Kulturë

“Ferdonije” – thirrje për të zhdukurit, betejë e papërfunduar me Serbinë

Rrëfimi si përmbledhje e ngjarjeve jetësore vjen bardhezi. Arsyeja kuptohet vetvetiu që në skenat e para. Në shtëpinë, muret e së cilës janë të mbushura me fotografitë e më të dashurve të saj, ajo rri vetëm. Mirëpo pritja e saj tashmë prej 22 vjetësh s’i ngjan as një ankese a zhurme. Përkundrazi, në qetësinë vrastare të vetmisë së saj fshihet një forcë e jashtëzakonshme. E tillë që mbi supe mund ta duronte veç një heroinë.

Përderisa skenat e filmit ndërrohen, në secilën prej tyre shikuesi merr një mesazh tjetër. Ai më sublimi është i durimit njerëzor, që shpesh portretizohet nëpër vepra të ndryshme gati si mbinjerëzore.

“Jeta për sefa koka e shkurtë, a për mërzi e gatë”, thotë kryeprotagonistja, Ferdonije Qerkezi. Ajo bashkë me gratë e tjera të shoqatës “Thirrjet e nënave” janë dëshmi e kësaj fraze përmes pritjes dydekadëshe për bijtë e pagjetur.

Janë dy kohë: e tashmja dhe e kaluara. Mirëpo, e dyta triumfon përherë mbi të parën. I ngjan një dueli dhimbjeje që vetvetiu protagonistja nuk tenton t’i ikë. Por, përkundrazi, qëndron ballë për ballë me plagën e saj të pashuar. Shpirtëroren e vë në ballafaqim të dokumentimit, sepse veç kështu beson që historia e burrit dhe e katër djemve të marrë dhunshëm nga forcat serbe s’do të shuhet.

Ferdonija dhe gratë e tjera rrëfimin e kanë armën kryesore. Pavarësisht që pikërisht përmes kësaj mënyre shpesh “plumbi” iu kthehet prapa për shkak të peshës së rëndë emocionale. “Ata e kanë bo historinë, e ju pe rishkruni. Ju pe boni mrekullinë për hatër të shpirtave të tyne”, i thotë njëra nga gratë Qerkezit, e cila është protagonistja e filmit dokumentar “Ferdonija”, nën regji të Gazmend Bajrit e Shkurta Dautit.

Pikërisht filmi, realizimi i të cilit ka zgjatur dy vjet, më 2016 u shfaq për dhjetë orë në ambient të hapur në parkun e vogël të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, rrëfimi i familjes Qerkezi shpaloset edhe përmes shtëpisë-muze, në të cilën koha është ndalur më 27 mars 1999, atëherë kur me dhunë u morën bashkëshorti i Ferdonijes, Halim Qerkezi (i pagjetur) dhe bijtë e tyre Edmondi (i gjetur më 2005), Ardiani (i pagjetur), Armendi (i pagjetur) e Artani (i gjetur më 2005). Nëpërmjet familjes e ngjarjes në Gjakovë portretizohet gjendja e 13.000 të vrarëve të tjerë dhe rreth 1.600 personave të pagjetur, shifër kjo në kohën kur është finalizuar filmi. Me dedikim paqen, filmi bëhet zë për shumë raste të tjera të pashpalosura në sferën publike.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se kjo shfaqje e filmit përveç si një lloj kujtimi, është edhe dëshmi se ballafaqimi me Serbinë nuk ka përfunduar.

“Përmes historisë së Ferdonije Qerkezit duam t’i kujtojmë të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës, por edhe të tregojmë historinë e familjeve që vazhdojnë të presin kthimin e më të afërmve të tyre”, ka thënë Çeku, duke vlerësuar filmin si të arrirë artistikisht e estetikisht, teksa ka shtuar se ai dëshmon edhe fuqinë e kinematografisë. Sipas tij, filmi dokumentar “Ferdonija” pasqyron gjithë historinë e Kosovës të treguar përmes zonjës Ferdonije.

Interesimi i publikut për ta parë filmin ka qenë në nivel. Çdo tridhjetë minuta në fillimin e filmit nga e para ndërroheshin edhe fytyrat të ulura në pjesën e audiencës. Njëra nga ta ishte edhe Iris Gjinovci, e cila e ka vlerësuar si rrëfim të trishtë që e lë njeriun pa fjalë.

“13 jetë të humbura pa i bërë dëm kurrkujt, pa folur asnjë fjalë, u vranë, u morën nga policia, iu mor jeta vetëm pse ishin shqiptarë”, ka thënë ajo për vdekjet, të cilat përmenden në film.

Ndërkaq studenti i Regjisë në Universitetin e Prishtinës, Ermal Duli, ka thënë se ky film është tregues i përditshmërisë dhe luftës së pandalur të Ferdonijes.

“Na vetëdijeson edhe neve që pa ndalur të insistojmë dhe ta ngremë zërin deri në gjetjen e personave të zhdukur”, ka thënë Duli.

Në fund të filmit shpaloset edhe një kujtim që zonja Ferdonije e ka nga burri i saj. “Edhe fjalën tonde ta kom çu në vend, se thojshe Zoti s’të hup kurrë”, thotë ajo teksa komunikon me varrin. “Shpija u bo muze, mysafirë po dalin e po hijnë qashtu qysh keni pasë qef”.

Pavarësisht dhimbjes së madhe që e mban tash e sa vjet, edhe në përmbyllje të filmit ajo dëshmon për stoicizmin e saj. “Sa të ekziston toka e qielli ju keni me rrnu”, thotë ajo.