Nëse do t’i takonte ndonjë rryme filozofike, arti i tij preket prej tisit ekzistencialist. Fatmir Mustafa-Karllo nuk është i drejtpërdrejtë, por veprat e tij nuk treten në abstraksion. Duhet t’u gjendet fara, për ta zbërthyer atë që mbjell ai në esencë. Sfidat e punëtoreve, migrimi, racizmi, kapitalizmi, hapësirat publike, korrupsioni, burokracia e intelektualizuar janë disa nga ato që artisti i prek me “Fara të çuditshme”
“Strange Seed” apo “Farat e çuditshme”, përkthyer në mediume që nuk ngjasojnë në fara, është ekspozita që në Galerinë Kombëtare sjell një kuptim të dytë të kësaj fjale kaq herë të përmendur në të. Periudha dhe situata të ndryshme, histori që kanë lënë gjurmë, e ndryshimet që sjellë koha, të mbështjella me mund dhe punë janë ato që nëpërmjet kësaj ekspozite sjellin dykuptimësinë e fjalës farë, dhe pasqyrojnë thelbin e nisjes së krejt proceseve
Me të hapur dyert e Galerisë, veprat e ekspozuara në hapësira dhe vende të ndryshme të saj e bëjnë publikun të udhëtojë në atë që quhet histori, në mundin e njerëzve të ndryshëm, dhe në mënyrën se si ata kanë zgjedhur të ekzistojnë. Ose më saktë, në shkakun e determinuar që ekzistencën e ka pasojë.
Sfidat e punëtorëve, migrimi, racizmi, kapitalizmi, hapësirat publike, korrupsioni, burokracia e intelektualizuar janë disa nga ato që artisti Fatmir Mustafa-Karllo i prek me anë të materialeve dhe mediumeve të ndryshme. Kjo mënyrë e paraqitjes artistike të tij bën që më tepër se ekspozitë, ajo të jetë dëshmi për periudha dhe situata të ndryshme me anë të të cilave është prekur shoqëria gjatë historisë.
Ekspozita që nuk është plotësuar me ngjyra dhe vizatime, por me fakte, e kuruar nga Thomas Oberender, përmban dhjetëra vepra arti. Shumica prej tyre kanë qenë dikur objekte të përditshme të njeriut, si shishe, letër e shkruar a leckë. Por kur mendohet për rëndësinë e fotografisë si medium tradicional që ndalon kohën, kuptohet motivi i autorit që në muret e Galerisë vuri shumë të tilla. Ato paraqesin veprimet e individëve, e që në shikim të thellë rrisin kuptimin sa i përket lodhjes dhe mundit të njeriut gjatë tendencës për të mbijetuar në një ambient.
Pos në muret e Galerisë, me “Nightmare collection” të vitit 2019 e 2022, art i është dhënë edhe dyshemesë, kur në të është vendosur asfalti dyshtresor i para dhe pas luftës, që në mes materialit të fortë – në stilistikë pasqyron fortësinë e ndonjëherë edhe shtypjen – është vendosur fotografia e artistit që jetoi e veproi mes këtyre dy periudhave. Po në dysheme është edhe qilimi, pagëzuar me “Seen” (2023). Toka është zënë të zbukurohet me shumë veshje të punëtorëve fizikë, të mbledhura në një copë të përbashkët. Përderisa tani janë të specifikuara për grupe punëtore, kohë më parë ishin të të gjithëve, sepse thuajse të gjithë ishin të tillë.
Ecja tutje nëpër Galeri e bën vizitorin të ndeshet edhe me djersën e punëtorëve. “Sweat Tissues” e vitit 2013, ndonëse jo shumë konkrete, është ruajtur nga artisti për t’u ekspozuar e për t’i dhënë vlerë të madhe asaj. Varësisht nga cila anë shikohet, vepra të cilën e veçon autori, bën ndërlidhjet me të tjerat dhe kjo vjen si shkak i materialit transparent. Përderisa të izoluara me xham në qendër qëndrojnë leckat me të cilat punëtorët e Elbasanit kanë fshirë djersët, shikimi nga njëra anë të takon me rrobat e punëtorëve kuruara në qilim, e nga ana tjetër lexohet “It’s difficult, you better stop it”, ose thënë në shqip “Është e vështirë, bën mirë ta ndalosh”.

Për krejt punën që ai ka bërë duke trajtuar mundin e punëtorit, kulm i ka dhënë ekspozitës kur në qoshet e saj i ka vendosur kërkesat e punëtorëve të Elbasanit për të mos punuar më në punëtorinë e çelikut, dhe shkak për këtë bëhej ambienti toksik dhe i dëmshëm për shëndetin e tyre. Vetëm pak më tutje janë vendosur edhe shishet e pijeve të prodhuara në Shqipërinë e asaj kohe, e që janë pirë nga po këta punëtorë duke i shkruar këto kërkesa apo teksa vazhdonin ta bënin punën e tyre të padëshirueshme. Instalacioni i vitit 2014, titullohet “The Moon”.
Kërkesat e shkruara me dorë janë marrë parasysh vetëm nga Karlloja, që i mblodhi e që i vlerëson aq shumë.
Kur në krejt këtë ekspozitë kryefjalë është punëtori dhe mundi, në hapësirat e Galerisë është i vendosur shpesh edhe vetë autori. Pos shqiptarëve punëtorë që ekspozita përmban, një shqiptar me mund dhe vështirësi ishte edhe vetë ai dhe shkak për këtë u bë migrimi i tij në Finlandë.
“Kjo ekspozitë i përshkruan dhjetë vjetët e parë të pasluftës dhe tranzicionin dhe unë jam rritur në këtë tranzicion. Por në të njëjtën kohë, përfshin edhe një dhjetëvjetësh tjetër dhe punët e mia sa kam qenë në Finlandë. Kështu që është një miks i tranzicionit tim personal në raport me dy vende të ndryshme siç është Kosova si vendlindje, dhe pjesa tjetër e imigrimit tim në Finlandë”, ka thënë Fatmir Mustafa-Karllo.
Autori i cili diplomoi në Universitetin e Arteve të Bukura në Helsinki, e që është artisti i shumë veprave të ndryshme, i mblodhi disa nga to që i ka bërë ndër vite në këtë ekspozitë. Të enjten mbrëma shënoi hapjen e ekspozitës të parë personale të tij. Gjithçka që mbledh ajo, e që pos në teknikë edhe në temë është e larmishme, autori beson se ka një nismë dhe në vend prej nga buron.
“Fara e çuditshme (Strange Seed) nxjerr vepra prej dy dekadave dhe grupacionet e punëve prej dy dekadave. Në fakt kuratori ka vendosur që ato t’i grumbullojmë në një koncept të tij që e kam titulluar me ‘Strange Seed’ ose ‘Fara e çuditshme’. Kjo, për shkak se jeta vetvetiu është njëfarë fare e çuditshme. Lindja dhe vdekja është farë e çuditshme. Kështu që ka qenë e pamundur me i ikë një titulli kaq gjithëpërfshirës”, ka thënë Karllo.
“Strange Seed” pos që është ekspozita e parë personale e artistit, e solli edhe kuratorin Thomas Oberender me detyrë artistike në Kosovë. Qëndrimi në Kosovë në bienalen nomade të artit bashkëkohor “Manifesta14” verën e kaluar dhe takimi me Karllon e shtyu atë që punët shumëvjeçare të autorit t’i mbledhë në një ekspozitë për të shtyrë para idetë e tij. Qe pikërisht ajo kohë kur Karllo tok me kolektivin slloven IRWIN, pa shumë bujë e larg qendrës së kryeqytetit, do të aneksonin një copë tokë dhe aty do të ngulisnin flamurin. Hapësira e kufizuar në një prej kodrave të fshatit Butovc të Prishtinës simbolikisht qe shpallur shtet i pavarur, për një tre muaj me “NSK Territory Prishtina”. Tash, Karllo pushton me vepra.
“Ideja kryesore është një rreth. Nis me një dhomë shumë të bardhë, dhe në muret e kësaj hapësire të bardhë janë mbishkrimet e të burgosurve. Në këto dy hapësira të mëdha ju mund të shihni dhe të zbuloni shumë grupe të punës. Është një klasifikim të grupeve dhe përfundon në një dhomë të zezë e cila në një formë e pret në fund këtë udhëtim nëpër këto dy dhoma të bardha. Krejt kjo ekspozitë lidhet me transformimin, me vënien në funksion të trurit për të rifunksionalizuar materialet. Mendoj se abstraksioni është në nivel të lartë këtu, por në të njëjtën kohë është shumë i thjeshtë. Kështu që të gjithë mund ta kuptojnë dhe ta ndiejnë me zemër atë se çka paraqitet këtu”, ka thënë Oberender, që mbi të gjitha është dramaturg.

Ndonëse ka treguar se sheh shumë perspektivë në Kosovë, dhe arti i të gjitha llojeve këtu i pëlqen, sipas dramaturgut ka diçka të veçantë te Karlloja që e ka bërë atë që punën e parë si kurator në Kosovë ta bëjë me këtë artist.
“Ai është i çmendur, por është një artist i rrallë. Është i mbushur me pasion. Mendoj se është shumë inteligjent, është krijues i tolloviv,e por në aspekt pozitiv. Puna e tij nuk lidhet me të bërit diçka në publik, lidhet me të bërët diçka që është e rëndësishme për shoqërinë. Ai është bartës i së vërtetës. Të gjitha punët që bën kanë një fuqi të mbinatyrshme, por në të njëjtën kohë janë tendencioze. Kështu që është i mbushur me empati dhe këtë mund ta vëreni në secilën punë të tijën. Ai është duke i transformuar eksperiencat që janë në një anë të errëta ose jo të lehta për njerëzit, në diçka të bukur. Na jep fuqi dhe dritë në jetë të gjithë neve”, ka thënë kuratori për artistin e ekspozitës.
Në mesin e shumë të pranishmëve që u bënë pjesë e hapjes së kësaj ekspozite, pjesë morën edhe njerëz që me artin merren kaherë. Ndër ta edhe filozofi dhe kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi.
“Ekspozita po duket si Karllo që ka qenë përpara shumë rebel. Edhe këtu ka rebelizëm pak të fshehur. E tregon një histori të veten nga Finlanda kur ka qenë dhjetë vjet a më shumë. Është një ekspozitë e konceptuar mirë, me disa punë që për t’i zbërthyer duhet ta pyesësh autorin ose të mendosh më shumë. Është konceptuale dhe ka përdorur edhe mediat klasike. Ka edhe porosi sociale. E ka edhe dhomën e errët, për të cilën me Fatmirin kam komunikuar para një kohe. Janë edhe shkrimet e të burgosurve në burgun e Prizrenit. Nuk i pashë shumë mirë, por unë e di projektin. Është shumë interesant. Prezantimi ndoshta ka mundur të jetë më i mirë në kuptimin teknik dhe jo në përmbajtje. Është një ekspozitë që përpara vuanim të kishim këso ekspozita, ndërsa tash janë bërë thuajse standarde”, ka thënë Maliqi pasi që vëzhgoi për disa minuta tek e tek veprat e ekspozitës.
Për një kritikë të denjë, Maliqi ka thënë se i duhet kohë, teksa pranoi se ka mbetur i befasuar nga ajo që Karllo ka sjellë me anë të kësaj ekspozite.

“Gjithçka ka vend për përmirësime, por nuk e kam parë me atë sy këtë ekspozitë. Kjo është një ekspozitë që të sfidon. Është të hysh në logjikën e saj dhe në intencat e saj. Nuk është i drejtpërdrejtë. Nuk është një pllakat që të tregon gjërat por janë tema të rënda. Unë kam mbetur i befasuar. I di edhe veprat e mëhershme të Fatmirit, por këtë më duhet ta mendoj ende”, ka thënë Maliqi.
Ekspozita “Strange Seed” do të qëndrojë e hapur deri më 4 qershor në Galerinë Kombëtare të Kosovës.