Kulturë

Festa artistike për lidhjen e qytetit me surrealizmin

Ekspozita “Surreal Solihull” do të prezantojë krijimtarinë e artistes Emmy Bridgwater, e lindur në vitin 1906

Ekspozita “Surreal Solihull” do të prezantojë krijimtarinë e artistes Emmy Bridgwater, e lindur në vitin 1906

Lidhjet e qytetit anglez Solihull me lëvizjen e artit surrealist do të festohen këtë pranverë me një ekspozitë të re në qendër të qytetit. Në qendër të ngjarjes do të jetë veprimtaria e artistes dhe poetes, Emmy Bridgwater

Një ekspozitë në natyrë do të festojë lidhjen e një qyteti me lëvizjen artistike surrealiste. Ekspozita me titull “Surreal Solihull”, do të ekspozojë veprat e Emmy Bridgwater, një artiste dhe poete e lindur në Birmingham në vitin 1906, që ka jetuar në Solihull.

Ekspozita do të mbahet prej 6 marsit deri më 31 maj në qendër të Solihullit dhe do të përfshijë gjithashtu veprat e 30 artistëve lokalë, të cilët janë porositur apo angazhuar për të realizuar vepra të reja surrealiste.

“Emmy Bridgwater ishte pjesë e rëndësishme e lëvizjes surrealiste dhe jam e kënaqur që ajo po rilind dhe puna e saj po gjen një audiencë të re”, ka thënë artistja bashkëkohore me bazë në Birmingham, Helen Grundy, e cila është një nga personat që ka pasur veprat e saj të përzgjedhura për ekspozitë.

Surrealizmi është një stil arti i frymëzuar nga ëndrrat dhe mendimet e fshehura, që zanafillën e kishte në Paris në vitet ‘20. 

Pikturat e Emmy Bridgwater përfshijnë veprën me titull “Night Work is about to Commence” nga viti 1940–1943, e siguruar nga “Birmingham Museums Trust” 

Bridgwater e themeloi dhe punoi me grupin “Birmingham Surrealists” (Surrealistët e Birminghamit) në vitet ‘30 dhe ‘40.

“Vepra ime ‘Bird Land’ është një homazh për punën e saj dhe promovon besimin tim se ajo është inspirim për artistët modernë. Në veprën time ajo është një hibrid – pjesërisht njeri, pjesërisht zog – dhe ajo ngrihet mbi një peizazh surreal të imagjinuar që përfaqëson një version ëndërrimtar të Solihullit”, ka thënë Grundy.

Artistë të tjerë do të bëhen të ditur gjatë këtij muaji, e të cilët me veprat e tyre do të shfaqen për herë të parë në këtë ngjarje.

“’Manifesti Surrealist’ u botua pak më shumë se 100 vjet më parë, në vitin 1924, por arti surrealist vazhdon të ndikojë në artin bashkëkohor, modën dhe dizajnin e brendshëm”, ka thënë Wazma Qais, anëtare e kabinetit për komunitete në Këshillin e Solihullit.

“Ekspozita ‘Surreal Solihull’ do të ndriçojë figurën e vetme surrealiste të Solihullit, Emmy Bridgwater dhe gjithashtu do të ofrojë një hapësirë për artistët bashkëkohorë vendas – ata që tashmë shquhen në këtë fushë dhe ata që janë në zhvillim e sipër – për t’u angazhuar me këtë lëvizje arti emocionuese dhe që provokon mendime”. 

Ekspozita që do të jetë e hapur për të gjithë, u financua nga organizata të tilla si “West Midlands Combined Authority”, Këshilli i qytetit Solihull, Galeria “The Mayor” në Londër, fondacioni që menaxhon pasurinë e Emmy Bridgwater dhe fondacioni për përmirësimin e bizneseve “Solihull BID”.