Festa e Vitit të Ri s’ka si të shënohet ndryshe pos me programin e pasur televiziv. Kanali dihet – Kohavisioni. Armata e Grupit KOHA është gati që shikuesve t’ua sjellë atmosferën e festës në natën më të gjatë të vitit.
Një rrugëtim i gjatë televiziv, me dinamikë e shumë ngjyra është oferta e KTV-së në përmbylljen e vitit që po lëmë pas dhe në pritjen e 2023-tës.
Mysafirë specialë, këngë e valle, biseda me plot humor, komentimi i ngjarjeve të vitit në fusha të ndryshme e mesazhe e urime, do të shënojnë secilin prej emisioneve.

Si çdo herë tjetër, festa me KTV-në do të nisë në orët e hershme të mëngjesit që në ditën e fundit të vitit, më 31 dhjetor. Mëngjesi do të nisë me emisionin “Chat Room” prej orës 08:00 me dyshen energjike Jon Krasniqi dhe Agnesa Sejdiu. Një rrugëtim dyorësh i pret shikuesit me plot surpriza e energji rinore. E atmosferë festive sjell edhe emisioni i mëngjesit “SOT”, i cili nëpërmjet materialeve të veçanta e lidhjeve direkte të gazetarëve, intervistave në studio e storieve do të mbajë gjallë festën për gati tri orë.
“Orët e para të ditës së fundit të këtij viti do të jenë tejet dinamike me përmbajtje speciale dhe mbulim direkt rreth përgatitjeve për festë”, thotë producenti ekzekutiv i KTV-së, Dardan Selimaj, në vlugun e punëve në ambientet e Grupit KOHA që vlon më shumë se kurrë.
Pas saj festa vazhdon me muzikë me grupin “String String” në emisionin “Drive me Crazy”, i cili sikurse fundvitin e kaluar, edhe kësaj radhe ndërron format totalisht. Surpriza do të ketë edhe për shikuesit e vegjël me “Programin Fluturues të Fëmijëve” me shumë muzikë e balet. Ndërkaq receta që do ta karakterizojë mbylljen e vitit vjen në emisionin e gatimit “Te Linda”, me ç’rast edhe shënohet dhjetëvjetori i rrugëtimit të emisionit. I ftuar special është këngëtari Selami Kolonja.
Programi qendror festiv i Kohavisionit vjen me një maratonë televizive prej gjashtë orësh. Ekipi është siguruar që t’u ofrojë shikuesve një natë të paharruar për Vit të Ri.
Duke nisur prej orës 20:00, Motrat Mustafa dhe Orkestra e Vllaznim Buxhovit do të jetë shoqëruesi kryesor i festës. Por do të ketë edhe shumë gjallëri me të ftuar të tjerë si: Laokont Bytyqi, Artan Bakija, Florent Abrashi dhe “Funky Guru”, Fioralba Syla, Hikmete Ahmetaj dhe ansambli i këngëve dhe valleve “Gjakova”. Program i pasur muzikor vjen edhe pjesa e kuruar nga Hysni Klinaku me grupin e këngëtarëve.
Ndërkaq programi i televizionit më të njohur në vend pasurohet edhe me komedi. Seriali “Akshami me Gjylën” me kryeprotagoniste Gjylën, të cilën e jetëson Osman Azemi, është përkujdesur që t’i shoqërojë shikuesit me rrëfime interesante e skeçe për një natë plot hare.
Ndërkaq festa do të vazhdojë edhe më 1 e 2 janar me emisionet “1 Kafe me Labin”, “Express”, “Nëpër Film”, “Ça ka 3”, “038” e “Fashionista”. Muzikë do të ketë edhe me transmetimin e koncertit të fundvitit të Filharmonisë së Kosovës dhe koncertin që shënon 18-vjetorin e themelimit të grupit unik, “Ethnically Plugged”.
FESTA NIS ME “CHAT ROOM”, VAZHDON ME “SOT”
31 DHJETOR, 08:00 dhe 10:15
Me një prej emisioneve që ka nisur rrugëtimin televiziv gjatë vitit 2022, do të nisë festa e fundvitit. Është dyshja energjike Jon Krasniqi dhe Agnesa Sejdiu që do ta hapë ditën në orën 08:00. Një program i larmishëm prej dy orësh me materiale prej më të ndryshmeve do të jenë me shikuesit në ditën e fundit të vitit.
Intervista në studio, performanca muzikore të drejtpërdrejta e thirrje telefonike të shikuesve do të jenë pjesë e edicionit të fundit të “Chat Room” për sivjet.
Fiks në orën 10:15 shikuesit i pret emisioni i mëngjesit “SOT”. Nën moderimin e Agnesa Vitisë dhe Gonxhe Konjufcës, atmosfera festive vjen me përgatitjet për ndërrimin e moteve. Gazetarët e mëngjesit do të jenë në terren për të sjellë energjinë nga vende të ndryshme. Kësaj radhe përveç kryeqytetit, në qendër të vëmendjes do të jenë edhe qendrat e skijimit si Brezovica, si një prej vendeve alternative për të kaluar pushimet e dimrit.
Programi festiv i Kohavisionit vjen me një maratonë televizive prej gjashtë orësh. Ekipi është siguruar që t’u ofrojë shikuesve një natë të paharruar për Vit të Ri
Nuk mungojnë as bisedat në studio, të cilat do të jenë intervista që rrumbullakojnë vitin në veprimtari të ndryshme deri në orën 13:00. Një pjesë e rëndësishme e materialeve do të jenë edhe storiet, me fokus në shportën e konsumatorit, të cilat do të tregojnë se si i mbijetuan inflacionit qytetarët në kushte feste.
GJALLËRI ME “DRIVE ME CRAZY” E “PROGRAMIN FLUTURUES I FËMIJËVE”
31 DHJETOR, 16:00 DHE 17:20

Treshja e “Drive me Crazy” është kujdesur për atmosferë gazmore. Ka dalë nga studio e “Glam Radio”. Kësaj radhe është edhe grupi “String String” në përbërje prej Festim, Florin dhe Ferdi Fanajt, që sjellin muzikë nga një prej lokaleve të kryeqendrës. Biseda për muzikë, përshtypje për vitin që lëmë pas e urime për vitin 2023, janë në menynë e këtij emisioni.
Muzikë i pret edhe shikuesit e vegjël duke filluar nga ora 17:15 me “Programin Fluturues të Fëmijëve”. Kori i fëmijëve “Siparantum Kids” e “Cicërrima”, balerinët e shkollës së baletit “Behia’s Dance” e këngët më të mira të festivalit “Lyra Fest” janë bashkuar në programin ekskluziv të PFF-së, nën moderimin e Anila Shalës.
MUZIKË E RECETA TË REJA “TE LINDA”
31 DHJETOR, 18:00
Emisioni i gatimit nën udhëheqjen e Linda Haxhibrahimit, “Te Linda” pak orë para hyrjes në një vit të ri do të shënojë 10-vjetorin e rrugëtimit televiziv. Festë të dyfishtë do të ketë me të ftuar specialë e receta për sofrën e së kremtes.
“Te Linda’ do ta shënojë 10-vjetorin e fillimit të transmetimit me mysafirin special, këngëtarin Selami Kolonja”, thotë producenti Dardan Selimaj.
“GËZUAR ME KOHËN 2023!” PËR NJË NATË TË PAHARRUAR
31 DHJETOR, 20:00

Festa në Kohavision i pret shikuesit në një maratonë televizive prej gjashtë orësh. Emrat më të shquar të skenës vendore të muzikës popullore do t’i shoqërojnë shikuesit duke nisur prej orës 20:00.
Një atmosferë e shkëlqyer e bën të pamundur ndërrimin e kanalit. Sjell këngët e përzgjedhura përplot gjallëri e jetë. Gjatë festës kur të gjithë janë të mbledhur me familjarë e miq duke reflektuar për 365 ditë, Motrat Mustafa dhe Orkestra e Vllaznim Buxhovit do të jenë shoqëruesit kryesorë në televizionin më të madh në vend. Të ftuar do të jenë edhe Laokont Bytyqi, Artan Bakija, Florent Abrashi dhe “Funky Guru”, Fioralba Syla, Hikmete Ahmetaj dhe ansambli i këngëve dhe valleve “Gjakova”.
“Programi qendror në gjashtë orë transmetim vjen me plot muzikë e humor me këngëtarë të dalluar të skenës muzikore shqiptare”, thotë Selimaj.
Por emrat s’mbarojnë me kaq. Me program të pasur muzikor vjen edhe pjesa e kuruar nga Hysni Klinaku me grupin e këngëtarëve Enkeleisa Arifi, Nikollë Nikprelaj, Ganimete Asllani, Besart Halimi, Armend Shabani, Xhemail Murtishi, Shqiponjë Muhaxheri, Hysni Alushi, Leonora Rugova dhe Vals Klinaku.
E muzika s’është shoqëruesi kryesor. Përderisa këtë vit skemës programe të Kohavisionit iu bashkua edhe seriali i dashur për publikun, “Akshami me Gjylën”, aktorët dhe personazhet e shikuar gjatë vitit s’kanë se si të mungojnë edhe në kohë feste. Duke filluar prej orës 21:00 skeçe komike e të pasura do t’i shoqërojnë shikuesit në ngrohtësinë e familjeve.
Si çdo herë tjetër, festa me KTV-në do të nisë në orët e hershme të mëngjesit që në ditën e fundit të vitit, më 31 dhjetor
E menjëherë pas serialit, kryeprotagonistja Teta Gjyli do të jetë prezente për të shijuar minutat e fundit të vitit.
“Për natën e ndërrimit të moteve, gjatë numërimit së prapthi ju presin Teta Gjyli dhe prezantuesit Labinot Gashi-Labi e Ariana Berisha”, ka zbuluar Dardan Selimaj.
ASTRIT KABASHI “NËPËR FILM”
1 JANAR, 16:00

Emisioni që i dedikohet kinematografisë, “Nëpër Film”, nën udhëheqjen e Edona Binakut do të ketë episodin festiv me aktorin Astrit Kabashi. Filmat në të cilët ka luajtur ndër vite, pjesëmarrjet nëpër festivale prestigjioze, eksperiencat e tij me këto projekte, përkushtimi në “Vera andrron detin” nën regji të Kaltrina Krasniqit që u dha premierë botërore në Festivalin e Filmit në Venecie dhe në përgjithësi për përfshirjen në filma të suksesshëm si “Zgjoi”, “Exil”, “Shok”, do të jenë disa nga temat që do të trajtohen.
“FASHIONISTA” PËR KRYENGJARJET E MODËS
1 JANAR, 17:15

Festë do të ketë edhe në emisionin për modë “Fashionista”. Nën moderimin e Sara Kocit, edicioni festiv do të bashkojë fotografen Fioralba Kryemadhi, dizajneret Labentinë Shala e Kaltrinë Gjyrevci e modelen Diandra Kajtazi. Me mysafirët do të flitet për ngjarjet më të rëndësishme të botës së modës gjatë vitit, skandalet në skena të ndryshme dhe ato të cilat janë komentuar më së shumti. Pjesë të intervistave do të jenë edhe trendët e vitit, duke mos lënë anash as brendet që kanë dominuar në ngjarjen e modës.
KONCERTI FESTIV I FILHARMONISË SË KOSOVËS
1 JANAR, 17:50

Një tjetër rrugëtim televiziv që i pret shikuesit, është edhe transmetimi i koncertit festiv të Filharmonisë së Kosovës. Një ngjarje madhore e cila e përmbyll rrugëtimin e institucionit të muzikës klasike në vend, atmosfera festive e veprat që iu përshtaten fundvitit, janë në repertorin e këtij koncerti.
“1 KAFE ME LABIN” ME KËNGË E SURPRIZA
1 JANAR, 20:20
Program festiv prej tri orësh, është oferta me emisionin “1 Kafe me Labin”, i cili vjen tërësisht në format festiv. Sivjet ata që do ta pasurojnë festën me zërat e tyre do të jenë Ymer Bajrami, Linda Hakaj e Teuta Selimi. Por surpriza do të ketë edhe me aktorin Adnan Blaku, i cili do të jetësojë në emisionin rolin e dashur për publikun, atë të Sofisë.
“038” BASHKON KRYETARIN RAMA ME PENSIONISTËT
2 JANAR, 19:45
Magazina informative për kryeqytetin “038” do të bashkojë në një drekë kryetarin e Komunës së Prishtinës me pensionistët e qytetit. Është Rama ai që do t’ua servojë ushqimin kësaj grupmoshe, teksa ata edhe do të adresojnë se çfarë duan të kenë në kryeqytet për pensionistë. Do të flitet shumëçka për gjendjen e kryeqytetit, pritjet dhe projektet që do të realizohen në vitin 2023.
“ÇA KA 3” NË FRYMËN RINORE
2 JANAR, 20:30

Emisioni për të rinj, “Ça ka 3” do të zhvendoset nga studioja drejt një lokacioni ndryshe që sjell festën. Shumë të rinj të cilët do të flasin për ngjarjet kryesore në jetën personale e për pasionet e tyre do të jenë në programin e udhëhequr nga Jon Krasniqi. Por një vend të rëndësishëm do të zënë edhe trendët si ai i rrjetit social “TikTok”, ku do të zhvillohen biseda me vajza të cilat janë përdoruese aktive të tyre. Nuk do të mungojnë as lojërat e shumta, ku magjistari Agon Gashi do të sjellë show me letra.
“EXPRESS” SJELL YJE E HITE
2 JANAR, 21:40

Emisioni i pasdites i cili i dedikohet artit e kulturës sivjet në një darkë do të bashkojë disa prej emrave të njohur të skenës vendore. Nën moderimin e Ariana Berishës, do të jepen përshtypjet e vitit që shkoi, pritjet për atë që po vjen e përgjithësisht ngjarjet që e karakterizuan vitin 2022. Shoqërues kryesor do të jetë muzika nëpërmjet “Baboo Darabuka” në përbërje prej Alban Sejdiut, Muhamed Alkhazalit dhe DJ Benity. Të ftuara janë edhe këngëtarja Mihrije Braha dhe prezantuesja Agnesa Sejdiu.
RIKTHIMI UNIK I “ETHNICALLY PLUGGED”
2 JANAR, 23:15

Një koncert me finesë organizative e ka rikthyer bendin “Ethnically Plugged” në 18-vjetorin e themelimit. Katër instrumentistë profesionistë dhe ndër më aktivët në vend, do t’u falin shikuesve të Kohavisionit përpunime moderne të këngëve të vjetra shqipe. I tërë koncerti do të jetë sinonim i vlerave të muzikës shqipe.