Kulturë

“FerFilm” shpërblen filmin që trajton pasojat e luftërave në ish-Jugosllavi

Festivali ndërkombëtar i filmit “FerFilm”

Juria në përbërje nga producentja Ganimete Sava dhe fotografi kroat Robert Sironi ka shpallur filmin “Marko” të kroatit Marko Shantiq fitues në kategorinë “Best Short Film”, njëherësh çmimi kryesor i festivalit. Filmi ka dy personazhe. Bëhet fjalë për jetesën e një çifti në pension në Dalmaci. Rrëfehet historia e vrasjes së djalit të tyre në luftën serbo-kroate. Refuzojnë ta lëshojnë për turistë dhomën e të birit

Festivali ndërkombëtar i filmit “FerFilm” për pesë ditë ka sjellë kinematografinë botërore në Ferizaj. Rrëfimet filmike janë shpalosur para publikut në edicionin e sivjetmë, të 12-in me radhë në historikun e këtij festivali. Me gjithsej 143 filma të shkurtër në program të shfaqur në teatrin “Adriana” e në galerinë e qytetit, Festivali është mbyllur të hënën pasdite me shpalljen e fituesve. 

Juria në përbërje nga producentja Ganimete Sava dhe fotografi kroat Robert Sironi ka shpallur filmin “Marko” të kroatit Marko Shantiq si fitues në kategorinë “Best Short Film”, njëherësh çmimi kryesor i Festivalit. Filmi ka dy personazhe. Bëhet fjalë për jetesën e një çifti në pension në Dalmaci. Rrëfehet historia e vrasjes së djalit të tyre në luftën serbo-kroate. Refuzojnë të lëshojnë për turistë dhomën e të birit. 

“I won’t remain alone” i regjisorit iranian Jaser Talebi në “Best Short Documentary”, në “Best Short Experimental” është shpallur fitues filmi “The Unspeaktable” i meksikanes Vita Solis dhe “Looped” i suedezit Thomas Costa Frete në “Best Animation”. Gjithashtu janë ndarë edhe dy çmime të tjera: Çmimi i Medias është ndarë për filmin “Holy Care” i Cristian Patane, ndërsa Përmendje Speciale kanë marrë filmat “The Junction” i Xhelal Halitit dhe “Illusion” i Mustafa Sancës. Të dielën në orarin e mbrëmjes kanë qenë të rezervuar tre filma. Sipas organizatorëve, ka pasur goxha interesim për pjesëmarrje në edicionin e sivjetmë. Në program sivjet janë përfshirë filma nga vende si Meksika, Indonezia, Argjentina, Peruja, Kamboxhia, Irani, Izraeli, Polonia, Irlanda, e të tjera.

“Stand up for myself” me regjisor Peter Chan në shtatë minuta ka sjellë një copëz rrëfimi për shoqërinë në Kamboxhia. Në ndërtimin si kampanjë vetëdijesuese ka sjellë rrëfimin për jetën e vështirë të të rinjve e situatat pa zgjidhje. Për traumat e tyre e stigmatizimin e të trajtuarit shëndetin mendor. 

Skenaristja Rachna Thim ka qenë e pranishme. Pas shfaqjes së filmit, ajo ka thënë se ky është filmi i parë në të cilin ka punuar dhe se tani po punon në trajtimin e një tematike të ngjashme. 
“Është eksperienca e parë në këtë film, gjë për çfarë kisha shumë pasiguri. Është një çështje sociale për shëndetin mental. Më është dashur të këshillohem me ekspertë të shëndetit mendor për këtë çështje. Kjo është mënyra sesi njerëzit nga Kamboxhia duan të tregojnë histori dhe duan që të kuptohen problemet e tyre. Jam duke punuar edhe në një film që u dedikohet personave me nevoja të veçanta”, ka thënë Thim.

Ka treguar se në vendin e saj, në Kamboxhia, njerëzit kanë trauma nga e kaluara dhe se paragjykimet për ata që trajtohen janë pjesë e paevitueshme në shoqëri.

“Njerëzit në shtetin tim kanë ende trauma prej historisë. Janë paragjykimet se nëse shkon tek psikologu njerëzit të thonë se je i çmendur. Kam prezantuar traumat dhe problemet e njerëzve. Kemi dashur ta paraqesin në mënyrë pozitive”, ka thënë ajo më tej. 

“Larisa and Igor” me regji të ruses Ilya Ponomarev ka sjellë një histori dashurie që nis befas gjatë një grabitjeje në një dyqan ushqimesh. Larisa që punon prej 20 vjetësh aty, gjatë turnit të natës ndeshet me një djalë të quajtur Igor. Ajo përpiqet ta ndalojë, por në vapën e ndjekjes ai e ndërron qasjen në raport me të derisa i afrohet. 

“The legend of Nanuk Montain” me regjisor Mohammadreza Moradi nga Irani i zhanrit fantazi e ndërton rrëfimin në një zonë banimi pranë detit. Aty bie një meteorit dhe si pasojë peshqit ndryshojnë gjenetikisht dhe bëhet të helmueshëm. Jepet urdhër për mbylljen e tij nga qeveria. Për shkak të urisë ekstreme, njerëzit detyrohen të kapin fshehurazi peshq nga deti. Të pavetëdijshëm se mund të dëmtohen, pas konsumimit konstrukti i trupit merr formën e peshkut. Një nga personazhet beson në legjendën se mali Hanuk është shërimi. 

“The Nightcall” i Sonu TP nga India ka në qendër Harin, që merr një detyrë të papritur që e bën të ndryshojë perspektivën e tij drejt jetës. Përtej rrëfimit për personazhin e vetëm në film që telefonon personazhet që qëndrojnë në prapaskenë, në 24 minuta shpaloset edhe ai për ngjarjet e zakonshme në vendin e tij. Ngjan në atë që kur konsumohet shpesh nga lajmet, publiku bëhet imun edhe nga ngjarjet më të rënda. 

Filmi “The Nightcall” flet për vdekjet e zakonshme të njerëzve gjatë udhëtimeve. Janë katër pelegrinë të vdekur pasi autobusi me të cilin udhëtonin kishte rënë në lumë. Protagonistit fillimisht i duket thjesht një detyrë përgjegjësia për të njoftuar familjarët e viktimave. Por shpejt tronditet nga përjetimet e tmerrshme të një gruaje për bashkëshortin. Tronditja tjetër është kontrasti në reagimin e një vëllai për vëllanë që synon vetëm kompensimin në para për vdekjen e tij. E fundit është vendimtare për perspektivën e jetës. Kur thirrjes telefonike i përgjigjet një fëmijë që brenda pak ditësh humb të dy prindërit. 

Tematika të tilla, dhe jo vetëm, kanë qenë pjesë e programit të festivalit “FerFilm” të mbajtur në Ferizaj prej 2 deri më 6 maj. 

Një nga themeluesit e Festivalit, Sabri Pajaziti, që e udhëheq këtë ngjarje, ka thënë se sivjet lehtësimi i depërtimit të Festivalit ka qenë përfshirja e ngjarjes në platformat digjitale. 

“Kemi pasur një lehtësim tej mase sivjet pasi filmi është pjesë e platformës FilmFreeWay që e ka lehtësuar aplikimin dhe mundësinë e prurjes së filmave, madje kemi pasur telashe se si të refuzojmë filma. Ka pasur numër enorm të aplikimeve, kanë qenë diku mbi 600 aplikime. Për tre muaj është dashur ta ndërpresim pasi pastaj është telash edhe përzgjedhja, duke pasur ekip të veçantë. Me regjisorin Ben Apolloni brenda dy muajsh i kemi selektuar 143 filma të shkurtër që janë shfaqur kryesisht në teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj dhe në Galerinë e Arteve”, ka thënë Pajaziti.

Ka thënë se  sfidë mbetet mbështetja për festivalin i cili, sipas Pajazitit, gjatë 12 vjetëve ka sjellë rreth 300 mysafirë ndërkombëtarë në Ferizaj.

“Na rikujtohet kur kemi filluar me Festivalin në vitin 2013 kur e kemi themeluar. Natyrisht, ka qenë një festë e jashtëzakonshme për shkak se nuk imagjinohej një festival filmi në Ferizaj. Duke u bazuar edhe në njohuritë, eksperiencën tonë, në atë që kemi punuar paraprakisht, e patëm vendosur ta themelojmë”, ka thënë Pajaziti, derisa ka thënë se Festivali i kontribuon edhe turizmit në këtë qytet. 
“Pos karakterit të kinematografisë e ka edhe karakterin e turizmit, promovimin e trashëgimisë kulturore. Në këtë rast ajo çfarë na ka përcjellë sivjet ka qenë gjendja financiare”, ka thënë ai më tej.
I nisur si festival më 2013, “FerFilm” njëra prej ambicieve që është bërë e ditur kaherë është që të promovojë kulturat dhe vlerat universale botërore përmes filmit.

Festivali ndërkombëtar i filmit “FerFilm” u formua nga një grup artistësh nga Ferizaj dhe më gjerë. Ky moment u konsiderua si një nismë për të promovuar kulturat dhe vlerat universale të botës nëpërmjet filmit si një metodë shumëdimensionale dhe tërheqëse. Duke e menduar potencialin e turizmit në Ferizaj, përveç ngjarjeve kinematografike, Festivali organizon vizita dhe ngjarje të tjera që shpalosin diversitetin kulturor në Kosovë.