Si festë të jashtëzakonshme që shpalos vlerat muzikore të skenës vendore, është paralajmëruar edicioni i dytë i Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, e një javë para, buxheti ka qenë një prej temave kryesore në konferencë për medie. Një lloj “strategjie”, me të cilën parashihej vetaftësimi i RTK-së për të organizuar një ngjarje madhore, ka rënë në ujë. Aneksi i memorandumit ia siguron 300 mijë euro nga Ministria e Kulturës me arsyetimin se transmetuesi publik është në situatë shumë të keqe financiare. “Një festival shumë të madh me shpenzime jashtëzakonisht të vogla dhe të mirëkontrolluara”, ka thënë Adi Krasta, drejtor i Festivalit e zëvendësdrejtor i RTK-së e pjesa artistike është ana tjetër e ngjarjes
Kur ka mbetur më pak se një javë deri në nisjen e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, organizatorët kanë shpalosur detaje konkrete rreth organizimit dhe anës artistike. Është bërë e ditur se performuesit do të ngjiten në skenë më madhështore sivjet.
Por theksi kryesor në konferencë për medie ka qenë buxheti. Me krejt këto, organizatorët premtojnë festë të jashtëzakonshme që shpalos vlerat muzikore të skenës vendore.
Një lloj “strategjie”, me të cilën parashihej vetaftësimi i Radiotelevizionit të Kosovës për të organizuar një ngjarje madhore si Festivali i Këngës, ka rënë në ujë. Përderisa në edicionin e kaluar Ministria e Kulturës kishte ndarë 300 mijë euro për Festivalin, ndërsa RTK-ja nga buxheti i vet kishte dhënë 50 mijë euro, dy vjet më pas parashihej që anën financiare ta merrte transmetuesi publik.
Për organizimin e edicionit të dytë, Ministria do të ndante 250 mijë euro, ndërsa 100 mijë transmetuesi. Vitin e ardhshëm, të dyja palët do të ndanin nga 150 mijë euro.
Adrian Krasta, zëvendësdrejtor i RTK-së e drejtor i Festivalit të Këngës, ka thënë se transmetuesi publik është në situatë shumë të keqe financiare dhe se për këtë shkak, midis dy palëve është nënshkruar një aneks memorandumi.
“Unë i jam lutur Ministrisë së Kulturës edhe vjet dhe sivjet që Ministria e Kulturës të mos e zbatojë dinamikën e memorandumit, se Radiotelevizioni është në situatë shumë të keqe financiare. Iu luta atyre që ne të nënshkruanim një marrëveshje, të cilën e kemi nënshkruar shumë vonë, një aneks memorandumi, që ata edhe sivjet do të japin shifrën 300 mijë euro”, ka thënë Krasta, derisa ka bërë të ditur se shuma e njëjtë për Festivalin është vendosur edhe për edicionin e ardhshëm.
“Buxheti i festivalit edhe këtë vit është 350 mijë, nga të cilat 300 mijë edhe këtë vit do t’i japë Ministria dhe 50 mijë do t’i japë Radiotelevizioni i Kosovës. Vitin që vjen, unë nuk jam në gjendje të them çfarë do të ndodhë, por në planifikimin që drejtoria e përgjithshme dhe financat e RTK-së kanë bërë këtë vit, edhe për vitin që vjen është vendosur shifra 350 mijë”, ka thënë ai në konferencën ku hapësira për pyetje u është dhënë vetëm gazetarëve të RTK-së dhe atyre të Radio Kosovës.
Ka thënë se mbi 83 mijë euro të buxhetit do të shpenzohen për paga, 190 mijë për mallra dhe shërbime, ndërsa për shpenzime të tjera operacionale do të shpenzohen mbi 26 mijë euro. Sipas tij, RTK-ja po bën “një festival shumë të madh me shpenzime jashtëzakonisht të vogla dhe të mirëkontrolluara”.
Derisa ka folur për vështirësitë e organizimit të Festivalit të Këngës ka thënë se çuditërisht edhe më i vështirë është bërë sivjet për shkak të asaj që e ka quajtur marrëdhënie shumë të komplikuar ndërinstitucionale.
“Ajo që ka ndodhur vjet në një festival shumë të zorshëm, i cili çuditërisht më i zorshëm është bërë këtë vit. Ka pasur problematika, marrëdhënie shumë të komplikuara ndërinstitucionale. Ministria e Kulturës që ka financuar, por financim ka bërë edhe Komuna e Prishtina, financim me shërbim ka bërë edhe Pallati i Rinisë, kështu që ky festival ka katër organizatorë të mëdhenj”, ka thënë Krasta.
Derisa ka folur për anën artistike, ka bërë të ditur se pjesën tjetër të programit, pos prezantimit të 16 këngëve garuese, do ta ndërtojë grupi “Lindja”, këngëtari Alban Skënderaj e artisti shqiptar me emrin skenik Stanaj. Ka lënë befasi një “surprizë të nivelit shumë të lartë të festivalit”. Ka thënë se krahasohet me “vlera sanremoze të Festivalit të Këngës”.
I ka bërë publikë edhe moderatorët e edicionit të dytë: kantautori Genc Salihu, bashkë me aktoren Drita Kabashi.
Salihu ka thënë se muzika e lehtë është vlerë kombëtare, ndërsa ka tërhequr paralele midis Festivalit të Këngës në RTK dhe “Akordeve të Kosovës”.
“Konsideroj se muzika zbavitëse apo e lehtë është një vlerë kombëtare, të cilën duhet ruajtur. Ajo e ka shtëpinë në festival. Kjo është diçka tradicionale, e cila në Itali, Kroaci, Shqipëri, ka qenë dikur edhe në Kosovë – ‘Akordet...’. Ky është një lloj riinkarnimi i ‘Akordeve të Kosovës’. Jam shumë i lumtur dhe po ndihem si në shtëpinë time”, ka thënë Salihu në konferencë.
Aktorja Kabashi është shprehur optimiste se ata të dy do të vazhdojnë me ritmin e dyshes së vitit paraprak.
“Lumturi shumë e madhe që këtë vit do ta prezantoj festivalin. Jam gëzuar jashtëzakonisht shumë kur ekipi i Festivalit ma ka ofruar këtë mundësi. Jam aktore dhe ky është një teatër i tillë, por muzika ka qenë gjithmonë pjesë e imja. Përputhja e këtyre dy botëve është një gjë shumë e bukur”, ka thënë Kabashi.
Edicionin e parë të mbajtur në fundtetor të vitit të kaluar e kishin prezantuar vetë drejtori i festivalit, Adrian Krasta dhe moderatori Besim Dina.
Edhe sivjet pa shtëpi, salla e djegur e Pallatit të Rinisë, siç kishte ngjarë edhe vitin e kaluar – kur fitoi “Oj Kosovë” e artistit Arbër Salihu i njohur si La Fazani – do të jetë hapësira e improvizimeve. Edhe sivjet është larg garës evropiane të këngës “Eurosong”.
Megjithatë në konferencë është bërë e ditur se udhëheqësit e Unionit të Transmetuesve Evropianë kanë shprehur dëshirën për ta përcjellë nga afër ngjarjen.
18 këngë ishte bërë e ditur se do të garonin në këtë edicion. Aq edhe janë në listën e publikuar javë më parë nga Festivali. Të dhënat i ka përditësuar drejtori artistik i Festivalit të Këngës në RTK, Florent Boshnjaku.
“Sivjet i kemi 16 këngë në konkurrim. Festivali do të jetë për tri net. Në natën e parë dhe të dytën do të prezantohen të gjitha këngët, ndërsa në finale shkojnë gjysma e tyre. Kjo është pjesa e garës, edhe pse unë parapëlqej ta quaj festë, por në fund të ditës është një fitues. Unë mendoj se është fitues i festës, jo i festivalit. Është diçka që juria e vlerëson, publiku e pëlqen dhe këngët që janë pjesë e festivalit do të mbesin gjithmonë si të tilla dhe kjo është arsyeja pse ne punojmë, që ato të kenë jetëgjatësi dhe jo vetëm të kryhet një obligim që kryhet për tri ditë”, ka thënë ai.
Solistët bashkë me Orkestrën e RTK-së veçse janë duke mbajtur prova në Atelienë e Pallatit të Rinisë. Boshnjaku premton një tjetër rrugëtim mahnitës muzikor, derisa ngjarjen e ka konsideruar platformë unike për artistët.
“Mëkat të mos shfrytëzohet një platformë aq e bukur, aq e mirë, aq e përgatitur, aq profesionale, të cilën e ofron Radiotelevizioni i Kosovës, sidomos është dëshmuar me edicionin e kaluar, besoj që edhe në këtë edicion do të binden gjithsesi, mirëpo prapëseprapë, vendimi është personal. Arsye nuk mund të ketë, as teknike, as profesionale, sepse janë shumë profesionistë prapa, të cilët punojnë”, ka thënë ai.
Rrëfimi muzikor, i dyti me radhë i Festivalit të Këngës, vjen më 24, 25 dhe 26 tetor.