Si koncert i përbashkët i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë i ngjau titullit, “Festë të madhe ka sot Kosova”. Pos bashkimit në skenë, trojet shqiptare janë bashkuar edhe me repertorë e me pjesëtarë në publik. Por me “Festë…”, janë sfiduar edhe kushtet e vendit ku është mbajtur koncerti, me pjesëmarrjen e një sërë valltarësh, instrumentistësh e muzikantësh në një skenë tejet të vogël e të ngushtë për koncertin
Radha për koncertin, i cili nëpërmjet këngëve e valleve do të shkrinte kufijtë shtetërorë, ka qenë e gjatë para Teatrit Kombëtar të Kosovës. Njësoj u mbush edhe salla, ku ulëset nuk qenë të mjaftueshme për interesimin e publikut. Ansamblet e dy shteteve u bashkuan për të kremtuar 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në mbrëmjen e së enjtes. E kjo u bë në një udhëtim muzikor trevash shqiptare, duke sjellë program që e bëri publikun të këndojë tok me këngëtarët e të kërcejë bashkë me valltarët.
“Festë të madhe ka sot Kosova” si koncert i përbashkët i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë i ngjau emrit dhe jehoi festë të madhe.
Me përcjelljen e tupanave, defave, violinës, klarinetit e një sërë instrumentesh të tjera, jehuan zërat e Mirvete Bajrami-Hazirit, Majlinda Citaqit, Gëzim Nikës, Arianit Hoxhës, Violetë Kukajt, Liridon Sadriut, Iris Begës, Egzona Shala, të cilët së bashku në skenë sollën dromca krijimesh të kohëve të ndryshme, duke e bërë publikun të ndjejë ritme nga pothuajse çdo skaj i trevave shqiptare.
Këngët për Ismail Qemailin, Jakup Ferrin, Agim Ramadanin, “Mora Fjalë”, “Bjerri Gajdes Gajdexhi”, “Me lule të bukura”, “I falem Kosovës”, “Gjaku im”, “Gryka e Kaçanikut”, “Jam bandi një trim i fortë”, “Tanë Kosova është zemra jonë” e “Jem Ilir jem Teuta”, ishin veç një pjesë e repertorit që për një orë e gjysmë.
Duartrokitjet dëgjoheshin kohë pas kohe teksa atmosfera e mirë që u krijua i dha edhe më shumë kuptim festës. Mirëpo, “fajin” kryesor në këtë mes e kishte fakti që dy ansamblet nën udhëheqjen artistike të Ylber Asllanajt e Sokol Marsit dhe me udhëheqës orkestre Fitim Bytyçin dhe Vladimir Hasimin, ishin bërë bashkë edhe në një maratonë tjetër muzikore. Por ky nuk ishte as i pari dhe as i fundit, por veç prijatar i bashkëpunimeve ndërministrore të dy shteteve për kalendarin e kulturës.
“Festë të madhe ka sot Kosova”, “Festa e bashkimit” e valle të tjera autoktone nuk kishin se si të mungonin
në një atmosferë të tillë ku publiku secilën herë disponohej më shumë. Një respekt me duartrokitje ndjeu edhe Liljana Cingu, valltarja nga Shqipëria, e cila ishte nderuar me urdhrin “Mjeshtër i Madh” para disa vitesh, e që publiku ia ndjeu rikthimin në skenë.
Dashamirë të këngës e valles shqipe pati kudo. Nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi e madje edhe nga Turqia. Mirëpo, për njërin prej valltarëve më të dashur të mbrëmjes, Besnik Grajçevcin, emocionet ishin të larta përgjatë performimit.
“Kjo festë ka qenë kuptimplotë me një përbërje kaq masive, në veçanti në koncertin që patëm bashkë e që i kujtuam disa valle dhe motive të kohës së artë të këtij ansambli dhe të periudhave kur ikonat e valleve kanë qenë dhe i kanë ekzekutuar këto valle”, ka thënë ai.
Për prova tregoi t’i ketë mbajtur dy ansamblet ndaras, teksa katër ditët e fundit janë bashkuar edhe në parapërgatitje.
“Do të ishte mirë që gjithmonë të eksplorohej edhe prapaskena se në skenë gjithmonë shihen buzëqeshja, gëzimi, festa e prapaskena është shumë e mundimshme. Ka një kohë që kemi filluar përgatitjet, trupa jonë këtu dhe trupa e Shqipërisë atje”, ka thënë Grajçevci.
Ai që ndjeu prapaskenat e ansambleve ishte drejtori artistik i “Shotës”, Ylber Asllanaj.
“Unë ende jam nën emocione a po mbaron a si po mbaron. Fatkeqësisht unë e kam shijuar në prova”, ka thënë ai teksa ka vazhduar duke e potencuar një pikë të rëndësishme. “Në këtë ambient janë dy ansamble e shumë njerëz (si hapësirë) të ngushtë e pa një sallë adekuate. Po e shoh reagimin e publikut dhe po ndihem mirë”.
Asllanaj ka treguar se procesi i bashkëpunimit mes dy ansambleve do të rrugëtojë gjatë.
“S’është i pari, megjithatë në kuadër të kalendarit kulturor të bashkëpunimit të ministrive ne jemi takuar me kolegët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë”, ka thënë ai. Menjëherë në pranverë ka thënë se planifikojnë edhe një koncert po aq madhështor dedikuar bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarushës. “Ata e kanë bërë koncertin për Fikrije Rexhën”, ka thënë Asllanaj.
Për koncertin e 14-vjetorit ka thënë se është ndjenjë e mirë “kur edhe vëllezërit vijnë nga nëna Shqipëri dhe e ndjejnë po aq sa ne”. “Veçantia është ta ndash kënaqësinë dhe ta ndjesh bashkimin”, ka thënë ai.
Përshtypje ndryshe nga ata që janë rritur me këngën e vallen shqipe, ka pasur disenjatorja nga Turqia, Ajça Akkin, e cila me plot energji ka shpalosur ndjesitë pas koncertit.
“Kam ardhur me mendimin se do të dëgjoj muzikë, por pastaj e pashë se në skenë ka fshatra, fusha. Ka qenë e mrekullueshme, kemi ndier zërin e popullit. Një kohë janë dëgjuar melodi të mrekullueshme të klarinetit, pastaj kemi parë valle me tupana e zurle. Për mua kjo qe mundësi për të parë gjithë kulturën e Kosovës e Shqipërisë në skenë”, ka thënë Akkin.
Koncerti “Festë të madhe ka sot Kosova” nga Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” dhe Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë është organizuar në kuadër të kalendarit vjetor kulturor të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.