Kulturë

Fahri Beqiri – vizionari që guxoi nëpërmjet artit muzikor

Duke krijuar në një kohë të pakohë, kur mungesa e lirisë sillte kufiza në çdo sferë njerëzore, Fahri Beqiri u kthye në kompozitorin që guxoi nëpërmjet artit muzikor. Prej poemës simfonike “Skënderbeu”, që e krijoi në ditët studentore në Beograd, e gjatë gjithë “oeuvr”-it të tij, melosi popullor i endur sipas një niveli të lartë artistik u bë shquesja kryesore e artistit klasik. “Prandaj, emri i Fahri Beqirit do të mbetet si një gur kilometrik që gjithmonë do t’ua tregojë brezave rrugën e përshkuar drejt qytetërimit”, ka thënë akademiku dhe etnomuzikologu Vasil S. Tole, në tribunën përkujtimore të organizuar të premten me rastin e njëmujorit të vdekjes së kompozitorit të njohur

Dyzet zëra të Korit të Filharmonisë së Kosovës janë bërë bashkë për ta nderuar nëpërmjet këngëve korale njeriun që e kishin thuajse pjesë të pandarë të jetës profesionale. Motivues për secilin, por edhe kritik në kërkim të së përkryerës në artin muzikor, Fahri Beqiri ishte emri i përveçëm që Kosovës e hapësirave të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u plazmoi vlera klasike që koha i zbulon gjithnjë me cilësi të reja.

Kur është bërë fiks një muaj prej ditëvdekjes së tij, të premten pasdite, një tribunë përkujtimore ka qenë nderimi i parë për profilin e kompozitorit, profesorit dhe drejtuesit të festivaleve e institucioneve në Kosovë.

Interpretimi i këngëve “Erdh Misiti” dhe “Shkoj e vij fluturim si zogu”, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, ka hapur siparin e këtij shënimi.

Jashari: “Ngritja profesionale përshkoi ngjarje historike”

Në këtë aktivitet të përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës, Beqiri është evokuar si artisti që kombit i la vepra, institucione e breza të edukuar profesionialisht.

Teksa në sfond projektori shpaloste fotografi bardhezi e aso me ngjyra si një ecejake intriguese mes profesionit e sfidave në jetë, Baki Jashari, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, ka bashkëndarë për të pranishmit vlerësime e episode bashkëpunimi me kompozitorin e ndjerë.

Dhe rrëfimi jetësor i Beqirit, siç ka thënë ai, ishte një ecejake mes ngjarjeve të shumta historike me të cilat u ballafaqua gjatë ngritjes së tij profesionale.
“Kontributi i tij voluminoz përfshin fushën pedagogjike dhe angazhimin për zhvillimin e mirëfilltë të muzikës”, ka thënë Jashari. “Përmes punës së tij të palodhshme, ai themeloi e udhëhoqi asamble e orkestra në mbarë vendin”.

Image
Interpretimi i këngëve “Erdh Misiti” dhe “Shkoj e vij fluturim si zogu”, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, ka hapur siparin e këtij shënimi (Foto: Arben Llapashtica)

Poema e guximit që theu tabu

Edhe kësaj radhe, shtjella e bashkëbisedimit e pati të pashmangshëm referimin në kryeveprën e Beqirit, poema simfonike “Skënderbeu”, e cila theu tabu e barriera me debutimin e saj midis Beogradit.

“E kompozuar më 1969, gjatë kohës së studimeve të tij në Beograd, kjo vepër tregon qartë vizionin e një krijuesi guximplotë për rrethanat e asaj kohe, por edhe për vlerat e pakontestueshme të saj”.

Kryeziu: “Ruajtës i vlerave autoktone të muzikës”

Që në të gjallë, prania e Beqirit hapte shumë tema diskutimi dhe e njëjta vijon edhe sot, edhe tani kur përkujtohet në njëmujorin e vdekjes.

Duke e nisur me këtë vlerësim, muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica, profesoreshë në Fakultetin e Arteve, ka thënë se shoqëria humbi një personalitet i cili kurrë nuk i mungoi skenës.

“I donte njerëzit e tij, i donte komunitetin, rininë, studentët. Nuk jemi të paktë ata të cilët sot jemi në këtë profesion si rezultat që patëm rastin ta takonim e njiheshim me të si fëmijë”, ka thënë Kryeziu.

Duke e ndërthurur vlerësimin e saj edhe me një lexim biografik të jetës së kompozitorit të njohur, ajo ka thënë se shpalosja e aspektit tradicional nuk lejohej në krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë që vepruan në ish-Jugosllavi.

E, megjithatë, sipas saj, “dominimi i vlerave të trashëgimisë sonë shpirtërore e dallojnë Beqirin për fanatizmin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të muzikës sonë autoktone shqiptare dhe ngritjen e saj në nivelin më të lartë artistik”.

“Udhëtime në kohëra”

Në vazhdim, muzikologia e njohur ka shtuar se prania e melosit popullor, i shkrirë në harmoninë klasike, neoklasike e të romantizmit të vonshëm, flat për Beqirin si një kompozitor me stil origjinal krijues, të pavarur e me karakter.

“Me anë të opusit të tij krijues, Beqiri na shpie në udhëtime kohore, stilistike, nga ruajtja e parimeve tradicionale formale e strukturore, me anë të invencës së fuqishme krijuese tek atonaliteti i shekullit 20-të”, ka thënë ndër të tjerash Kryeziu.

Tole: “Muza që filloi nga Prizreni”

Në mungesë të pranisë fizike, një videomesazh ka sjellë vlerësimin e akademikut dhe etnomuzikologut nga Tirana, Vasil S. Tole.

Ai ka thënë se ndarja nga jeta e Beqirit, përveç dhimbjes e trishtimit, solli edhe reagime që pohuan e ripohuan se sa të rëndësishme ishin dhe mbeten për muzikën shqipe krijimtaria dhe personaliteti i tij unik e artistik.

“Duket se fati e zgjodhi atë që prej fillimeve muzikore prej fundit të viteve ‘50 ta bashkonte në Prizrenin historik të Lidhjes Shqiptare me dy mësuesit e tij të mëdhenj, Lorenc Antoni dhe Rexho Mulliqi, aty ku muza krijuese i solli krijimin e parë muzikor koral mbi poezinë e Migjenit tonë”, ka thënë Tole.

Në cilësinë e nënkryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Tiranë, ai ka vlerësuar se kompozitori i njohur lartësoi muzikën dhe këngën shqipe në Mitrovicë, aty ku shoqëria kulturore e krijuar prej tij me emrin “Qëndresa” po shfaqte dukshëm nevojën që kultura muzikore të përhapej në shoqërinë e asaj kohe.

Edhe festivalet që lindën prej nismës së tij, si “Akordet e Kosovës, “Kosovarja këndon” si dhe Ansambli “Shota”, ishin pjesë e një “angazhimi patriotik që fëmijët dhe të rinjtë të formoheshin e edukoheshin me artin e muzikës”.

“Të mos harrojmë se ka pasur një vonesë në kultivimin e muzikës serioze në Kosovë, që kishte si shkak të drejtpërdrejtë robërinë shekullore dhe mungesën e lirisë”.

Etnomuzikologu Tole, tutje, ka theksuar se Beqiri krijoi muzikë në një kohë anormale për Kosovën dhe popullin e saj. Kështu, ai “iu dedikua kompozimit jo vetëm si një akt lirie individuale, në kohën e mungesës së lirisë, por e pa atë si një mjet, mekanizëm gjenuin, që përmes tij të krijonte vepra shpirtërore e njëherazi në nivel evropian e me frymë kombëtare për popullin shqiptar të Kosovës”.

“Përtej gjithçkaje, krijimtaria dhe personaliteti i Beqirit si një ndër më të shquarit kompozitor të muzikës shqiptare në Kosovë na provon se Kosova nuk ka qenë asnjëherë provincë, por ishte dhe është një qendër e denjë evropiane, ku kapacitete krijuese si ai, në fusha të ndryshme të artit, kulturës e shkencës, lanë gjurmët e tyre të pashlyeshme në peizazhin kulturor e artistik të kombit tonë, ndoshta në kohën më të vështirë për të”, ka përfunduar akademik Tole.

Mitrovicasi që ngjalli Skënderbeun më 17 shkurt

Në vazhdim të tribunës, prodekani i Fakulteti të Arteve, Drinor Zimberi, në emër të këtij institucioni universitar, ka ndarë një medalje post-mortem, që i është dorëzuar, Myrvete Haxhibeqirit, bashkëshortes së kompozitorit.

Minutat në vazhdim të ceremonisë janë pasuar me një video të shkëputur me rastin e interpretimit të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, kur u interpretua poema dramatike “Skënderbeu”.

I lindur në vitin 1936 në qytetin e Mitrovicës, si fëmijë do të ishte i shkathët në not. Jetonte në breg Ibrit. Pas përfundimit të shkollës fillore, rrugëtimin e tij profesional e filloi në shkollën e mesme të muzikës në Prizren, për t’i vazhduar studimet në Akademinë e Muzikës në Beograd. Në vitin 1970 diplomoi në drejtimin e kompozimit, me poemën e tij të njohur simfonike “Skënderbeu”. Kjo vepër u shndërrua në debutuese simfonike jo vetëm për krijimtarinë e kompozitorit, por për krijimtarinë e re simfonike kosovare e shqiptare në tërësi. Si përfaqësues i gjeneratës së dytë të kompozitorëve shqiptarë të Kosovës dhe ndër kompozitorët e parë profesionistë në vend, kontributi i tij i menjëhershëm lidhet me punën pedagogjike fillimisht në Shkollën e Lartë Pedagogjike, ku pjesë përbërëse e saj ishte edhe Dega e Muzikës, e më pas me hapjen e Fakultetit të Artit, ku deri në vitin 2011 ishte i angazhuar si profesor. Sipas biografisë së tij, Fahri Beqiri është kompozitor i veprave si “Erdh misiti”, “Kënga e rinisë”, “Madrigali i Ibrit plak”, “Moj e mira”, “Shkoj e vij fluturim si zogu”. Krejt këto janë edhe këngë në repertorin e zhanreve të ndryshme muzikore, duke rritur edhe më tepër popullaritetin e tyre. Veprat e tij si “Kuinteti frymor”, “Sonatë për klarinet” e poema simfonike “Skënderbeu”, u emëruan nga muzikologjia kosovare si vepra me vlerë antologjike. Sipas biografisë, në tërë opusin e tij krijues, fokus kryesor Beqiri kishte transformimin kreativ artistik të idiomës kombëtare. Por, Beqiri nuk ndalej vetëm në krijimtari e edukim. Shquhet për aktivizmin e pashoq në jetën muzikore në Kosovë. Ishte drejtues i institucioneve më të rëndësishme të kulturës në vend, nga Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës te Radio Prishtina e Ansambli i këngëve dhe valleve “Shota”. Ai ishte themelues i festivaleve si “Takimet e talenteve të Kosovës”, “Akordet e Kosovës” dhe “Kosovarja këndon”, kryeredaktor në Radio-Prishtina, dirigjent i Korit dhe Orkestrës Frymore në Mitrovicë.

Image
Në vazhdim të tribunës, prodekani i Fakulteti të Arteve, Drinor Zimberi, në emër të këtij institucioni universitar, ka ndarë një medalje post-mortem, që i është dorëzuar, Myrvete Haxhibeqirit, bashkëshortes së kompozitorit (Foto: Arben Llapashtica)