Në një përcaktim gjeografik, “Radio Tillti” do të ishte një pub skutash në “Arbëri” por për Driton Selmanin ka pak rëndësi se ku ekspozon. Hapësirës ia japin peshën veprat e koncepti i tyre. Aty ku rëndom shkon për të dëgjuar muzikë prej pllakave të gramafonit, ai nuk rikthehet si myshteri i përditshëm, por si autor i ekspozitës. E, “Is red hot flag” (“Është flamur i kuq i nxehtë”) është një lloj hulumtimi për muzikën, frymëzohet pikërisht prej pllakave të gramafonit e veprat e tij janë çështje interpretimi, ani pse me mesazhe të qarta
Hapësirat kult në Prishtinë janë zbehur dita-ditës. S’është se ka ndonjë “pub” që i ka klientët besnikë, sadopak qofshin ata. Nuk është fort e frekuentuar e as hapësira nuk është e madhe, por ata që shkojnë në “Radio Tillt” e kanë një synim parësor: muzikën. Në një ambient relativisht të vogël, muzika në gramafon është ajo që shoqëron të pranishmit. Hyn te ajo kategoria “listening pub”. Pllakat janë të numërta e shpalimi i tyre çon anekënd botës nëpërmjet albumeve të ndryshme. Është njëfarë historie globale që vjen në “Arbëri” të Prishtinës në një “pub” me pak metra katrorë e që s’ka më shumë se 20 karrige, aso të banakut.
“Radio Tillt” jo rrallë shkon edhe përtej muzikës, duke hapur ekspozita me nga katër a pesë vepra të artistëve të ndryshëm prej emrave të rinj deri te ata që kanë bërë nam edhe në skenën ndërkombëtare.
Driton Selmani është i shpeshtë në këtë ambient. E njeh mirë dhe e ka studiuar konceptin e “pubit”. Është prej atyre që ulet, merr një pije dhe dëgjon muzikë. Si artist bashkëkohor, lidhjen me gramafonin nuk e ka pasur të zbehtë. Por tash e ka forcuar edhe më. Të enjten i është kthyer “Radio Tilltit” me një intervenim të tijin. Thëniet e tij të shkruara në materiale tekstili tashmë janë të njohura. I ka shëtitur brenda e jashtë vendit. Hyn te artistët që tejet rrallë u shihet emri te listat e përfituesve të buxhetit publik. E ka njëfarë rehatie ekonomike dhe ia grah në të veten. Është prej atyre që në këtë aspekt gëzon pavarësi të madhe.
Pasioni i Selmanit kur flet për veprat e tij është i dikujt që ka besim në art e sidomos në artin që e aplikon.
“Good music I dance, no good music I no dance”, shkruhet në njërën prej tapicerive që ka formatin e një ekrani të telefonit të mençur e ku ora shënon 23:59. Edhe ambienti është i tillë, aso bari ku shkohet në mbrëmje e qëndrohet deri kur të dëgjohet muzika, zakonisht “soul” e “jazz” pa përjashtuar zhanre të tjera. Selmani në këtë tapiceri e ka përdorur një anglishte të thyer ose ajo që njihet si “Globish English”.
“Muzika e mirë, vallëzoj, muzika jo e mirë, nuk vallëzoj”, është një mendim që mund ta ketë dikush një minutë para mesnatës.
“Audienca këtu është tejet e veçantë. E kam lidhur krejtësisht hulumtimin me muzikën. Në këtë vend njerëzit lidhen me muzikën. Edhe tek unë ka ndikuar shumë. Unë edhe më herët kam blerë pllaka. Por këtë vit kam marrë një gramafon të ri e po ashtu edhe pllaka”, thotë Selmani, derisa flet për ekspozitën e tij, “Is red hot flag” (“Është flamur i kuq i nxehtë”. Lidhjen me këtë hapësirë ai tashmë e ka të natyrshme.
“Në Prishtinë mungojnë shumë këto hapësira. Unë vij këtu hulumtoj e dëgjoj muzikë”, thotë Selmani. Ekspozita është kuruar nga britaniku Alex Koenig. Thyerjen e anglishtes e ka bërë qëllimshëm për ta ruajtur fjalorin e një hapësirë që e konsideron kult, por goxha të fshehtë.
Si kronologji e dikujt që ulet në një “pub” të tillë dhe e zënë orët e mëngjesit aty, vjen thënia tjetër. “Let your thoughts dance (All night long)”. Në këtë ekran telefoni, ora është 03:30. Në këtë periudhë dikujt mund t’i vallëzojnë mendtë pasi duhet të jetë i lodhur fizikisht. E në ambiente të tilla shkojnë ata që i zë thuajse mëngjesi dhe këshillohen: “Lëri mendimet të vallëzojnë (Gjatë gjithë natës)”. Selmani sikur ka për qëllim edhe ta përforcojë këtë hapësirë. E përmend shpesh si diçka të veçantë në qytet.
E në rastin tjetër ka luajtur me një aso që përshkruhet si “fore” me gjuhë të huaja.
“Sun chin ma” shkruhet me të zezë mbi të kuqe pak para se të hyhet në tualet.
“Mandej është një ‘fore’ me kinezët se si u thonë pleqve. E kam lidhur edhe atë që është afër tualetit. Kam punuar prapë me një rrobaqepës. Unë gjatë gjithë kohës punoj me materiale të reciklueshme. Jam kthyer te i njëjti që e ka bërë ekspozitën e parë”, ka thënë Selmani.
Vjet në janar, po nëpërmjet tri bezeve në ekspozitën e titulluar “How To Tilt Time?” (Si të anoni kohën?) shfaqi mesazhe të cilat ndërthurnin një lloj refleksiviteti të artistit karshi rrjetëzimeve shoqërore të ndryshme, duke filluar nga sfera sociale e politike e deri te muzika. Edhe asokohe në bashkëpunim me një rrobaqepës lokal, qëndisi në tre “flamuj” parulla me mesazhe të fuqishme artistike, të cilat lënë hapësirë për interpretime nga këndi personal i gjithsecilit. Njëri mbante mesazhin “Friday is like a tattoo, it only hurts tmrrw” (E premtja është si një tatuazh, dhemb të nesërmen”, tjetri, “Kill em all” (Vritni të gjithë). Tek e para, ai intervenoi duke bërë një djegie në të, ndërkaq tek i dyti, ai ngulit një shtizë te shkronjat “LL” dhe rivendos dy “SS”, të cilat automatikisht ndryshojnë mesazhin në beze në “Kiss em all” (Puthni të gjithë). Kopertinat e pllakave muzikore ishin midis frymëzimeve të tij edhe asokohe. E mjeshtërinë e një rrobaqepësi lokal e ka në qejf.
“Shumicën e buxhetit të një ekspozite e dërgoj te një familje”, ka thënë ai të enjten, duke i dhënë artit edhe dimension tjetër. Ngacmimet e tij me intervenime të tilla vijnë edhe si provokime në një ambient që s’pret shumë mysafirë. Kësaj radhe, Selmani i ka në fokus ata që ia mësyjnë një “pubi”.