“Sipas vendimit të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit, fituesit e ‘Zemrës së Sarajevës’ për dokumentarin më të mirë, ‘Zemrës së Sarajevës’ për filmin më të mirë të shkurtër dhe fituesi i kandidimit për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër kualifikohen automatikisht për nominim për ‘Oscar’”, shkruhet në njoftimin e Festivalit të Filmit në Sarajevë, në të cilin ndër vite suksese kanë shënuar edhe filmat e Kosovës
Festivali i Filmit në Sarajevë (SFF) ka marrë statusin e “festivalit kualifikues të filmit” për çmimet “Oscar”. Ky status do të thotë që filmat fitues në kategoritë e përzgjedhura do të mund të kualifikohen për nominimet për çmimin më të madh në kinematografi.
“Pas përfshirjes në listën e festivaleve prestigjioze botërore në vitin 2019, fituesit e të cilëve në kategorinë e filmit të shkurtër kualifikoheshin automatikisht për t’u konsideruar për nominim për çmimin ‘Oscar’, tash e tutje atë privilegj e kanë edhe fituesit e ‘Zemrës së Sarajevës’ për dokumentarin më të mirë të metrazhit të gjatë”, thuhet në njoftim.
“Academy Awards” e ka përfshirë kategorinë “festivalet kualifikuese të filmit” për të nxjerrë në pah filmat që janë shpërblyer në festivalet relevante botërore.
“Sipas vendimit të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit, fituesit e ‘Zemrës së Sarajevës’ për dokumentarin më të mirë, ‘Zemrës së Sarajevës’ për filmin më të mirë të shkurtër dhe fituesi i kandidimit për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër, kualifikohen automatikisht për nominim për ‘Oscar’. Kjo njeh suksesin e arritur nga fituesit e çmimeve në SFF dhe nëse i plotësojnë rregullat e tjera të Akademisë kualifikohen për t'u konsideruar për nominimin për çmimet ‘Oscar’”, thuhet në njoftim.
Edicioni i sivjetmë i Festivalit të Filmit në Sarajevë, i 31-ti, mbahet prej 15 deri më 22 gusht.
E, një ngjarje si kjo nuk është e panjohur për kinematografinë e Kosovës. Vetëm vitin e kaluar, “Si e verdhë e sëmurë”, nën regji të Norika Sefës, mori “Zemrën e Sarajevës” për dokumentarin më të mirë të shkurtër. Në vitin 2021, Sefa me filmin e saj “Në kërkim të Venerës” kishte marrë çmimin “Përmendje speciale për barazi gjinore”. Vjet në garë kishte qenë edhe filmi “Rrugës” i Samir Karahodës. Në vitin 2020, “Exil” i Visar Morinës mori “Zemrën e Sarajevës” për filmin më të mirë. Në atë edicion pjesëmarrës ishin edhe “Galaktika e Andromedës” i regjisores More Raça, “Zana” i Antoneta Kastratit dhe “Vera andrron detin”, i regjisores Kaltrina Krasniqi. Në vitin 2020 Kosova shënoi sukses të trefishtë: “Luaneshat e kodrës”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Pa vend” – ia dolën të merrnin ndër çmimet kryesore të evenimentit të njohur të filmit. Aktoret Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani – pjesë e kastit të filmit “Luaneshat e kodrës”, nën regjinë e Luana Bajramit – kishin marrë “Zemra e Sarajevës për aktoren më të mirë”. Pos “Në kërkim të Venerës” me “Përmendje speciale për barazi gjinore”, “Pa vend” i Samir Karahodës mori “Special Jury Mention”.
Festivali i Filmit në Sarajevë cilësohet si evenimenti më i madh i filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë. Historia e tij nisi më 1995, pikërisht kur Sarajeva mbahej e rrethuar nga forcat ushtarake serbe.