Atë që bota e shënon si “festë të muzikës” duke çmuar fuqinë e saj, në Kosovë është harmonizuar si kujtim për Lorenc Antonin, të cilit i është ndarë postmortem çmimi për vepër jetësore “Niketë Dardani”, si prijatar i muzikës artistike në vend, dhe jo vetëm. Është festuar trashëgimia e tij, janë shpërblyer vepra të reja që pasurojnë literaturën e muzikës shqipe, dhe është kujtuar një kapitull i historisë muzikore në këto anë me ekspozitën “Tinguj në imazhe”
Lorenc Antoni, njëri prej kompozitorëve më të shquar të historisë muzikore shqiptare, është nderuar postmortem me çmimin kombëtar për vepër jetësore, “Niketë Dardani”. Juria e kryesuar nga kompozitori e dirigjenti Baki Jashari dhe me anëtarë kompozitorët Valton Beqiri dhe Drinor Zymberi ka vlerësuar se për opusin e tij dhe veprimtarinë muzikore, Lorenc Antonit me plot meritë i ndahet ky çmim. Ndarja e çmimeve në objektin e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës është bërë në Ditën Botërore të Muzikës – e cila në zanafillë prej vitit 1982 shënohet si festë – ka frymuar me kujtimin për Antonin, prijatar i muzikës artistike në vend, dhe jo vetëm. Është festuar trashëgimia e tij, janë shpërblyer vepra të reja që pasurojnë literaturën e muzikës shqipe, dhe është kujtuar një kapitull i historisë muzikore në këto anë me ekspozitën “Tinguj në imazhe”.
Derisa e ka lexuar arsyetimin, midis tjerash, Jashari ka thënë se çmimi pas vdekjes për Antonin vjen në shënim të 115-vjetorit të lindjes së tij.
“Duke pasur parasysh opusin e tij krijues, punën si pedagog muzikor, aktivitetin koncertal, kontributin e tij në formimin dhe zhvillimin e institucioneve profesionale muzikore, veprimtarinë publicistike dhe shkencore, konsiderojmë se kompozitorit Lorenc Antoni me meritë i takon çmimi kombëtar për veprimtari jetësore ‘Niketë Dardani’”, ka përcjellë Jashari.
Lorenc Antoni u lind në Shkup në vitin 1909. U shkollua në vendlindje duke vijuar studimet universitare të Fakultetit Filozofik. Meqenëse nuk frekuentoi asnjë shkollë profesionale të muzikës, studioi si autodidakt duke marrë mësime private me pedagog nga Shkupi e Beogradi. Ai njihet si autor i veprës së parë të muzikës artistike të shqiptarëve të Kosovës e titulluar “Në breg të liqenit” kushtuar Nënës Terezë. Kënga u interpretua më 1928 në Shkup.
Jashari derisa ka përcjellë vlerësimin e jurisë ka thënë se Antoni konsiderohet si kompozitori i brezit të parë të krijuesve artistikë muzikorë të Kosovës.
“Ka kompozuar një varg veprash të zhanreve të ndryshme ndër të cilat dallohen ato vokalo-korale. Si muziktar i parë në Kosovë, pa kurrfarë traditash të trashëguara, Lorenc Antoni hapi rrugën e vështirë të artit dhe shkencës muzikore te ne. Andaj edhe konsiderohet si kompozitori i brezit të parë të krijuesve artistikë muzikorë të Kosovës”, ka thënë Jashari në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se institucioni në sezonin e ri do t’i kushtojë vëmendje krijimtarisë së kompozitorit Antoni.
“Ju informojmë që sezoni i ardhshëm i Filharmonisë së Kosovës do të trajtojë me kujdes botimin e veprave të Lorenc Antonit, duke filluar me interpretimin e disa prej veprave të tij në koncertin e parë që do të nisë sezonin 2024/2025”, ka thënë Selimaj i cili çmimin për Lorenc Antonin, ia ka dorëzuar mbesës së kompozitorit, Violeta Lekaj-Mehmetit.
Ministria e Kulturës e ka gjetur laureatin e çmimit kryesor pas dy vjetësh. Vitin e kaluar dhe më 2022 madje nuk kishte as të nominuar. Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Filharmonia e Kosovës, Opera e Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, fakultetet e arteve të universiteteve publike e private dhe asociacionet e krijuesve të muzikës kanë të drejtë për propozime në adresën e Ministrisë.
Në hapësirën ku ushtron veprimtarinë Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës në Prishtinë janë dhënë edhe çmimet në kategori të tjera.
Çmimi për kategorinë e veprave orkestrale-simfonike dhe koncertale i është ndarë kompozitorit Kreshnik Aliçkaj për veprën e tij “Koncert për violinë dhe orkestër”.
Veç dy vepra ishin në garë për këtë çmim. Në arsyetimin e jurisë thuhet se vepra është kompozuar në dy kohë të ndara me temp.
“Koha e parë zhvillohet kryesisht nga akordet e arpenxhuara në harpë dhe linjave melodike të paraqitura në partin e solistit në bashkëveprim me përcjelljen e orkestrës. Koha e dytë zhvillohet përmes lëvizjeve të shpeshta dhe karakterizohet me dialog permanent në mes të partit solistik dhe përcjelljes orkestrale duke e synuar kështu parimin koncertant të veprës”, thuhet në vlerësimin e Jurisë.
Çmimi për vepër kamertale është ndarë midis kompozitorëve Lum Halabaku për veprën “Rush Hour 2” në tri kohë dhe Ersan Januzit për veprën “Shifting Horizonts” për septet.
“Koha e parë shquhet për përdorim të pasazheve të shpeshta në partet e orkestrës të cilat bashkëveprojnë me qëllim të krijimit të një atmosfere e cila është në shërbim të përmbajtjes së veprës”, thuhet midis tjerash në vlerësimin e Jurisë për veprën e Lum Halabakut.
Ndërsa për atë të Ersan Januzit bëhet e ditur se është vepër për septet ku bëjnë pjesë flauti, klarineta, piano dhe kuarteti harkor.
“Vepra bazohet mbi disa figura diatonike të cilat përgjatë zhvillimit të veprës zgjerojnë përdorimin e tingujve deri te tingëllimat miktonale”, thuhet në vlerësim.
Në dysh u nda edhe çmimi për vepër korale. Kompozitorët Mendi Mengjiqi për veprën ‘Mercury” për kor miks dhe Dea Ahma për veprën “Mors” për soprano solo, narrator dhe tri kore antifonare janë fitues të këtij çmimi.
Vepra e Mengjiqit është vazhdë e ciklit të tij me titull “Music in the circle”.
“Vepra është e kompozuar në temp të ngadalshëm në masën tripjesore dhe zhvillohet në formë të kanonit ku zërat fillojnë të interpretojnë një part të papërcaktuar dhe vazhdojnë me radhë në partet tjera duke u harmonizuar me njëri-tjetrin”, ka vlerësuar Juria për veprën e Mengjiqit.
Për veprën e kompozitores Ahma ka vlerësuar se “paraqet një përpjekje serioze të kompozitores drejt realizimit të një vepre korale të përmasave të mëdha, duke shfrytëzuar kështu solistin, tri kore të ndara sipas metodës antifonare dhe narratorin”.
Në kategorinë e veprave solistike dhe duo vepra “Momente” për violinë dhe piano e kompozitorit Ardian Halimi u zgjodh më e mira, midis tri veprave gjithsej.

“Një nga qëllimet kryesore duket të jetë krijimi i disa momenteve në të cilat tingujt e instrumenteve reflektojnë me njëri-tjetrin duke krijuar pasqyrime të ndërsjella dhe po ashtu harmoni që vijnë si rezultat i refleksioneve akustike të tyre”, shkruhet në vlerësimin për veprën “Momente”.
Gjithsej 19 vepra kanë qenë në garë për katër kategori. Asnjë konkurrent nuk ka pasur në kategorinë e veprave vokalo-instrumentale dhe muzikore-skenike.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka munguar në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Ditën Botërore të Muzikës.
Ekspozita “Tinguj në imazhe” në shënim të kësaj dite, ka shpalosur katër dekada të jetës muzikore artistike në Kosovë. Programet muzikore të këtyre viteve si dëshmi të skenës muzikore me emra të shquar e artikuj të shtypit si dokumentim i këtyre ngjarjeve kulturore, i kanë veshur muret e hapësirës së Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës në hapësirën modeste në “Pejton”.

Muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica ka thënë se ajo kthen në periudhat më të rëndësishme të jetës muzikore në vend, nga vitet e ‘60 e deri në fund të 90-ve.
“Kjo ekspozitë nuk është vetëm një koleksion dokumentesh, por është një pasqyrë e sfidave dhe triumfeve që kanë formuar edhe jetën e muzikës profesionale në Kosovë. Në këtë hapësirë të Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, ju do të keni mundësi nga afër të shihni edhe programe nga koncertet e realizuara në atë kohë si dhe opinione dhe shkrime në shtypin ditor të asaj kohe, por edhe dëshmi të drejtpërdrejta nga ata që kanë qenë pjesëmarrës aktivë nëpër aktivitetet që organizoheshin në atë kohë”, ka thënë Kryeziu-Breznica.
Ka vlerësuar se secila prej periudhave që përfshihet në ekspozitë ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në krijimtarinë muzikore dhe aktivitetet e saj në vend.
“Vitet ’60 dhe ’70 janë periudha nismëtare të krijimtarisë profesionale muzikore dhe hapjen e rrugëve në krijimtari. Vitet ’80 mund të evidentojmë diversitet stilistik si dhe vitet ’90 si rezultat i dinamikave të mëdha politike, natyrisht ndikuan dhe frymëzuan drejtpërdrejt veprimtarinë e tyre”, ka thënë ajo më tej, para nisjes së ndarjes së çmimeve.
Në fakt ekspozita në këtë format është vetëm njoftim për nisjen e një procesi në realizimin e ekspozitës së veçantë, e cila do të rikthejë tek opinioni historinë e jetës së muzikës profesionale në Kosovë dhe do të hapet në dhjetor.
Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës ka bërë të ditur se “numri më i madh i dokumentacionit të siguruar deri më sot, i cili do të shërbejë si pikë referimi për katër dekadat e kaluara dhe si frymëzim për realizimin e këtij procesi, i takon arkivit personal të profesorit, kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi”.
“Po ashtu, kontribute të rëndësishme në dhurimin e materialeve kanë dhënë profesor Engjëll Berisha - muzikolog, prof. Zeqirja Ballata - kompozitor, profesor Bahri Çela - dirigjent dhe prof. Fahri Beqiri - kompozitor, së bashku me arkivin shtetëror dhe institucionet publike kulturore”, shkruhet në njoftimin e Shoqatës e cila ka bërë të ditur se me 21 dhjetor këto materiale do të ekspozohen për publikun në një ngjarje të veçantë.
Dita Botërore e Muzikës e ka origjinën në Francë. Në Paris u festua si “ Fête de la Musique” për herë të parë në vitin 1982. Që atëherë kjo ditë është populluar në gjithë globin dhe tash Dita Botërore e Muzikës festohet çdo 21 qershor në më shumë se një mijë qytete në 120 vende. Thelbi i ngjarjes është përfshirja në muzikë.