Si i ri ishte afruar punës së babait të tij, për aq sa kishte lejuar frika e këtij të fundit. Mjeshtëria me elektronikë ka gjithmonë rreziqet e veta. Tek kur kishte mbushur 15 vjet, Arben Beqa ishte konsideruar tashmë i gatshëm për të marrë përsipër punë të ndryshme për rregullimin e radiove, televizorëve apo pajisjeve të tjera. Shpejt relacioni babë-bir do të merrte edhe një tjetër kuptim. Do të bëheshin bashkëpunëtorë. Arben Beqa e kujton me krenari babanë e tij, mjeshtrin e vjetër të televizorëve, Selatin Beqën, tashmë i ndjerë.
Jo vetëm që ndjek rrugën e tij prej zanatliu. Ai ka të njëjtin trajtim për djalin e tij, Arlindin, me të cilin punon bashkë.
Lokali i tri gjeneratave të zanatit, që nga viti 1980, është në zemër të qytetit të Shtimes. Prej aty, Arbeni rrëfen gjithë historinë familjare të lidhur me zejen.
Kalimi në gjenerata
E rrëfimin e tij Arben Beqa e nis me një biografi të shkurtër të babait të tij.
“Ka qenë një zanatli që e ka kryer shkollën elektronike në Kaçanik, se në atë kohë nuk ka pasur shkollë profesionale në Shtime. Pas një kohe, si nxënës, për ta përvetësuar zanatin, ka punuar në një servis të autorizuar në Kosovë. Por pa pagesë ka qenë aty”, thotë Beqa.
Prej vitit 1975 ai qe pavarësuar në dyqan të tij.
“Ka filluar të punojë vetë, pa ndihmën e dikujt tjetër. Në vitin 1980 kemi filluar në këtë lokal ku jemi tash”, thotë Beqa.
Thotë se babai i tij ka qenë aktiv që prej fillimit, ndërsa ka punuar me shumë pajisje elektronike të asaj kohe, duke nisur me televizorë e radio e deri te pajisjet mjekësore.
Interesimi i Arbenit, djalit të madh nga tre sa kishte i ndjeri, ishte evident, dhe ai e kishte nuhatur këtë gjë. Por, dëshironte që gjërat t’ia mësonte gradualisht.
“Në vitin 1992 unë e përfundova shkollën e mesme të elektros në Ferizaj. Që atëherë ne u bëmë ‘ortakë’ në njëfarë mënyre”, thotë Beqa. “U bëmë si konkurrentë të fortë për njëri-tjetrin”, shton më tej teksa qesh me mallëngjim. “Kishim 20 vjet diferencë në moshë. Realisht kemi qenë si shokë, kemi punu shumë bashkë. Deri në korrik të vitit 2018, kur ai ndërroi jetë. Çdo gjë e kishim të përbashkët”, thotë Beqa.
Selatin Beqa vdiq papritur në moshën 64-vjeçare.
“Edhe pse ishte në atë moshë, e ka dashur shumë këtë profesion. Unë kurrë nuk kam mundur t’i dal një hap para. Ka qenë vital dhe shumë shpejt i ka kapur gjërat. Ka punu shumë”, kujton Beqa, që për të marrë një pauzë të shkurtër ngre një gllënjkë nga filxhani i kafesë së tij.
“Pas vdekjes së babait unë e mora krejtësisht në dorë këtë profesion. Punoj me djalin tim, Arlindin, tash 21-vjeçar. Edhe ai e ka kry shkollën për elektrikë, dhe tash punojmë bashkë. Faktikisht atë që e kam kaluar unë me prindin tim, e përcjell të njëjtën me Arlindin”, thotë Beqa.
Mjeshtri i vjetër i televizorëve, Selatin Beqa, tashmë i ndjerë
Të dy në njëfarë mënyre i kanë ndarë profilet e punës.
“Ai thuajse i kryen 50 për qind edhe të punëve të mia, edhe pse i kemi nda në njëfarë mënyre sektorët. Ai i ka ato punët e veta, kryesisht me pajisje të muzikës, me radio e me mikseta, ndërsa unë merrem më shumë me televizorë e pajisje mjekësore”, thotë ai.
Teksa kthehet te kalimi i stafetës së profesionit nga njëra te gjenerata tjetër, Beqa thotë se babai i tij nuk e kishte krejt të lehtë adaptimin me teknikën e re.
“Për të ishte e vështirë, se ai ka punuar me televizorët e vjetër, që e kanë pasur një princip të punës me llamba e me tensione të larta. Realisht kanë qenë jo të përshtatshëm për të punu”, thotë Beqa.
Babai i tij e kishte përcjellë një ndryshim.
“Dikur kanë ndërru, prej televizorëve bardhezi kanë dalë televizorët kolor. Ata e kanë pasë një princip krejt ndryshe të punës. Me këta ai ka punuar një kohë të gjatë”, thotë Beqa.
Kujton se si babai i tij mblidhte literaturë prej vizitave të tij jashtë vendit, apo porosiste prej miqve të tij.
“Kurrë nuk kemi pasur probleme, se gjithmonë kemi pasur literaturë. Atëherë nuk ka pasë internet me shiku e më mësu shumë gjëra, por babai ka marrë katalogë të shumtë që të kanë mësu se si duhet punuar në lloje të ndryshme të televizorëve”, thotë Beqa.
Shumë prej këtyre materialeve tash janë si pjesë e rëndësishme e arkivit familjar. Janë të palosura në një raft sipër punëtorisë së familjes Beqa. Funksioni i tyre tashmë është veç monumental.
Sidoqoftë, ardhja e televizorëve të gjeneratave të reja i kishte sjellë pak kokëçarje mjeshtrit të vjetër.
“Në kohën e televizorëve të hollë ai pati pak telashe e ngecje. Mosha i bëri pak problem, sytë nisën me iu dobësu, e pjesët këtu janë më të vogla. Plus sistemi hardverik e softverik ishin më të komplikuar për të. Kështu që u tërhoq pak nga kjo punë. Atëherë unë mora përsipër gjithçka, por ai më vëzhgonte në gjithçka. E kam pasë si njëfarë sigurie, sikur ke dikë prapa shpinës”, thotë ai.
“Megjithatë, ishte një ndryshim i madh për të, që e përjetoi pak rëndë. Nuk dojke me u pajtu. Thoshte që kualiteti i këtyre televizorëve të ri nuk është si i atyre më të moçëm, meqë prishen shumë më lehtë... Ndonëse nganjëherë nuk mund ta pranonte realitetin, sidoqoftë e shihte se ndryshimi veç ka ardhë”, kujton ai.
Prej satelitëve deri te televizorët LED
Teksa flet për veten, Arben Beqa, tash 47-vjeçar, kthehet në shkollën e mesme. Shumë gjëra që i mësonte atje, ai veç po i praktikonte përkrah babait të tij.
“Çdo herë kam qëndru afër babait, por kur kam qenë më i ri ai nuk më linte afër. Kishte frikë prej rrymës, se ishin aparatet çelë duke punu në tension. Dikur prej moshës 15-vjeçare veç jam afru”, thotë ai.
Prej shkollës vazhdonte në punëtorinë e të atit.
“Edhe profesorët e kanë ditë kush prej nxënësve punon. Unë shumë herë kam marrë aparate dhe instrumente për t’i demonstru atje në shkollë, sepse nuk kemi pasë. Mësojshim për një element diçka në teori, e nuk e dinin nxënësit se si duket ai. Unë e merrja dhe e demonstrojshim në shkollë, në atë kohë”, tregon Beqa.
Fillimet e karrierës së tij prej zanatliut janë pothuajse si të Arlindit, djalit të tij.
“Në atë kohë kam punu me muzikë, me montimin e kasetofonëve në vetura, me altoparlantë, me instalimin e muzikës nëpër lokale të ndryshme”, thotë ai.
Por në fillim të viteve ’90, për të dhe zanatlinj të tjerë të kësaj fushe gjërat do të merrnin kah tjetër.
“Në atë kohë dolën antenat satelitore, dhe ne kemi montu shumë. Prej vitit 1992, kemi nis të montojmë. Ajo punë ka qenë jo e rëndë, por e ka pasë atë filozofinë e vet për t’i montu”, thotë Beqa.
Teksa e kujton atë kohë, Beqa thotë se ajo ishte e jashtëzakonshme.
“Njerëzit u pajisën shumë me ata satelitë, e vinin këtu më kërkonin për të shku për t’ua instalu. Në fillimet e kësaj pune e kam pasë një telashe, se principi i punës ishte modern, diçka i panjohur. Por unë shumë shpejt e kapa dhe më s’jam ndalë asnjëherë”, thotë Beqa.
Ua mban mend edhe çmimin.
“Ishin me një çmim goxha të shtrejtë, sa e mbaj mend ka qenë prej 500 marka gjermane më i liri, e deri në 1 mijë marka më i shtrenjti. Varësisht nga kualiteti dhe performanca”, thotë ai.
Puna e mjeshtërve në këtë kohë vlerësohej shumë, meqë shiheshin si ata që po lehtësojnë hapjen me botën në një kohë të territ informativ.
“Populli i Kosovës ka qenë i vuajtur, edhe natyrisht që kjo ngjallte emocion të veçantë. Realisht më kanë parë si njëfarë ‘shpëtimtari’, që po ua jep një mundësi të re. Kërkesat kanë qenë shumë të mëdha, me i lidh ato pajisje. Më së shumti e kërkonin RTSH-në, ajo ka qenë me rëndësi”, thotë Beqa.
Por paralelisht kësaj, Beqa thotë se ka punuar edhe vetë me televizorë të vjetër.
“Kam punu shumë edhe me televizorët e vjetër, e di shumë mirë punën me ta. Por janë në mungesë tash, njerëzit nuk kërkojnë me i rregullu edhe aq. Janë harxhu e amortizu ata më. Tash kanë hyrë në modë këta që janë më modernë. Edhe ashtu çmimi i tyre ka ra dukshëm, e ka mundësi që ta kenë më shumë familje”, thotë Beqa.
Ndërkohë thotë se aty nga vitet 1994-95 kanë dalë televizorët plazma, më vonë ata LCD, mandej ata LED e së fundi ata Amoled.
“Me këta Amoled nuk na ka ra të punojmë ende. Te ata LED prishen ata led-at e tyre, e nganjëherë edhe dalin prej programit softverik nga jostabiliteti i rrymës”, thotë Beqa.
Ai thotë se nuk ka raste kur një televizor i tillë nuk mund të ndreqet.
“Shumicën e rasteve i rregullojmë, por ka raste që nuk gjenden pjesë ose kur dëmtohen ekranet, e që ne nuk i riparojmë, sepse realisht nuk ia vlen, ngase bëhet shumë shtrenjtë”, thotë ai.
Teksa provon t’ua numërojë anët pozitive e negative televizorëve të rinj në krahasim me ata të vjetrit, Beqa thotë se janë më të mirë për sy, kanë ngjyra më të mira në transmetim e janë më ekonomikë, por janë më të dobët e shumë më shpejt vjen deri te defekti.
Në arkivin e tij thotë se ka një televizor të moçëm, të markës “Hitachi”, i punuar në kornizë druri.
“Është në gjendje shumë të mirë, çfarë ngjyrash të bukura ka. E ruaj”, thotë ai.
Ndonëse ruan shumë nga e kaluara, Beqa thotë se e ardhmja në zanatin e tij është paksa e pasigurt.
“E ardhmja për neve nuk besoj se do të jetë e mirë. Ka ra pak vlera e profesionit tonë, kanë ardhë punët e integruara dhe të limituara në intervenim. Sa do të shkojë nuk e di as vetë. Flas për televizorët, se natyrisht elektronika jep mundësi të shumta”, përfundon ai.

Arben Beqa me të birin e tij Arlindin punojnë bashkë në zanatin e mjeshtrit të pajisjeve elektronike