Kulturë

Erzen Shkololli, kurator i edicionit të pestë të “Autostrada Biennales”

Erzen Shkololli është përzgjedhur kurator i edicionit të pestë të “Autostrada Biennale”, që do të mbahet prej 5 korrikut deri më 5 tetor të vitit 2025. Lajmin për këtë e kanë bërë të ditur organizatorët e “Autostradës...” nëpërmjet komunikatës për media, të mërkurën.

“E mirëpresim emërimin e Erzen Shkolollit kurator të edicionit të 5-të të Autostrada Biennale. Ekspertiza e gjerë e Shkolollit dhe bashkëpunimi i tij me institucione vendore e ndërkombëtare dhe artistë të shumtë nga rajoni dhe bota i përshtatet në mënyrë të përkryer karakterit të Bienales. Erzeni bëhet kuratori i parë kosovar i bienales dhe bashkëpunimi ynë me të synon të përmbushë njërin prej qëllimeve tona për shndërrimin e artit në një forcë, që sjell ndryshime pozitive dhe mirëqenie”, citohet të kenë thënë në një deklaratë të përbashkët Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, treshja themeluese e “Autostrada...” themeluar më 2014 me misionin për të përdorur artin bashkëkohor si një mjet për të fuqizuar komunitetin dhe për të nxitur kreativitetin me vizionin e një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”. Edicionin e parë e solli më 2017.

Në njoftimin për kuratorin jepet edhe biografia e tij. Erzen Shkololli (1976) është artist dhe kurator. Aktualisht, ai është kurator i përgjithshëm i galerisë “Cukarna” në Lubjanë. Shkololli ka udhëhequr suksesshëm disa institucione të artit, përfshirë Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë (2018–2022) dhe Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës (2011– 2015). Nën udhëheqjen e tij, të dy institucionet kanë kaluar nëpër transformime të rëndësishme. Krahas roleve të tij në institucione, Shkololli ka shërbyer si komisioner i Pavijonit inaugurues të Kosovës në Bienalen e Venecias (2013) dhe ka kuruar ekspozita ndërkombëtare, duke përfshirë “Edi Hila – Piktori i Transformimit: (2018), bashkëpunimi ndërmjet Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, Muzeut të Artit Modern në Varshavë dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë; “Ne jetojmë mbi një yll” (2016), edicioni i dytë i Trienales Hannah Ryggen, i ekspozuar në Ørland dhe Nordenfjeldske Kunstindustrimuseum, Trondheim; “Bota nuk do të dëgjojë (2007) në Punëtorinë e Artit Lazareti, Dubrovnik; “Historia filloi të luante me jetën time (2007) në Digital Art Lab (DAL), Holon, Izrael; dhe “Rishfaqja” (2004) në Muzeun e Kosovës, Prishtinë. Shkololli shërbeu si këshilltar kuratorial i “Documenta 14. Ai u nderua me bursën DAAD Artists-in-Berlin (2008/2009) dhe Premio Michetti nga Fondazione Michetti (2001). Në vitin 2013 bashkëthemeloi Institutin e Artit Bashkëkohor EXIT në Pejë. Veprat artistike të Shkolollit janë ekspozuar në Stedelijk Museum në Amsterdam, Centre Pompidou në Paris, Tate Modern në Londër dhe MUMOK në Vjenë.

“Jam i nderuar me këtë emërim prestigjioz. Si kosovari i parë i ftuar për të kuruar Autostrada Biennalen në Prizren, ndjej një respekt të thellë dhe i gëzohem mundësisë së bashkëpunimit me një nga platformat më të rëndësishme të artit bashkëkohor në Kosovë dhe në rajon. Për mua, kjo është një sfidë dhe një përgjegjësi e madhe, të cilën po e pranoj me entuziazëm dhe ambicie. Mezi pres të bashkëpunoj ngushtë me ekipin e jashtëzakonshëm të biennales, për të sjellë artistë në Kosovë dhe për t'i zbatuar projektet e tyre. Shpreh mirënjohjen time të përzemërt për themeluesit e bienales Leutrim Fishekqiun, Vatra Abrashin dhe Barış Karamuçon, për këtë mundësi të veçantë”, citohet të ketë thënë Shkololli.

Kuratorët e mëparshëm të “Autostrada Biennales” kanë qenë Manray Hsu më 2017, Giacinto Di Pietrantonio më 2019 dhe dyshja Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu më 2021 dhe në edicionin e sivjetmë.