Në dy orë e gjashtë minuta të filmit të gjatë artistik, të gjithë e thërrasin Rexhën, kryepersonazhin e projektit që tashmë është lansuar në Prishtinë, Shkup e Tiranë, dhe jo vetëm. Efektet e migrimit drejt vendeve evropiane flasin me heshtjen e fshatit të ashtuquajtur Sllupkovë. Fshati është braktisur, por jo edhe jeta. Edhe pse tema, të gjithë e kanë pritur se është ikja e të rinjve, është e vërtetë ajo, por nuk e trajton vetëm vuajtjen ose problemet në shoqërinë tonë, sepse me gjithë problemet ne vazhdojmë të jemi të lumtur dhe ta bëjmë jetën. Filmi është fotografi e jetës sonë”, ka thënë regjisori e bashkëskenaristi i “Everybody calls Redjo”, Ibër Deari
Në një fshat fiktiv në Maqedoninë e Veriut me përplot elemente imagjinare, realiteti i vetëm janë problemet që zbërthehen në rrëfimin e filmit “Everybody calls Redjo”. Komedia, drama e romanca shpesh çojnë në rrëfime përplot sfida në fshatin pak të banuar të kryepersonazhit. Ai është simbol i vazhdimësisë dhe përkushtimit në filmin nën regji të Ibër Dearit, i cili skenarin e ka shkruar bashkë me Artin Selmanin.
Në dy orë e gjashtë minuta të filmit të gjatë artistik, të gjithë e thërrasin Rexhën, kryepersonazhin e projektit që tashmë është lansuar në Prishtinë, Shkup e Tiranë, dhe jo vetëm. Filmi po distribuohet edhe nëpër qytete të tjera.
Efektet e migrimit drejt vendeve evropiane flasin me heshtjen e fshatit të ashtuquajtur Sllupkovë. Rexhep Nushi, që luhet nga aktori Afrim Muçaj, mbetet i vetmi person që kujdeset për të gjitha llojet e punëve në fshat. Kjo është rutina e tij në film, por ai shpesh përballet me të papritura që zbulojnë histori të thella, por edhe të thjeshta, ku secili mund ta gjejë veten.
Skena e parë e filmit e shfaq Rexhën duke punuar derisa mbulohet me audion e një materiali televiziv që rrëfen se këto vende po boshatisen. Një sekuencë e shkurtër ka fuqinë të sjellë realitetin e pastër që mat edhe peshën e ndërgjegjes së audiencës. Në njërin prej vendeve të shumta të punës kërkon pronarin e moshuar të shtëpisë që jeton krejtësisht vetëm. E gjen të shtrirë përtokë.
Personazhe të tjera në kastin kryesor janë edhe Adriana Matoshi si Hira, gruaja e Rexhës dhe Ledion Mulaku si Niku, i biri i tyre.
Filmi ndahet në fragmente. “Thirrja e parë” e veçon njërën prej telefonatave që i bëhen për punë. Dhe nuk është punë e zakonshme e as nuk ngjan me punët e ndershme që ai kryen. Kjo konfirmohet kur heziton ta pranojë dhe herë pas here synon ta lërë, por nuk është aq e lehtë. Është e rrezikshme. Si një lloj pune e inskenuar si “dërgesë e djathit” në lokacione të caktuara.
Filmi shpesh e lë rrëfimin në gjysmë e ngjarjet që ndodhin nuk rrëfehen deri në fund dhe kjo e bën më të dëshirueshëm atë për t’u eksploruar më tej.
Regjisori e bashkëskenaristi i “Everybody calls Redjo”, Ibër Deari, ka thënë se struktura e filmit është ndërtuar në atë mënyrë që ta mbajë shikuesin të lidhur me rrëfimin deri në fund.
“Neve na ka pëlqyer stili i filmit, shikojmë filma shumë. Edhe këtë film, që është storie tipike shqiptare, jemi munduar ta stilizojmë të duket pak më interesante. Edhe pse tema, të gjithë e kanë pritur se është ikja e të rinjve, është e vërtetë ajo, por nuk e trajton vetëm vuajtjen ose problemet në shoqërinë tonë sepse me gjithë problemet ne vazhdojmë të jemi të lumtur dhe të bëjmë jetën. Filmi është fotografi e jetës sonë”, ka thënë Deari, i cili me këtë film debuton në metrazh të gjatë pas filmave të shkurtër “My City Screams” (2015), “Toka” (2016), “A long way Home” (2017).
Ai ka bërë të ditur se shumë prej elementeve në film janë shpikur.
“Fshati dhe shumë elemente në film janë fiktive, të imagjinuara, nuk janë të vërteta. Fshati është i krijuar prej fshatit Sllupqan dhe komuna e Lekovës, është kombinuar dhe është krijuar emri Sllupkovë, pastaj është djathi i Sllupkovës, mjalti, sandviçi i Rexhës, shumë elemente që nuk ekzistojnë. Ekzistojnë vetëm problemet, pjesët e tjera janë të krijuara”, ka thënë ai.
Ditët e Rexhës zbardhin me oferta pune. Thirrjet ia prishin gjumin e kur ato përkthehen në punë, vijojnë derisa bie muzgu. Janë punë nga më të ndryshmet. Madje i duhet edhe të hapë varr për personin të cilin është kujdesur gjithë jetën e tij.
Aktori Afrim Muçaj që e sjell rolin, ka thënë se roli i Rexhës ka qenë prej roleve më të vështira që ka realizuar.
“Kam pasur disa punë shumë të mira në karrierën time, por mendoj që është një prej sfidave më të mëdha që kam pasur deri më sot. Por me ndihmën e skriptës si fillim e mandej trajtimit të regjisorit dhe gjithë kolegëve që kam pasur, e kanë bërë shumë më të lehtë realizimin e këtij roli sesa që do ta kisha”, është shprehur ai në konferencën për media pas shfaqjes ekskluzive të filmit vetëm për media. “Kohavisioni” ka qenë i vetmi televizion prezent.
Kur Niku vendos të shkojë në punë bashkë me të, zbulohen edhe rregullat e punës që e kanë shoqëruar ndër vite Rexhën dhe ato vijojnë të transmetohen si vlera parimore edhe në rrëfimin e filmit. Të kryhet puna me buzëqeshje, se çfarë shihet në punë, mbetet në punë, të ketë vetëm energji të mirë dhe të mos jenë asnjëherë të uritur, përmenden si rregulla.
Aktori Afrim Muçaj ka thënë se roli i tij takohet lehtë në jetën reale, por ka specifika në film, siç ka thënë, janë grimasat dhe masa e emocioneve.
“Mendoj se roli dhe filmi në përgjithësi kanë pasur një vijë shumë të hollë të kalojnë në patetizëm nga drama apo nga humoreska, nga komedia. Kështu që aq me finesë kemi punuar për ta sjellë një nivel shumë të lartë që të jetë tamam komedi dhe të mos stisë të tjera gjëra. Mendoj se roli është qëndisur me shumë mund si prej meje edhe Ibrit pa dyshim, e kanë sjellë duke e ndërtuar Rexhën në atë formë artistike, ia ka dhënë njëfarë boshllëku komplet filmit për ta nxjerrë në nivel shumë artistik”, ka thënë aktori Muçaj duke bërë të ditur se si rol u ka marrë goxha kohë.
“Është rol i ndritshëm por për ta realizuar siç duhet, na ka marrë kohë ndoshta dy vjet për muhabete, shpjegime, trajtim të skriptës. Edhe pasi e kemi xhiruar pastaj ka pasur shumë punë, në postproduksion. Ka qenë sfidë e madhe dhe sot jemi të liruar emocionalisht që kemi arritur ta sjellim para publikut një punë që vërtetë ka pasur sakrificë të jashtëzakonshme. Besoj se ia kemi arritur ta sjellim në kualitet të lartë që njerëzit të kënaqen kur ta shohin”, ka thënë Muçaj.
Gjatë rrugëtimit të tij, përballet edhe me tradicionalitetin autentik të familjeve shqiptare. Dy të tilla janë bërë bashkë për të zgjidhur problemin e ndarjes së një çifti. “Thirrja e gabuar” është kapitulli i filmit ku Rexha përballet me këto telashe. Vajza e asaj familjeje, e cila ka gjetur një tjetër partner në Gjermani, hyn fshehurazi në veturën e tij dhe gjatë rrugës i kërkon ta lërë në lokacionin ku i kërkon.
Regjisori Deari ka thënë se përgatitjet për film u kanë marrë shumë kohë.
“Xhirimet kanë zgjatur deri në 23 ditë, përgatitja na ka marrë shumë kohë për shkak se pandemia na ka humbur kohë dy vjet dhe pjesa e postproduksionit dy vjet të tjerë”, ka bërë të ditur ai të enjten në konferencë.
Bashkëskenaristi Artin Selmani ka thënë se situata me migrimin në film përshtat kryekëput me gjendjen reale të fshatrave të Maqedonisë së Veriut.
“Mendoj se edhe ju disa e ndieni zbrazëtinë që ndodh tek ne në Maqedoni. Për shembull një fshat që ka qenë më i banuari në Ballkan, tash ka dy-tre nxënës të rinj që janë regjistruar në shkollë. Ne kemi mbijetuar edhe luftëra dhe trazira, por kjo çfarë ndodh tani është një tragjedi e madhe për popullin tonë pasi që ikim jo vetëm për rroga, por edhe për komplet sistemin e rrënuar ku nuk di se kujt t’ia vesh fajin. E kemi humbur ekuilibrin e një shoqërie për të jetuar një jetë normale”, ka thënë ai.
Dialekte të ndryshme fliten nga aktorët në film. Kjo pasi ata vijnë nga treva të ndryshme shqiptare.
“Dialektet ndryshojnë, fillimisht teksti është shkruar në gjuhën letrare dhe më pas, në prova është vendosur që aktorët të flasin dialektin e tyre. Për të qenë sa më i natyrshëm”, ka thënë Selmani.
Në film luajnë edhe: Bereda Reshit si Xhaneri, Mirsad Abazi si Destani, Adrian Aziri si Seferi, Sara Bajrami si Aida, Bujar Ahmeti si Xhevdeti, Labinot Raci si Lisi, Daniela Markaj si Zana, Blerim Ismani si Rama, Nehat Memeti si Nehati, Muzafer Etemi si Ademi, Blerim Dardhishta si Blero e të tjerë. Producent i filmit është Sasho Pavlovski.
Ajo që titullohet si “Thirrja e gabuar” është dëshmia se si edhe një jetë modeste sjell telashe, e shpesh problemet janë të pashmangshme. Se ato janë universale dhe zgjerohen thellë, kudo që njeriu është. Punët i ngatërrohen shpesh dhe e çojnë atë në probleme familjare e në shërbimet që kryen.
Madje edhe keqtrajtohet. E kjo është përmbledhur në “Thirrjen e fundit” si pjesë e fundit e filmit. Pasi njëra prej punëve të tij e çon në probleme të vazhdueshme me Hirën (Adriana Matoshi), përfundimisht niset për tek shefi i tij për t’i dhënë fund kësaj pune të dyshimtë. Por pa rezultat, pasi mbetet peng i punës që nuk e do. Jo rastësisht, pas një loje ku basti është trualli, shefi Miftari (që luhet nga Adem Karaga) vritet.
Kësisoj familja triumfon në fund dhe dëshira e kahershme e të voglit të familjes, Nikut, plotësohet.
Për aktorin e ri Ledion Mulaku, që e luan rolin, skena ku ai shfaqet si aktor nuk është e re, por e ka veçuar rolin në këtë film.
“Në film ka qenë pak sfiduese për nga ana profesionale, sepse këtu ka qenë ekipi profesional dhe serioz. Ajo që më ka ndihmuar ka qenë regjisori, Afrimi dhe skenaristi, po ashtu edhe Adriana. Më kanë ndihmuar me afërsinë dhe dashurinë e tyre. Origjinaliteti në film vjen vetëm si rrjedhojë e tyre”, ka thënë Ledion Mulaku.
E ka vlerësuar përvojë të vyeshme për karrierën e tij bashkëpunimin me ekipin e filmit.
“Më ndihmon shumë, sepse baza është shumë e fortë. Kur është themeli i fortë, shtëpia nuk rrëzohet”, është shprehur ai shkurt.
E vetë roli ka thënë se është përshtatur goxha mirë me kuriozitetin e tij në jetën reale.
“Sepse edhe në jetën reale jam ai fëmija kureshtar që do të dijë diçka. Po të rrish me Ledionin dhe me Nikun dhjetë minuta, do t’ju lodhin me pyetje”, është shprehur ai.
Një rrugëtim në paqe për në det është skena që e përmbyll rrëfimin plot dinamika të filmit “Everybody calls Redjo”.