Kulturë

“Ethnically Plugged” kthehet për rijetësim të melodive shqipe

“Ethnically Plugged” e kishin quajtur projektin e tyre para 18 vjetëve disa artistë që ishin bashkuar për të bërë atë që dinë më së miri: muzikë. Që në fillim, kumti ishte i qartë se burim do të kishin meloditë e vjetra shqipe.

Për detyrë kishin marrë që atyre t’u jepnin një ngjyrim krejtësisht tjetër. Muzika e tyre ishte e bazuar në përpunimin e muzikës tradicionale shqipe me instrumente të ndryshme dhe me anim nga jazz/fusion. Me të parën kishin goditur. Luan Macula e Ilir Tolaj në kitarë, Edon Ramadani në piano dhe Teoman Ukça në bateri kishin marrë vëmendjen e publikut dhe kësisoj, “Ethnically Plugged” u bë një ndër koncertet televizive me të shikuara. E gjithë kjo magji muzikore ishte bartur edhe në CD. Me dhjetëra të tilla ishin shitur më pas bashkë me të përditshmen “Koha Ditore”. Kështu, anëtarët e grupit “Ethnically Plugged”, duke dashur ta nderojnë trashëgiminë e suksesin e kaluar, i kanë hyrë punës për të sjellë sërish një koncert.

Koncerti do të mbahet të hënën e 12 dhjetorit në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë prej orës 20:30 dhe i njëjti më pas do të transmetohet në programin festiv. Koncerti do të jetë pa bileta.

“’Ethnically Plugged’ filloi si projekt në vitin 2004 si dëshirë për t’i ripërtërirë meloditë e bukura shqipe, duke i shkrirë në disa zhanre të ndryshme. Projektin e filluam bashkë me shumë muzikantë të mrekullueshëm, si Luan Macula, Edon Ramadani, Xhemil Gjini e Agron Penin. Menjëherë pas daljes së projektit të parë që pati bërë bujë të madhe, përfaqësuam Kosovën në Bienalen e Napolit”, kishte thënë kitaristi Ilir Tolaj kur u rikthye ideja për rikthimin e koncertit.

Dardan Selimaj, producent ekzekutiv në Kohavision, ka thënë se beson që koncerti do të jetë një përmbyllje e një cikli tejet të rëndësishëm për zhvillimet në skenën muzikore të Kosovës së pasluftës.

“Janë bërë 18 vjet qëkur ‘Ethnically Plugged’ qe realizuar si projekt. Ilir Tolaj bashkë me kolegët e tij muzikantë janë ideatorë të projektit që përveç si koncert televiziv, qe realizuar edhe si CD e që në atë kohë qe shitur me të përditshmen ‘Koha Ditore’”, ka thënë Selimaj.

Ndryshe, “Ethnically Plugged”, i formuar në vitin 2004, është një grup i përbërë nga disa prej muzikantëve shumë të njohur të Kosovës. Të gjithë anëtarët e grupit kanë përvojë mbi 20-vjeçare me grupe të ndryshme kosovare si “TNT”, “Marigona” e bende të tjera. Ata publikuan audio CD dhe DVD në vitin 2005. Deri më tani, kanë pasur shumë performanca të suksesshme nëpër Kosovë.