Kulturë

“Exil” nuk arrin të nominohet për “Oscar”

Filmi shumë i suksesshëm i regjisorit Visar Morina, “Exil”, i cili ishte nominimi i Kosovës për “Oscar” në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”, fatkeqësisht nuk ka arritur të hyjë në garë për këtë çmim prestigjioz.

Në mëngjesit e së mërkurës në uebfaqen zyrtare të Akademisë së Arteve dhe Shkencave u postua lista e ngushtë e nëntë kategorive të ceremonisë Oscar, përfshirë këtu edhe kategorinë të cilën mezi po e prisnim atë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”, ku po shpresonim të listohej edhe Kosova me projektin e jashtëzakonshëm kinematografik, “Exil”.

Megjithëse kjo gjë nuk ndodhi, suksesi i “Exil”-it nuk zbehet aspak. Kujtojmë se filmi i Visar Morinës e ka gëzuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm nëpër festival anembanë globit, me shënimin e premierës botërore në festivalin “Sundance”, dhe atë evropiane në “Berlinale”.

Tutje ai arriti të shpërblehet me disa çmime të rëndësishme kinematografike, por suksesi më i madh i këtij projekti erdhi në gusht të vitit 2020, kur “Exil” e fitoi “Zemrën e Sarajevës”, më të madhin çmim në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Duke qenë bashkëprodhim në mes të tri shteteve, Gjermani, Kosovë dhe Belgjikë, filmi e rrëfen historinë e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili zhytet në krizë identiteti, pasi që ndihet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e tij të punës, ndërsa në rolet kryesore i sjell aktorët: Mishel Matiçeviq, Sandra Hüller, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli dhe të tjerë.

Sa i takon listës së ngushtë të kategorisë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”, në edicionin e 93-të të ceremonisë prestigjioze “Oscar”, në garë për këtë çmim vazhdojnë të jenë filmat: “Quo Vadis, Aida” nga Bosnja dhe Hercegovina, “The Mole Agent” nga Kili, “Charlatan” nga Republika Çeke, “Another Round” nga Danimarka, “Two of Us” nga Franca, “La Llorona” nga Guatemala, “Better Days” nga Hong Kongu, “Sun Children” nga Irani, “Night of the Kings” nga Bregu i Fildisht, “I’m No Longer Here” nga Meksika, “Hope” nga Norvegjia, “Collective” nga Romania, “Dear Comrades” nga Rusia, “A Sun” nga Tajvani dhe “The Man Who Sold His Skin” nga Tunizia.

Nominimet zyrtare për “Oscar” do të bëhen të ditura më 15 mars të këtij viti. Edicioni i 93-të i ngjarjes më të rëndësishme kinematografike në botë, do të mbahet më 25 prill 2021 dhe do të ransmetohet live në kanalin “ABC”, dhe në më shumë se 225 shtete të botës.