Kulturë

“Espace France” zhyt Prizrenin në kulturën franceze

“Hapësira Franceze” e vendosur në hyrje të Fakultetit Ekonomik të universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren vjen si një kënd i veçantë komunikimi për t’i njohur studentët, profesorët dhe të tjerët me kulturën dhe arsimin në Francë. Në Prizren ky kënd ka një temë të veçantë, që vë në pah jetën parisiene përmes stacionit emblematik të metrosë “Métro Quatre- Septembre”

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren prej ditës së enjtes është pasuruar me “Hapësirën Franceze”. Ky kënd i njohur në gjuhën frënge si “Espace France”, sipas zyrtarëve të Ambasadës së Francës në Kosovë është thjesht një zhytje në kulturën e këtij shteti. Sikurse në qytetet e tjera të Kosovës, edhe në Prizren, “Hapësira Franceze” vjen me një temë të veçantë, me ç’rast vë në pah jetën parisiene përmes stacionit emblematik të metrosë “Métro Quatre- Septembre”, që është dhe titulli i një kënge franceze.

Olivier Guerot, ambasador i Francës në Kosovë, ka sqaruar se kjo iniciativë është jetësuar në kuadër të forcimit të bashkëpunimit midis universitetit “Ukshin Hoti” dhe Ambasadës së Francës. Ai ka vlerësuar se hapja e kësaj hapësire është një kontribut shtesë për shumëgjuhësinë në këtë qytet dhe në universitetin e tij. Sipas tij, qëllimi është të përkrahen njerëzit që ta njohin Francën, por edhe dobitë e sistemit arsimor të shtetit trekolor.

“Përpos që është një vend i bukur, do të jetë një vend i gjallë për takime dhe ngjarje, për studentët, për profesorët, për të gjithë të interesuarit jo vetëm për gjuhën tonë, por edhe për kulturën tonë, me shpresën që edhe të studiojnë në shtetin tonë”, ka thënë ambasadori Guerot.

Samedin Krrabaj, rektor i universitetit “Ukshin Hoti”, ka shprehur bindjen se kjo hapësirë do të jetë vend ku studentët, profesorët dhe të tjerët do të njihen drejtpërdrejt me kulturën franceze, si dhe me historinë e Francës.

i bindur se ky kënd do të shërbejë si nxitje për studentët tanë që të rrisin interesimin e tyre për të studiuar në gjuhën frënge dhe rritja e interesimit për të studiuar në gjuhën frënge me siguri do të rezultojë edhe me format e tjera të bashkëpunimit dhe të njohjes reciproke”, ka thënë Krrabaj.

Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit, ka thënë se inaugurimi i “Hapësirës Franceze” është edhe një dëshmi e zemërgjerësisë së qytetit të vjetër, që shquhet për shumëgjuhësinë dhe tolerancën.

si qytet multietnik, si qytet multireligjioz, multigjuhësor, qytet simbol i tolerancës, i bashkëpunimit, natyrisht se sa më shumë të ketë këso ambientesh sidomos një kënd francez e tregon zemërgjerësinë e vet, por e tregon njëkohësisht edhe mundësinë në të ardhmen që krijohet në këtë rast për studentët që të njihen më tepër me kulturën franceze, të njihen më tepër me historinë franceze, dhe të rrisin interesimin në të ardhmen për një bashkëpunim më të gjerë edhe për një shkollim të mëtutjeshëm të gjeneratave të reja në universitetet franceze”, ka thënë Totaj.

“Espace France”, sipas njoftimit të Ambasadës, është një vend komunikimi, me qëllimin që të ndihmojë studentët ta njohin Francën dhe përfitimet e shumta të sistemit shkollor atje, teksa shërben si vend për takime dhe tubime të pasura me diversitet. Aty studentët, profesorët dhe të tjerët mund të marrin këshilla, por edhe të njihen me modele të tjera kulturore, arsimore dhe profesionale. Ky kënd gjithashtu shërben si një qendër burimore me një bibliotekë librash në frëngjisht, dokumente, si dhe këshilla që jepen nga përfaqësues të Departamentit për bashkëpunim dhe veprim kulturor nga Ambasada e Francës dhe Aleanca Franceze e Prishtinës.

Në Kosovë tani ekzistojnë tri hapësira franceze. Pos Prizrenit, espace france “Le Bistrot Montmartre” është e vendosur në Universitetin AAB të Prishtinës, derisa espace france “Le Vieux Lyon” në Institutin Kosovar të Trajnimit në Prishtinë.