Vetë vepra zbërthehet si rrëfim madhështor. E “St Mark Passion” ngërthen edhe madhështinë e Johann Sebastian Bachut. Koncerti i Korit dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, dirigjuar prej Jörn Boysenit, i cili ka plotësuar edhe mozaikun e veprës së gjeniut dhe ka interpretuar në skenë, është një dëshmi edhe për pasionin ndaj muzikës. Në këtë rast ka kulmuar me ngjyrat e barokut si homazh madhështor për trashëgiminë e përjetshme për kompozitorit pa të cilin historia e muzikës nuk do të ishte kjo që është
Është një vepër unike e barokut, jo veç për nga përmbajtja, por edhe për vetë fatin e veprës. Autori i saj, gjermani Bach, e luajti të paktën dy herë atë, por prej Luftës së Dytë Botërore një pjesë e partiturave është zhdukur. Derisa libreti i veprës vokalo-instrumentale është origjinal, pjesa muzikore ka dhjetëra versione. Njëri prej tyre është ai i Jörn Boysenit.
Po kjo vepër – “St Mark Passion” – dirigjuar nga ai bashkë me lojën në harpsikord dhe me solistë tenorin danez Mathias Monrad Møller, bas-baritonin holandez Wessel Van Der Ham, mexosopranon Diellza Sylejmani dhe sopranon Elonë Sadiku, i kanë bërë homazh veprës. Mbi të gjitha, ka qenë festë për gjenialitetin të njërës prej figurave kryesore në botën muzikore.
Numër më i vogël i instrumentistëve, por i dominuar nga anëtarët e Korit, bashkë me katër solistë, ka qenë formacioni i koncertit të radhës të Filharmonisë së Kosovës. Atelieja e Pallatit të Rinisë nuk ka asnjë ndryshim, përveç se të premten mbrëma qëlloi të ketë edhe më shumë njerëz që shfrytëzojnë hapësirat sipër Ateliesë, e që ka bërë të krijohen shumë zhurma. Madje, solistët dhe dirigjenti për një moment duke vështruar nga ana nga vinte zhurma, kanë shprehur një lloj irritimi. Publiku, si përherë, ka mbushur krejt ulëset në sallë, por sërish nuk kanë qenë mjaftueshëm dhe shumë prej tyre janë pozicionuar në korridorin sipër sallës.
Si vepër tejet e pasur e atraktive, aq sa edhe serioze, përplot ngjyra me harmoni e dinamika, është dëshmuar vepra “St Mark Passion, BWN 247” e Johann Sebastian Bach. Në përgjithësi është një mjedis i përhumbur pasioni. Kjo vepër do të humbej, por libreti i poetit gjerman e libretistit Picander është ruajtur tërësisht. Vepra është shkruar në vitin 1727 dhe ishte interpretuar premierë në Leipzig më 23 mars të vitit 1731. Në Prishtinë ka ardhur me rastin e 340-vjetorit të lindjes së Bachut.
Kori e ka hapur rrëfimin nën ritmet harmonike. Tonet e koraleve janë të fuqishme në fillim. Harkorët japin dinamikën e frymorët harmoninë. Tenorin danezo-gjerman Mathias Monrad Møller në rolin e Evangjelistit ndërhyn duke krijuar reagime te Kori që i kundërpërgjigjet ashpër. Koristët i japin ngjyra liturgjike dhe ashtu ngjan vepra. Rrëfimi i saj është i bazuar në Bibël ku flitet për tradhtitë që i bëhen Jezusit dhe që e çojnë deri në kryqëzimin e tij. Janë këngë sakrale. Si Krishti interpreton bas-baritoni Wessel van Der Ham.

Ai e ka vlerësuar veprën si rrëfim madhështor.
“Është rrëfim për kryqëzimin e Krishtit. Është rrëfim madhështor i shkruar me shumë pasion. Ka të bëjë me gjënë kryesore të krishterëve, për vdekjen e Krishtit, për mëkatet tona. Dy veprat e tjera janë të mrekullueshme dhe kjo që e interpretuam është interesante, sepse nuk është përfunduar. Mbase është pak e errët”, ka thënë Van Der Ham.
Ai mori mësime solo-këndimi me Robert van der Vinne dhe në vitin 2020 filloi studimet në Konservatorin e Utrechtit. Në vitin 2021 vazhdoi studimet në Konservatorin e Amsterdamit, i specializuar në Muzikën e Hershme. Në kuadër të këtyre studimeve, ka marrë pjesë në masterklase me muzikantë të njohur ndërkombëtarisht. Wessel angazhohet si solist dhe këngëtar në ansamble për të performuar në salla koncertesh brenda dhe jashtë Holandës.
Kur solistët nisin të interpretojnë, muzika është minimale dhe kryesisht përcillet veç nga tingujt e harpsikordit nga Jörn Boysen që edhe e ka rikonstruktuar veprën. I është dashur të plotësojë zbrazëtira në partitura e madhe një arie edhe ta kompozojë krejtësisht vetë.
“Partiturat e kësaj vepre kanë humbur në Luftën e Dytë Botërore dhe nuk ka pasur kopje të saj, por ka mbijetuar libreti, kështu që atë e dimë. Për ta plotësuar atë është një teknikë për t’iu përshtatur portretit të veprës dhe tekstit, atmosferës së muzikës. Kështu mund ta rikonstruktonim. Ka edhe disa arie, por kjo është gjithçka. Nuk mund të përdorësh tjetër muzikë jashtë asaj që është. Në vitin 2010 jam porositur për të kompozuar pjesët që mungojnë”, ka thënë ai.
Në vitin 2010 ai realizoi një version të ri duke përdorur kore dhe arie duke u frymëzuar nga krijimtaria e Bachur. Ai kompozoi të gjitha recitativat që mungojnë, koret dhe një arie. Ky version është realizuar në Holandë dhe Gjermani në 2011 dhe 2012. Siç ishte shprehur kompozitori e dirigjenti, versioni i pjesëve që mungojnë janë gjuhë e veçantë muzikore moderne, “disi e lidhur me jazzin dhe minimalizmin amerikan”.
Ka dy versione të tij të kësaj vepre. Ai i vitit 2020 përfshin edhe dy arie të tjera.
“Bachu vetë e ka interpretuar këtë vepër të paktën dy herë dhe kështu që është edhe një tjetër libretet ku janë dy poezi për dy arie shtesë, por pasi që është hera e parë që interpretohet kjo vepër, nuk i kemi vendosur. Kështu që herën tjetër mund ta realizojmë të kompletuar, nëse ndodh kjo”, është shprehur Boysen, çembalist, dirigjent dhe kompozitor.
Lindi në Lübeck, Gjermani, në vitin 1976 dhe studioi në “Musikhochschule Lübeck” dhe më pas në Konservatorin Mbretëror në Hagë me Tini Mathot dhe Ton Koopman. Si themelues dhe drejtor i “MusicaPoetica”, si dhe dirigjent e interpretues i ftuar, ai performon rregullisht në Gjermani, Holandë e Francë dhe ka marrë pjesë në festivale si “Göttinger Händel Festspiele” e “Utrecht Festival Oude Muziek”.
Janë edhe dy vepra të këtij lloji të Bachut – “St John Passion” dhe “St Matthew Passion”. Kjo që është interpretuar në Prishtinë konsiderohet si një lloj parodie dhe riciklim i veprave të mëparshme. Përshkruhet si mjedis modest dhe me korale që marrin peshë të madhe.
Jezusi e Evangjelisti nisin dialogun. I pari është i butë, por i vendosur ndërsa i dyti i brishtë, por edhe shpërthyes. Tenori Mathias Monrad Møller, që e ka portretizuar këtë karakter të veprës, ka shpjeguar se ai kryesisht është narrator i historisë.
“Ai rrëfen historinë e pasionit të Krishtit. Është rrëfim dramatik, ka shumë ndjenja. Nganjëherë është duke ndodhur diçka, sikurse kur Peter e tradhton Jezusin kur thotë se nuk e njeh atë. Ka ngjyra shumë të ndryshme dhe unë mundohem të jem sa më ekspresiv me këtë muzikë”, ka thënë ai.
Ai studioi këndimin në “Hochschule für Musik Hanns Eisler Berlin”, në Akademinë Mbretërore Daneze të Muzikës dhe në Akademinë e Operës të Teatrit Mbretëror Danez. Zëri i tij i mundëson të interpretojë në opera, oratore, ato që njihen si “lied” dhe muzikë bashkëkohore. Debutoi në Operën Mbretërore Daneze gjatë sezonit 2018/19 në operën e Verdit – “Il Trovatore”. Së fundi, Møller është përqendruar në integrimin e roleve të tij të dyfishta si kompozitor dhe interpretues, në interpretime premierë të veprave të reja nga vetë ai dhe kompozitorë të tjerë, përfshirë Louise Alenius, Marcela Lucatelli dhe Niels Rønsholdt.

Mexosopranoja Diellza Sylejmani dhe sopranoja Elona Sadiku kanë reflektuar kryesisht në tema harmonike.
Sylejmani e ka konsideruar veprën të veçantë e sfiduese.
“Një vepër me të vërtetë e veçantë. Për mua ka qenë kënaqësi e madhe ta këndoj. Është një ndër veprat më të vështira të muzikës së barokut, gjerësisht të kompozitorit Bach, këtë radhë e përpunuar, e rikonstruktuar prej dirigjentit që ishte sonte. Për mua ishte kënaqësi dhe privilegj të jem në skenë me gjithë këta artistë të mirë që ishin sonte”, ka thënë ajo.
Për sopranon Elona Sadiku, koncerti ka shënuar edhe një moment të rëndësishëm në karrierën e saj.
“Për mua kjo natë ka qenë shumë e veçantë. Njëra ndër to është që unë për herë të parë po interpretoj si soliste me Filharmoninë e Kosovës megjithëse kam kënduar me Korin, por kurrë me Orkestrën. Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme me një publik të jashtëzakonshëm. Çfarë e bën akoma më të veçantë këtë natë është vetë dirigjenti dhe kompozitori që e ka përpunuar këtë vetëm të kompozitorit të madh, Bach. Përveç se na dirigjoi, luajti edhe në instrument. Ishte kënaqësi t’i këndoja ato arie që i ka shkruar dhe kompozuar në një mënyrë shumë të bukur”, është shprehur ajo.
Në pjesën e dytë Evangjelisti ashpërson tonet, ndërsa dialogët që zhvillohen me anë të pikave solistike të anëtarëve të Korit ngjan se i vijnë si zëra të përhumbur. Harris Bajraktari, Arta Jashari dhe jo vetëm, kanë qenë në këto pozicione, sikurse edhe koncert-mjeshtri i Filharmonisë së Kosovës, Visar Kuçi, i cili me violinën e tij, bashkë me Boysen në harpsikord, e kanë shoqëruar sopranon Sadiku duke e krijuar një trio të mahnitshme. Vepra ka qenë premierë në Prishtinë.
Për këtë koncert, Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës i janë bashkuar edhe instrumentistë nga Holanda e Hungaria. Secili interpretues ka sjellë tingullin e pasur të barokut me tis të ndërhyrjeve të ditëve të sotme. Secila notë ka qenë homazh për krijimtarinë e bujshme të kompozitorit legjendar të historisë muzikore botërore. “Një homazh madhështor për trashëgiminë e përjetshme të Bachut”, siç e ka cilësuar Filharmonia.