Kulturë

Fama midis këngëtarit të komunizmit dhe bendit antimysliman

Kur Republika Çeke e mbajti ceremoninë e vet ekuivalente me të përvitshmet “Grammy Awards”, fituesi i çmimit kryesor për kategorinë e meshkujve ishte tejet i parashikueshëm: këngëtari me zë të butë, Karel Gott, që mori çmimin për të 42-ën herë.

Më shumë sesa cilido prej bashkëkohësve të tij, ky performues 78-vjeçar i njohur si “zëri i artë i Pragës”, që për të parën herë e mori çmimin më 1964, ka mbijetuar epoka të tëra dhe ka tejkaluar politikën.

Sot, Gott gëzon vlerësim nga të gjitha gjeneratat derisa ende shërben si burim i nostalgjisë për ata që kishin jetuar nën komunizëm në Çekosllovaki, vend në të cilin bëri emër, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Është një lloj përshtypjeje se nacionalizmi i përhapur sikurse edhe zhurma drejt së djathtës po gjejnë një zë jo vetëm në politikën e republikës, por edhe në muzikën e saj.

Në të vërtetë, Gott është dashur ta ndajë qendrën e vëmendjes në ceremoninë e 52-të të “Czheck Nightingale Awards” që u mbajt në fund të nëntorit, me një bend që po bën famë gjithnjë e më të madhe, për shkak të teksteve antiemigrante dhe shpeshherë të dhunshme e antimyslimane.

Grupi djathtist i muzikës heavy metal, “Ortel” ka fituar çmimin e dytë në kategorinë e bendit më të mirë, dhe derisa stili i tyre zor se mund të jetë sikurse i Gott, të dy kanë bërë një thirrje të fuqishme për popullatën që po lufton ta definojë dhe të mbrojë identitetin e vet kombëtar. Në zgjedhjet kombëtare të mbajtura në tetor, një parti e ekstremit të djathtë, “Freedom & Direct Demokracy”, mori më shumë se 10 për qind të votave.

“Definitivisht ekziston një konotacion i krizës së identitetit kombëtar”, ka thënë Pavel Turek, gazetar i muzikës që punon në revistën çeke “Respekt”.

“Është tregues i madh që thuajse të gjithë në Republikën Çeke e duan Karel Gottin”, ka thënë ai. “Popullariteti i tij është i jashtëzakonshëm dhe është vërtet interesante që të gjitha gjeneratat e vlerësojnë. Në njëfarë mënyre, përfaqëson jetesën nën komunizëm pa menduar për politikën, derisa ‘Ortel’ është i njohur vetëm për shkak të politikës”, ka thënë ai.

Gott është i pari që e ka pranuar se sado që muzika e tij nuk është politike, pjesë e thirrjeve të tij është lidhja e fuqishme me periudhën komuniste.

“Është një kombinim gjërash, por natyrisht që edhe nostalgji”, ka thënë ai.

Derisa shumica kanë vuajtur nën komunizëm, Gott e kishte përjetuar një ngritje në vitet ‘60, që e dërguan atë prej të qenit inxhinier në një fabrikë, në një ikonë kombëtare të cilit i lejohej të udhëtonte e performonte jashtë vendit... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.