“Il Fenomeno”, është vetëm njëri prej epiteteve që mban kitaristi i shquar italian Aniello Desiderio. Pikërisht sikur një Orfe kitare – një tjetër cilësim që ka dhënë kritika për të – është rikthyer para publikut në Mitrovicë në një mbrëmje të jashtëzakonshme muzikore. “Muzika është gjithçka për mua”, ka thënë ai pas koncertit dhe një ndjesi të tillë e ka ndarë edhe me publikun
Qysh se doli për herë të parë në skenë këtu e 45 vjet më parë, të menjëhershme e të prera do të ishin epitetet për të. Qe tetë vjeç kur u cilësua “gjeni” e “wunderkind” më pas “Orfeu i kitarës”, pasuan titujt si “kitarist i shekullit” e mbi të gjitha “Il Fenomeno”. Krejt këto kombinohen e thuren sapo kitaristi italian, Aniello Desiderio, nis të interpretojë.
E vogël është dukur salla e Muzeut të Qytetit të Mitrovicës për një kitarist si ky në të dytin koncert të edicionit të pestë të “Mitrovica Guitar Days”. Me lojën e tij, Desiderio të enjten mbrëma e ka shndërruar atë në skenë botërore, aso në të cilat ai ka shkelur kaherë përgjatë karrierës së bujshme. Mitrovica nuk është e panjohur për të. Është rikthyer në këtë festival dhe siç kanë thënë organizatorët, ka qenë publiku ai që e ka kërkuar. Desiderio është edhe mik i “Mitrovica Guitar Days”, por kjo është tjetër histori.
Koncertin e ka nisur “Suitat spanjolle“ të Albeniz, Llobet, Torroba e Ruiz Pipo, një interpretim që ka shërbyer si intro me teknikë flamengo, për të kaluar te “Chacone” të Johann Sebastian Bachut që nis qetas, por krejt vepra është si një lloj stuhie, tipike prej këtij kompozitori baroken.
Një kapitull unik ka qenë “Verismo” e Stephen Goss, kompozitorit e kitaristit uellsian, një vepër e vitit 2020 e bazuar në tema kryeveprash të njohura të Puccinit, Mascagnit, e Rossinit. Atmosferë impozante ka shpërthyer te pjesa bazuar në “Figlian” e “Rigolettos” së Verdit, e kulminacioni arrihet me pjesën e njohur të “Berberit të Seviljës” të Rossinit. Shpërthyes është fundi e Desiderrio është mjeshtër në finalizime të tilla.
“Rito de los Orishas” Leo Brower është një prej atyre veprave që prej kitaristit kërkon krejt ato epitete që i ka Desiderio, dikur nxënës i vetë kompozitorit e kitaristit kuban. Ka qenë një përmbyllje e magjishme e interpretimit të këtij mjeshtri dhe duartrokitjet e publikut kanë qenë të gjata.
Pikërisht te publiku, por edhe te vendi nikoqir i tij, Desiderio ka gjetur veçanti. Thotë se i bën shumë përshtypje se si njerëzit këtu bëjnë sakrifica të ndryshme që ta ndihmojnë kulturën.
“Sepse e para është kënaqësi e madhe kur shoh nëpër në botë veçanërisht në Evropën lindore njerëz si Erhan Mujka nga organizata dhe njerëz të tjerë që punojnë për festivalin, që bëjnë sakrifica që të ndihmojnë kulturën. Kjo është diçka absolutisht e rëndësishme. Unë e jap jetën për muzikën dhe sa herë që shoh njerëz si Erhani dhe ju të gjithë, jam gjithmonë gati të ndihmoj në çfarëdo aspekti që mundem”, ka thënë Desiderio pas koncertit.

Ka treguar edhe për programin e jashtëzakonshëm të cilin e përzgjodhi e i cili ishte dukshëm ndryshe nga ai i vitit të kaluar me të cilin u prezantua për herë të parë në “Mitrovica Guitar Days”.
“Duhej të luaja diçka tjetër në krahasim me vitin e kaluar. E dua muzikën italiane, spanjolle dhe për këtë zgjodha këtë program me disa kompozitorë të ndryshëm dhe pjesën e shkruar nga Stephen Goss e cila është e dedikuar për mua me operën italiane dhe e zgjodha gjithashtu Leo Browerin, sepse është kompozitori më i njohur nga e gjithë bota dhe gjithashtu ishte profesori im, dhe e dini Johann Sebastian Bach nuk është diçka që e zgjedh ju e bëni sepse e ndjeni veçmas me ‘Chaconne’”, ka thënë ai.
Desiderio performon rregullisht si solo-artist në Amerikë Veriore e Jugore, në Evropë, Azi e Afrikë, në sallat më të rëndësishme koncertale. Paraqitjet e tij të fundit përfshijnë shfaqje me “Oregon Symphony”, “Pro Musica Columbus”, Simfoninë e Zagrebit, Orkestrën Simfonike Shtetërore të Stambollit e shumë e shumë të tjera. U diplomua në Konservatorin e Muzikës në Alessandria, Itali në vitin 1992 dhe aktualisht është profesor i kitarës në Universitetin e Muzikës në Domenico Cimarosa të Avellino në Itali.
Ndër të tjera, ai ka kujtuar edhe vitin e kaluar kur kishte mbajtur master-klasa me të rinjtë në Mitrovicë dhe ishte i gëzuar që edhe këtë vit ka rastin t’i takojë talentet.
“E kujtoj vitin e kaluar kam mbajtur master-klasa me të rinjtë dhe ata e kanë një ndjenjë që nuk mundesh ta mësosh. Ti lind me të dhe këtë e zbuloj sa herë që vij në Evropën lindore. Kjo është diçka e bukur dhe shpresoj që këta të rinj të zhvillojnë edhe teknikën që ta vendosin teknikën në shërbim të muzikës. I shihja pas koncertit në sy dhe shihja një lloj fuqie dhe ata vërtetë duan të njohin e të mësojnë. Vërtetë e duan këtë. Të vazhdojnë të bëjnë atë që e besojnë pa asnjë mëdyshje dhe arti dhe muzika të bën gjithsesi njeri më të mirë. Pra nuk është problem a do të bëhet dikush artist i madh botëror, por janë njerëz të mirë”, ka thënë Desiderio.
Muzika është gjithçka për të dhe krejt çka është sot është falë familjes së tij. “Fillova kur isha gjashtë vjeç. Nuk ishte zgjedhje imja, por e prindërve të mi dhe çfarë kam sot dhe çfarë jam sot, mund të them se jam falë muzikës dhe prindërve të mi”, ka thënë ai.
Një natë e magjike, një koncert i jashtëzakonshëm me audiencë në numër të madh, saqë vetë organizatorët nuk gjenin fjalë ta përshkruanin këtë ndjenjë. “Aniello Desiderio është një kitarist fantastik. Nuk di të gjej fjalë më të mirë se kjo. I keni parë edhe emocionet që i dhuroj krejt audiencës dhe sa herë që jam në koncertet e Desiderios, është thjeshtë fantastik”, ka thënë Erhan Mujka, organizator i “Mitrovica Guitar Days”.
E arsyen për rikthimin e Desidieros në skenën e festivalit, e ka thënë shumë qartë.
“E patë çfarë kitaristi është, e patë se çfarë emocionesh dhuroi. Kemi krijuar shoqëri aq të afërt për një periudhë aq të shkurtër prej vitit të kaluar saqë na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë edhe që ta rrisim festivalin, por ka festivale të ndryshme nëpër botë ku Aniello performon rregullisht, është i rregullt çdo vit dhe pse jo edhe në Mitrovicë, sepse edhe Mitrovica përmes ‘Mitrovica Guitar Days’ po bëhet një kryeqendër bajagi e rëndësishme për kitarë”, ka thënë kitaristi Mujka.
Aniello Desiderio, është ylli i radhës së sjell “Mitrovica Guitar Days” që u hap me maestron polak Marcin Dylla. Pos koncerteve, me peshë janë edhe masterklasat.
“Të mërkurën kanë qenë master-klasat me zotëri Marcin Dylla, ka shkuar gjithçka mirë, studentët edhe nxënësit që kanë aplikuar kanë qenë jashtëzakonisht të kënaqur, profesori Marcin përveç që është një kitarist i mirë është edhe një profesor i jashtëzakonshëm”, ka thënë Mujka.
Aniello Desiderio në fund të koncertit u nderua nga organizatorët. U shpall Anëtar nderi “Mitrovica Guitar Days” në shenjë falënderimi për përkrahjen dhe për rritjen e vazhdueshme të festivalit.
“Mitrovica Guitar Days” do të vazhdojë t’i japë tinguj të mrekullueshëm të kitarës qytetit të Mitrovicës me koncertet dhe master-klasat deri të dielën me 24 shtator.