Kulturë

Familja Ahmeti paralajmëron padi për bibliotekën dhuruar Institutit

Prishtinë, 4 prill - Refuzimi i Institutit Albanologjik të Prishtinës për t’ia kthyer familjes librat, revistat e materialet arkivore të Ali Ahmetit - studiues e mbledhës i folklorit, njëherësh bashkëpunëtor i jashtëm i këtij institucioni - mund të përfundojë deri në gjykatë.

Shqipe Ahmeti-Hoxha, e bija e studiuesit që vdiq më 1990, insiston që ta rimarrë bibliotekën personale të të atit të saj, që i ishte dhuruar IAP-it më 2008, me pretendimin se një pjesë e librave e materialeve mungojnë dhe se pjesa tjetër është keqpërdorur, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gjatë dorëzimit të bërë asokohe, nuk ishte përpiluar ndonjë dokument që fakton pranim-dorëzimin. Në fund të vitit që shkoi, Ahmeti-Hoxha i ishte drejtuar edhe Policisë së Kosovës, ndërsa kërkesa e saj për t’i tërhequr materialet nga IAP-i e parashtruar në fillim të marsit, ka marrë përgjigje negative.

Në njoftimin në lidhje me kërkesën për kthimin e materialit arkivor të Ali Ahmetit janë dhënë detaje të specifikuara për përmbajtjen.

“Nga raporti i hartuar nga Biblioteka dhe Arkivi Shkencor konstatohet se të gjitha materialet e dorëzuara janë të evidencuara në Librin Amë të Bibliotekës dhe në Librin Amë të Arkivit, dhe këtë: libra 494 copë, revista 214 copë, materiale arkivore 45 njësi arkivore”, shkruhet në njoftimin e IAP-it, të hartuar nga Këshilli Drejtues i IAP-it, anëtarë të të cilit, përveç punëtorëve të Institutit, janë edhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë dhe të Qeverisë së Kosovës.

Por Shqipe Ahmeti-Hoxha ka thënë se ky numër nuk është i saktë. Ajo thotë se IAP-it, familja i ka dorëzuar 878 libra nga biblioteka e Ahmetit dhe 250 deri në 300 dorëshkrime.

E siç është shkruar në vendimin e IAP-it, një gjendje faktike është konstatuar edhe nga punonjësit e Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, sipas Procesverbalit nr. 442/16 të datës 30 nëntor 2016. Gazeta e ka parë procesverbalin e Policisë së Kosovës, në të cilin shkruhet se janë kontrolluar biblioteka e arkivi i Insitutit Albanologjik të Prishtinës për verifikimin e librave të Bibliotekës shtëpiake të Ali Ahmetit, që janë dorëzuar nga familja e tij.

Në njoftimin të cilin gazetës ia ka prezantuar sekretari i IAP-it, Sylë Kasumaj, e që mban nënshkrimin e tij, thuhet se në mbledhjen e mbajtur më 16 mars të këtij viti, është shqyrtuar kërkesa për kthimin e të gjitha materialeve të të ndjerit Ali Ahmeti, të cilat janë dorëzuar edhe në Bibliotekën dhe Arkivin e Institutit Albanologjik në vitin 2008.

“Instituti Albanologjik ka mirëkuptim për kërkesën e znj.Hoxha dhe interesimin e saj që materialet e dorëzuara në Institutin Albanologjik, në vitin 2008, t’i kthehen familjes së tij. Mirëpo duke u mbështetur në praktikën 60-vjeçare të punës së Institutit Albanologjik, si dhe në praktikën e punës së Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës dhe të Arkivit të Kosovës, me keqardhje ju njoftojmë se Këshilli Drejtues nuk e miratoi kërkesën tuaj që materialet e dorëzuara në Bibliotekën e Institutit dhe në Arkivin Shkencor të Institutit, t’i kthehen familjes, meqë ato si të tilla janë regjistruar si pjesë e fondit të librave dhe të arkivit të Institutit”, shkruhet në njoftimin që Ahmeti-Hoxhës i sugjerohet se nëse konstaton se vendimi i Këshillit Drejtues është i padrejtë dhe i kundërligjshëm, atëherë mund t’u drejtohet organeve gjyqësore për procedurë të rregullt gjyqësore... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.