man Valderá dhe Alexander Izquierdo Plasencia, “Rosa de La Habana” (Trëndafili i Havanës), i përkthyer nga Gazmend Bërlajolli, pas botimeve që pati në spanjisht dhe frëngjisht. Corto Maltese i Hugo Prattit, personazhi historik në botën e romanit grafik, për herë të parë ka folur në shqip, me serinë “Dita e Toroweanit”. Një tjetër titull që solli “GRANFest” është edhe “Një takim me vetveten”, nga Fumio Abata. Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik e nisi rrugëtimin e tij për herë të parë më 2019. Nisi me idenë për të ringjallur artin e komikeve, por njëherësh duke refuzuar idenë e krijuar nga të rinjtë se librat komikë janë përshtatje e kinematografisë me superheronj apo të tilla si mangat japoneze.

Duke dashur t’i shmangej një gjëje të tillë, “GRANFest” vendosi të përdorte emërtimin “roman grafik”, duke refuzuar fjalën komik si anglicizëm ose termin libër vizatimor, që zakonisht lidhet me fëmijët.

Sikurse shumica e organizimeve, “GRANFest” nuk arriti të mbahej në 2020-n, por u rikthye në tetorin e vitit 2021, me temën “Gratë dhe romani grafik”, kur krahas ngjarjeve të tjera u përuruan edhe botimet në shqip të romaneve grafike “Anmiku n’gji” i Lili Sohn dhe “M’u desh me ta thanë” i Aude Mermilliod.