Kulturë

“Eurodram” – shans për depërtimin e autorëve shqiptarë jashtë kufijve

Rrjeti evropian “Eurodram” ka për qëllim që t’ua bëjë të ditur profesionistëve të teatrit dhe publikut më të gjerë punën e dramaturgëve, që në masë të madhe mbetet e pabotuar, duke i kushtuar vëmendje posaçërisht diversitetit gjuhësor. Komiteti shqiptar i këtij rrjeti ka lansuar thirrjen për drama në gjuhën shqipe për vitin 2022, e cila konsiderohet si mundësi që rrit shumë gjasat që tekstet e autorëve shqiptarë të dalin edhe jashtë kufijve ku flitet shqipja

Dramaturgët shqiptarë e kanë një mundësi për të tërhequr vëmendjen e regjisorëve, teatrove e botuesve të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë. Komiteti shqiptar i rrjetit evropian “Eurodram” ka lansuar thirrjen për drama në gjuhën shqipe për vitin 2022. Data e fundit për aplikim është 15 janari.

Objektiva kryesore e këtij rrjeti është që t’ua bëjë të ditur profesionistëve të teatrit dhe publikut më të gjerë punën e dramaturgëve, që në masë të madhe mbetet e pabotuar, duke i kushtuar vëmendje posaçërisht diversitetit gjuhësor. Komiteti shqiptar i “Eurodramit” koordinohet nga qendra “Multimedia” në Prishtinë.

“Për këtë edicion Komiteti do të përzgjedhë drama nga autorët shqiptarë, të shkruara në këta tre vjetët e fundit. Dramat, jo domosdoshmërisht duhet të kenë qenë të inskenuara apo të botuara më përpara. Përjashtohen dramat të cilat kanë qenë pjesë e thirrjeve të mëparshme të ‘Eurodramit’”, shkruhet në thirrjen e Komitetit shqiptar të “Eurodram”, rrjet evropian i përkthimit teatror, i cili përdor gjuhët evropiane, mesdhetare dhe ato të Azisë Qendrore.

Propozimet duhet të përfshijnë dramën e plotë, një përmbledhje të shkurtër të dramës (sinopsisin), një biografi të shkurt të dramaturgut/es, një faqe faktesh (data dhe vendi i shkrimit, numri i karaktereve, referencat për ndonjë shpërblim dhe produksionet eventuale të mëparshme), si dhe informata shtesë që mund të jenë të rëndësishme. Në këtë thirrje është theksuar se do të bëhet përzgjedhja e tri dramave më të mira, por kjo nuk nënkupton pagesë.

Për dramaturgun Jeton Neziraj, anëtar i Komitetit shqiptar në “Eurodram”, ky rrjet ndërkombëtar i dramës është një platformë e shkëlqyeshme e promovimit të autorëve dhe dramave që shkruhen në shumicën e gjuhëve evropiane.

“Shqipja është e përfaqësuar shumë mirë dhe Komiteti gjuhësor i shqipes ka vite që është aktiv dhe duke bërë një punë të shkëlqyeshme. Dhjetëra drama shqipe janë lexuar, promovuar e disa edhe janë përkthyer në gjuhë të tjera”, ka thënë ai duke theksuar se janë në pritje që autorët t’i përgjigjen kësaj thirrjeje.

Përzgjedhja e dramës nga ana e Komitetit është ftesë për regjisorët, teatrot dhe botuesit e ndryshëm lokalë e ndërkombëtarë për ta vënë në skenë apo botuar dramën.

Vitin e kaluar tri drama shqipe ishin përzgjedhur në mesin e gjashtëdhjetë sosh për t’u bërë pjesë e repertorit të teksteve dramaturgjike në shumë gjuhë. Kështu, “Veriu” nga Agush Mulliqi, “Paladuku” nga Albana Muja dhe “Aliu në makth” nga Erjus Mezini, ishin tri dramat shqipe që kishin hyrë në rrethin prej 60 dramave që u përkthyen në gjuhët e këtij rrjeti.

Lirak Çelaj, anëtar i Komitetit shqiptar në “Eurodram”, në një prononcim për KOHËN, kishte treguar se thirrjes së fundit i ishin përgjigjur 11 autorë dhe 15 tekste nga të gjitha trevat shqiptare. Sipas tij, “Eurodram” është një rrjet që u jep autorëve mundësinë t’i kenë të përkthyera tekstet e tyre në shumë gjuhë të Evropës.

“Konsideroj që është një ndër platformat më interesante sa i përket komunikimit të teksteve skenike me kombet e tjera. Prandaj u bëj thirrje të gjithë atyre që shkruajnë drama të aplikojnë në këtë konkurs, sepse është një rrugë që rrit shumë gjasat që tekstet e tyre të dalin edhe jashtë kufijve ku flitet shqipja”, kishte shtuar Çelaj.

Përveç Neziraj dhe Çelaj, pjesë e Komitetit shqiptar në “Eurodram” janë edhe shkrimtari dhe botuesi Arian Leka, përkthyesit Anne-Marie Bucquet, Zuzana Finger, Sébastien Gricourt, Dorota Horodyska, Evelyne Noygues, Eleana Ziakou dhe Simon Pitaqaj.

Dramat mund të dorëzohen nga autorët, botuesit, agjentët e të tjerë në e-mailin: [email protected].

“Eurodram” është rrjet evropian për dramën e përkthyer, i përbërë nga 300 anëtarë të organizuar në rreth 30 komitete. Siç thuhet në përshkrimin në faqen zyrtare, “synimi i tij kryesor është të promovojë dramën e re të përkthyer nga Evropa, Azia Qendrore dhe Mesdheu, duke e bërë të qasshme për profesionistët e teatrit dhe audiencat në rajon, në një shpirt të pavarësisë, barazisë dhe larushisë gjuhësore”.

Ky rrjet është themeluar më 2001 nga “Maison d’Europe et d’Orient” (Shtëpia e Evropës dhe Orientit), nën drejtimin e Céline Barcq dhe Dominique Dolmieu, fillimisht për përkthime nga gjuhët lindore evropiane në frëngjisht. Por prej vitit 2011 ai është zgjeruar edhe në Evropën Perëndimore, në Azinë Qendrore dhe në Mesdhe.