Kulturë

Festivali i Cannes rikthen magjinë e filmit në edicionin historik edhe për Kosovën

“Po, Cannes është rikthyer, por më e rëndësishmja është që kinemaja është rikthyer”, citohet të ketë thënë drejtori Pierre Lescure, president i Festivalit të Filmit në Cannes, të martën, kur edhe u hap zyrtarisht edicioni i 74-t. Por sivjet kjo ngjarje s’është historike vetëm për vendin ku mbahet e për organizatorët. E tillë është edhe për Kosovën, me filmin e shkurtër “Pa Vend” të Samir Karahodës, në garë për “Palmën e Artë”

Bën pjesë me të drejtë në “Treshën e madhe” të ngjarjeve kineaste në Evropë, por i sivjetshmi Festival i Filmit në Cannes vjen më i veçantë se kurdoherë më parë. Për qytetin e bukur në rivierën jugore të Francës, edicioni i 74-t me radhë sjell tepihun e kuq, glamurin, si dhe ambicien kineaste.

“Oh Zot, çfarë kënaqësie, një emocion i vërtetë!”, ka thënë të martën Pierre Lescure, president i Cannes Film Festival, nga zyra e tij që ka përballë Detin Mesdhe. “Po, Cannes është rikthyer”, ka thënë ai, “por më e rëndësishmja është që kinemaja është rikthyer”, ka shkruar mediumi ndërkombëtar NPR.

Siç kanë raportuar mediat e huaja, mbi tapetin e kuq në “Croisette” kanë parakaluar yje nga e gjithë bota si: Carla Bruni, Jodie Foster, Marion Cotillard, Adam Driver, Bella Hadid dhe Helen Mirren.

Regjisori dhe skenaristi amerikan, Spike Lee, i cili është kryetar i jurisë së festivalit, ka shkaktuar jo pak sensacion në natën e parë me syzet e tij rozë.

Në ceremoninë e hapjes të moderuar nga aktorja Doria Tillier, fillimisht aktores dhe regjisores amerikane, Jodie Foster, i është dorëzuar një “Palme d'Or” e nderit. Me këtë rast ylli 58-vjeçar ka shprehur shpresën e saj për të ardhmen e kinemasë, por edhe kënaqësinë që po kthehet në një sallë kinemaje.

“Është vërtet një nder i madh të jem e zgjedhur për këtë moment të veçantë në Cannes Film Festival”, ka thënë Foster duke pranuar çmimin e nderit. “Me shumë dashuri po e pranoj këtë Palmë nderi, i jam kaq mirënjohëse këtij vendi magjik që e nisi karrierën time”.

Sipari i natës së parë të Festivalit është hapur me filmin e Leos Caraxit “Annette”, një film që sjell rrëfimin e një komediani provokues (të interpretuar nga Adam Driver) dhe të shoqes së tij, një soprano e njohur (Marion Cotillard), për jetën glamuroze që merr një kthesë të papritur.

Kështu “Promenade de la Croisette” për njëmbëdhjetë ditë radhazi do të përshkohet nga ritmi i kinemasë, yjeve dhe xixëllimave.

Në edicionin e sivjetmë do të jenë 24 filma në garë zyrtare, diçka më shumë sesa edicionet e mëparshme. E po kështu do të jenë edhe dhjetëra filma të tjerë nga e gjithë bota që do të shfaqen kategori garuese.

Por Festivali i Cannes këtë vit është historik edhe për Kosovën.

Image

“Pa Vend” bën historinë e kinematografisë së Kosovës, si filmi i parë vendor në garë për “Palmën e Artë”


Është filmi i shkurtër “Pa Vend” i Samir Karahodës, i pari produksion vendor që garon për “Palmën e Artë” në kategorinë e filmave të shkurtër. Ishte pikërisht ky regjisor që më 2019 e çoi vendin në “Berlinale”. Tash në festivalin prestigjioz shpalos një tregim për ëndrrat dhe për ata që s’heqin dorë prej tyre, ani pse i ka harruar shteti. Siç ka raportuar KOHA, ekipi i filmit “Pa Vend” pritet të niset drejt Cannes më 13 korrik.

Rrëfimi i Kosovës në Cannes do të jetë në konkurrencë me 9 filma të tjerë. Nga gjithsej 3739 që kanë qenë në konkurrencë, selektorët kanë përcaktuar që 10 të jenë në garë. Në edicionin e sivjetmë të Festivalit, “Pa Vend” do të ketë konkurrencë filmin “North Pole” nga Maqedonia e Veriut, “In the Soil” nga Danimarka, “Orthodontics” nga Irani, “The Right Words” nga Franca, “Through the Haze” nga Portugalia, “Sideral” bashkëprodhim braziliano-francez, “All The Crows In The World” nga Hong-Kongu, “August Sky” bashkëprodhim braziliano-islandez dhe “Absence” nga Kina.

Rrëfimi i ekipit kosovar shtjellon suksesin e klubit më të suksesshëm të pingpongut nga Prizreni “Lidhja e Prizrenit” duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme. “Pa Vend”, film i zhanrit “docu-fiction” përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë duke zhvilluar gjenerata të reja të pingpongistëve.

Por jehona e kinematografisë së Kosovës nuk ndalet me “Pa Vend”. Është 20-vjeçarja nga Kosova, Luana Bajrami, e cila është bërë regjisorja më e re që në një hark gjysmëshekullor të historisë së “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes, do të shfaqë filmin e saj. Kështu, “Luaneshat e Kodrës” do të jetë filmi i parë i metrazhit të gjatë nga Kosova që do ta shfaqë premierën në këtë festival prestigjioz. Pasi që “Luaneshat e Kodrës” shënon filmin e parë të Bajramit, ajo ka mundësinë që të dalë edhe me çmim nga Festivali i Cannes, ani pse nuk është pjesë e garës zyrtare. “Caméra d’Or” (Kamera e artë) është çmim të cilin Festivali i Filmit në Cannes e ndan për një nga seksionet e tij – përzgjedhjen zyrtare, “Directors' Fortnight” apo “International Critics week”. Historia e Festivalit të Filmit në Canes dhe aktorëve e regjisorëve shqiptarë shtrin rrënjët shumë vjet më parë. Në vitin 1967, në këtë festival, filmi “Mbledhësi i puplave”, ku luan Bekim Fehmiu, kishte triumfuar duke fituar Çmimin e Madh të Jurisë dhe Çmimin FIPRESCI. Pastaj është aktorja Arta Dobroshi, e cila shkëlqeu me personazhin e Lornës në filmin madhështor “Heshtja e Lornës” në vitin 2008, rol për të cilin ishte nominuar në Festivalin e Cannes. Kësisoj, Dobroshi u bë aktorja e parë nga Kosova që eci nëpër qilimin e kuq të këtij festivali. E në vitin 2019 ishte filmi i shkurtër “The Van” (Furgoni) i regjisorit Erenik Beqiri, me aktorët nga Kosova Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj, i cili u shfaq premierë botërore në edicionin e 72-të të Festivalit të Cannes. Shënoi edhe një rekord për kinematografinë shqiptare, pasi që u bë filmi i parë shqiptar që konkurroi për çmimin prestigjioz, “Palma e Artë”.