Kulturë

“Evolucioni” si kronikë prej UÇK-së deri tek Ushtria e Kosovës

Kush me ndonjë uniformë e kush me rrobat që kishte qëlluar. Radhës së ushtarëve nuk i shihet fundi. Me mosha të ndryshme, në fotografinë e Alban Bujarit vijnë si njerëz që s’e durojnë më represionin serb. Ia kanë mësyrë çlirimit të vendit dhe s’e çajnë kokën për kushtet që i duhen një ushtrie. Fotografia e shkrepur në fshatin Pagarushë të Malishevës në prag të luftës së fundit është tregim më vete. E imazhet që posedon fotoreporteri KOHË-s, Alban Bujari shkojnë përtej një tregimi. Kanë historinë e ditëve më të vështira të Kosovës.

Dokumentuesi i masakrave të shumta në vend, kësaj radhe ka sjellë një tjetër seri. Atë të atyre që kanë kapur armët për t’i dalë zot Kosovës në radhët e UÇK-së. E kronologjia vazhdon me transformimin në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, e më pas shpalljes së Pavarësisë, me Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Janë imazhet që përthekojnë më shumë se çerek shekulli, e të cilat dokumentojnë historinë e Kosovës në dekadat e fundit.

Në ekspozitën “Evolucioni” Alban Bujari kthen kohën prapa.

Janë imazhet që përthekojnë më shumë se çerek shekulli, e të cilat dokumentojnë historinë e Kosovës në dekadat e fundit (Foto: Driton Paçarada)

Në 35 fotografi në ngjarjen e mbajtur të hënën në Prishtinë, rrëfehet mobilizimi për të çliruar vendin, sakrifica e ushtarëve e deri në ditët kur shteti bëhet me ushtri.

Dramaturgu Naser Shatrolli, i cili e ka hapur ekspozitën, ka thënë se Bujari tashmë është emër i njohur.

“Jemi në një kohë ose në një momentum të nostalgjisë së 25 viteve dhe të sotmet që është një verdikt i asaj për të cilën kanë luftuar brezat të tërë të njerëzve të Kosovës”, ka thënë Shatrolli.

Fuqinë e imazheve e guximin për të bredhur nëpër Kosovë gjatë kohës së luftës e ka çmuar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.  Ai rolin e fotoreporterit Bujari e ka barasvlerësuar me atë të një ushtari në kohë lufte.

“Alban Bujari e ka pasur guximin dhe peshën ekuivalente me atë të luftëtarëve të UÇK-së, duke qenë pjesë e luftës dhe duke prezantuar me fotografi luftën tonë çlirimtare pa të cilat legjitimi i kësaj lufte në arenën ndërkombëtare do të ishte i vështirë”, ka thënë Maqedonci. 

Fotoreporteri Alban Bujari, siç bën rëndom ka qenë shumë fjalëshkurtër në hapje. Më pas ka treguar se evoluimi i UÇK-së sa u përket uniformave kishte nisur të marrë hov. Ka përmendur fotografinë ku shihen “Tigrat e zinj” që mbajnë uniforma të zeza dhe vërehet e bëhet fjalë për një grup të mirorganizaur. Bujari ka thënë se në atë kohë as që mund të merrej me mend se mund të ndiqte kronologjinë e shndërrimit të UÇK-së në ushtri të Kosovës. Ekspozitën e ka përshkruar edhe si një mesazh për gjeneratat e reja.

Edhe e mendova që t’ia bëj me dije rinisë që njerëzit kanë kaluar nëpër shumë etapa për të arritur deri në këtë kohë që jemi sot. Që duhet me u sakrifiku dhe që janë sakrifikuar njerëzit”, ka thënë ai. Në ekspozitën e mbështetur nga Komuna e Prishtinës, imazhet e ushtarëve të FSK-së reflektojnë mburrje e edhe përgatitje profesionale. Dallimi me kohën paraprake është shumë i madh. Duket si një rrugëtim që ka shumë dekada në mes. Por bëhet fjalë vetëm për çerek shekulli. Ushtarët e FSK-së vijnë me uniformë të tjetër standardi, artileri të kohës e pamje prej ushtarësh të karrierës. Në këto fotografi lexohet edhe zhvillimi i vendit prej pasluftës e deri tash. Ambicia për të qenë pjesë e NATO-s është edhe fundi i rrëfimit fotografik. Ekspozita është hapur Veteranëve të UÇK-së. Është zgjedhur kjo ditë edhe në shenjë mirënjohje ndaj atyre që kanë marrë armët për të çliruar vendin. Bujari nuk është veç dëshmitar i kohëve të rënda e ditëve të lirisë dhe zhvillimit. Por ngelet prej atyre që bëri luftën e tij me imazhet për gjendjen në Kosovë të cilat janë botuar në mediat më prestigjioze të globit duke treguar për atë që ngjarë në Kosovë. Në cilësinë e kronistit nëpërmjet fotografive, Bujari bashkon epokat që në këto anë përplaseshin e ndërroheshin shpejtë.

“Evolucioni” vjen si mozaik historish në përpjekjet për liri e shtet.