Gjithë fuqinë vokale mundohen ta shprehin brenda një performance. Me kujdes i ndjekin ngritjet e uljet e zërit përgjatë interpretimit të veprave që vetë ata i përzgjedhin. Mirëpo, nuk e kanë të lehtë, sepse performojnë para një njeriu të dëshmuar botërisht në muzikën klasike.
Mbi 25 të rinj nga Kosova e vendet përreth, kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë pjesë e “Ramë Lahaj Opera Festival”, që me koncertin “New Generation”, i cili do të mbahet të martën, do ta presë shiritin e gjithsej tri performancave muzikore në edicionin e parë të organizimit. Përgatitjet kanë nisur tash e pesë ditë në formën e “master classit”, të monitoruar nga profesori italian, Vito Maria Brunetti.
Mirëpo, kjo nuk është e tëra e këtij organizimi. Emra të mëdhenj të muzikës klasike do të vijnë për të performuar në skenën e Kosovës, duke përfshirë edhe Jessica Nuccio. Ka edhe shumë emra të tjerë të cilët deri më datën 7 gusht do t’u falin gjallëri artdashësve në Kosovë, e që priten së shpejti të bëhen publikë nga organizatorët. Në anën tjetër, nuk mungojnë as përkujtimet për personalitete të shquara të muzikës shqiptare. Në njërin nga koncertet e edicionit të sivjetëm do të kujtohet figura e ndritshme e Nexhmije Pagarushës.
Por, njëra ndër vajzat e reja që po bën hapat e parë në këtë Festival është Arita Bajraktari, e cila në çdo grimcë të performimit merrte këshillat e profesorit italian, Brunetti, nën ritmin e melodive nga pianoja ku luante Fjorda Veizaj.
Bajraktari me vëmendje e dëgjonte, teksa menjëherë mundohej ta përmirësonte atë që ai e kërkonte kur ndonjëherë e ndërprente përgjatë këndimit.
“Është një përvojë shumë e veçantë, që do të donte ta kishte çdokush”, ka thënë Bajraktari, studentja e Degës së Muzikës në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Tutje, ajo ka thënë se ndihet tejet mirë që është pjesë e këtij organizimi, teksa e çmon përgatitjen profesionale të Brunettit.
“Këshillat e tij kanë qenë të vlefshme gjithmonë dhe kemi kaluar shumë mirë në ditët që kemi punuar me të”, ka thënë Arita Bajraktari.
E se ka pasur interesim nga të rinjtë, e pohon edhe njëra nga organizatoret, Ulpiana Aliaj.
“Ne jemi shumë të befasuar nga pjesëmarrja dhe interesimi që kemi parë. Duke qenë edicioni i parë, kemi tentuar të jemi më të gjerë në kushtet e pranimit, duke mos aplikuar një fazë paraselektive”, theksoi ajo për KOHËN.
Ka treguar se është tejet i rëndësishëm organizimi i edicionit të parë të këtij Festivali.
“Ishte shumë e nevojshme që në Prishtinë në një moment të tillë të kishim strukturë kaq të shëndetshme sa i përket master class-it”, u shpreh Aliaj.
Organizatorja e cila edhe vetë është soprano, thekson se kanë tentuar të sjellin një version të kompletuar të tij.
“Ne donim të paraqisnim një formë të plotë të organizimit, duke u dhënë përparësi të rinjve në radhë të parë, duke iu qasur një bote lirike ndryshe dhe përtej shkollave ku ata frekuentojnë”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, për bashkëpunimin me të rinjtë thotë se ka qenë tejet intensiv.
“Profesori u është dedikuar me detajet më minimale, duke ndarë me ta eksperienca skenike e personale”, ka thënë Aliaj.
Ndërkaq ajo pohon se “master class-i” 5-ditësh nuk mjafton për zhvillim profesional, por besojnë se edhe ajo do ta ketë ndikimin e vet.
“Dëshirojmë që ai ose ajo, ose më shumë se kaq nëse janë, të kenë mënyrën dhe mundësinë e duhur për t’i dërguar përtej këtij institucioni”, përfundon organizatorja.
E profesori i cili përgjatë gjithë kësaj kohe është marrë me zërat e rinj, Vito Maria Brunetti, thotë se ka një potencial për operë në Kosovë.
“Jap këshilla që shpesh të tjerët nuk i japin”, ka thënë ai, teksa ka folur me përkushtim për këshillat të cilat i jep.
Thotë se ndihet mirë që është në mesin e të rinjve dhe se bën punën e njëjtë siç e ka bërë gjithmonë.
Të gjithë flasin për çështjet teknike të frymëmarrjes, unë flas për lirinë e frymëmarrjes dhe për përcjelljen e frymës. Sigurisht duhet të gjendet mënyra e duhur për t’ua përcjellë studentëve këtë, duhet shumë durim, sepse në kanto ka pak për të kuptuar”, u shpreh për KOHËN profesori italian.
Ai thotë se veprat janë përzgjedhje personale e të rinjve të cilët, një pjesë e tyre do ta kenë fatin të performojnë nesër.
“Festivali është diçka që është bërë me inteligjencë të madhe, diçka që mungon kohëve të fundit”, vlerësoi ai kur pyetet për organizimin e tillë.
Ai e sheh si një ide të mirë, të cilën thotë se e mirëpriti ftesën sapo e mori nga organizatorët.
Në anën tjetër, ajo e cila mori ftesë nga vetë profesori ishte sopranoja nga Maqedonia e Veriut, Helena Susha.
“Mendoj se është një ndër ngjarjet më me rëndësi në Ballkan dhe na ndihmon ne këngëtarëve të rinj”, shprehet ajo kur pyetet për Festivalin.
Teksa flet për përvojën e të asistuarit nga Brunetti, thotë se ndihet tejet mirë që merr “këshillat e maestros”.
“E vlerësoj shumë. Është diçka shumë e mirë dhe uroj që të organizohet gjatë”, përfundon ajo.
Festivali i operës, “Ramë Lahaj”, është i pari i këtij lloji në vend dhe që nga nisja e saj më 29 korrik, do të vazhdojë ta bëjë Prishtinën të ‘kumbojë’ nëpërmjet muzikës klasike.