“Artpolis” – Qendra për Art dhe Komunitet ka njoftuar se edicioni i nëntë i festivalit feminist në Kosovë, “FemArt” do të vijë në datat 20-25 shtator, me moton “F...Sexism”.
Në një komunikatë për media nga organizatorët thuhet se ky festival do të bashkojë komunitetet nga mbarë bota në një vend për të krijuar dhe prezantuar artin e tyre.
“Si ekip, kolektiv, njerëz diversë, gra, e në veçanti si pjesë e platformës unifikuese siç është Artpolis, ne jemi të lumtur t’iu njoftojmë se edicioni i ri i Festivalit FemArt po vjen. Festivali FemArt është platformë ku artistët/artistet dhe aktivistët/aktivistet mblidhen për të revolucionarizuar artin ashtu që të transformojmë status quo-në duke shkatërruar normat e strukturat patriarkale. Por, ne gjithashtu transformojmë atë që ka filluar për një të tashme të jetueshme dhe një të ardhme më të mirë”, thuhet në njoftim.
“FemArt” thotë se është i përkushtuar “t’i këpusë zinxhirët” derisa sa status quoja, normat dhe strukturat e dëmshme të zhduken.
Duke kujtuar se viti ka qenë me plot humbje jetësh, humbje ekonomike, trazira shpirtërore e emocionale, “FemArt” ka thënë se COVID-19 ka shfaqur edhe “logjikën dhe mekanizmat e kalbur të sistemeve aktuale shtypëse”.
“Seksizmi, racizmi, queerfobia ndër të tjera shkaktojnë vdekje. Sikur të mos mjaftonte pandemia globale, lajmet për dhunën seksuale, dhunën në familje dhe diskriminimin në vendet e punës, në institucionet arsimore, në rrugë dhe brenda shtëpive na kanë shqetësuar të gjithëve. Këto fenomene na kanë revoltuar dhe në të njëjtën kohë nxitur për të krijuar e vepruar. Seksizmi dhe shtypja kanë qenë këtu për një kohë të gjatë tashmë, dhe padyshim që nuk ka qenë një kohë e këndshme. Ne jemi këtu për të qëndruar, kështu që ‘F... Seksizmit’. Ne besojmë në barazi në mes njerëzve. Ne njohim, pranojmë, çmojmë, festojmë dhe mbështesim dallimet. Ne qëndruam në solidaritet me njëri-tjetrin në edicionin tonë gjatë vitit të kaluar. Ishte kohë reflektimi, mirësie dhe kujdesi më shumë se gjithçka tjetër. Këtë vit fuqia jonë krijuese është thirrur në veprim për të luftuar padrejtësitë në emër të dallimeve gjinore. Artistë/e dhe aktivistë/e nga komunitetet lokale dhe ndërkombëtare do të mblidhen për të provokuar, frymëzuar dhe sfiduar në çdo mënyrë të mundshme realitetet aktuale seksiste. Nga shfaqjet, poezitë dhe vallëzimet, diskutimet dhe konferencat, deri në neja dhe rebelime, ne do të trajtojmë të drejtat e grave si të drejta të njeriut. Ne synojmë të mobilizohemi për t’ia futur seksizmit, si mënyra e vetme për të arritur barazinë politike, ekonomike, kulturore, personale dhe shoqërore”, ka thënë “FemArt”.
Në thirrjen e vet, “FemArti” ka thënë se ka nevojë që të gjitha gratë të heqin qafe patriarkatin.
“Përgatituni të shihni shfaqje, ekspozita, kërcime dhe këngë, panele diskutimi, podkaste përmes të cilave do të dekonstruktojmë seksizmin në të gjitha format e tij dhe do të mendojmë përmes veprimeve dhe mosveprimeve drejt një jete të barabartë për të gjithë, pavarësisht dallimeve tona si njerëz”, thuhet në paralajmërimin e “Artpolisit”.