Ka kohë që është në majat e botës së muzikës klasike dhe impresionon me zërin e saj, por jo vetëm. Për rolet e saj më 2022, International Classical Music Awards ia ka dhënë çmimin “Artistja e vitit”. “Me bukurinë unike të zërit të saj të lavdishëm, të udhëhequr në mënyrë të sigurt, shkëlqyes e vezullues, Ermonela Jaho magjeps me estetikën e saj të pastër vokale. Por, kjo është vetëm njëra anë e artit të madh të këngëtares...”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. ICMA i ka dhënë çmim edhe kompanisë “Naxos”, pjesë e së cilës është edhe albumi “La Femme” i mexosopranos nga Kosova, Flaka Goranci
Sukseset e sopranos shqiptare Ermonale Jaho nuk kanë të ndalur. Për performancat e saj nëpër skena të njohura ajo magjeps botën. Të mërkurën ka marrë çmimin “Artistja e vitit” në International Classical Music Awards, që konsiderohet njëri prej çmimeve më prestigjioze të muzikës klasike. Me një juri prej katërmbëdhjetë kritikësh të muzikës klasike nga shtete të ndryshme të botës, çmimet ndahen në gjashtëmbëdhjetë kategori, si dhe tetë çmime speciale.
Ermonela Jaho ka kohë që është në majat e muzikës klasike. Vetëm gjatë vitit 2022 ka interpretuar në shtëpi të njohura operistike që nga “Opéra national de Paris”, “Gran Teatre del Liceu” e “Il Trittico” në Barcelonë e deri te “The Metropolitan Opera” në New York. Performancave të shkëlqyeshme e interpretimit të saj plot emocion e profesionalizëm u janë kushtuar recensione të gjata në disa nga gazetat më të njohura botërore përfshirë edhe ato si: “New York Times”, “OperaWire”, “ResMusica” e të tjera.
Tërë angazhimi që Jaho pati gjatë vitit 2022 u vlerësua nga ICMA.
“Ndihem shumë e nderuar që jam vlerësuar me çmimin: ‘Artisti i Vitit’ në ‘International Classical Music Awards 2023’”, ka shkruar Jaho të mërkurën, në profilin e saj në Facebook, të cilit ia ka bashkangjitur edhe arsyetimin e jurisë.
“Me bukurinë unike të zërit të saj të lavdishëm, të udhëhequr në mënyrë të sigurt, shkëlqyes e vezullues, Ermonela Jaho magjeps me estetikën e saj të pastër vokale. Por kjo është vetëm njëra anë e artit të madh të këngëtares, tjetra është prania e saj teatrale elektrizuese. Pak këngëtarë e arrijnë një shkallë të tillë të lartë të identifikimit me rolet e tyre, një vërtetësi kaq e plotë dhe emocion thellësisht prekës. Pasi del në skenë, Ermonela Jaho hedh si një mantel personalitetin e saj dhe mishëron plotësisht personazhin që duhet ta interpretojë”, ka shkruar juria e ICMA-s.
Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike (ICMA) datojnë që nga 6 prilli i vitit 2011, kur u ndanë për herë të parë. ICMA zëvendëson Çmimet Klasike të Cannes (që më vonë janë quajtur MIDEM Classical Awards) të dhëna më parë në MIDEM. Juria e saj përbëhet nga kritikë muzikorë mediave të ndryshme si: “Andante” (Turqi), “Crescendo” (Belgjikë), “Das Orchester” (Gjermani), “Deutsche Welle” (Gjermani), “Imz” (Austri), “Jeta Muzikore” (Rusi), “Mdr Klassik” (Gjermani), “Musica” (Itali & Tebeli), “Opera” (Britani e Madhe), “Papageno” (Hungari), “Pizzicato” (Luksemburg), “Polskie Radio Chopin” (Poloni ), “Radio 100.7” (Luksemburg), “Radio Romania Muzical” (Rumani), “Resmusica” (Francë) dhe “Radio Chopin – Unison”, (Kroaci).
Për çdo vit kjo juri ndan çmime për gjashtëmbëdhjetë kategori si: “Audio: Muzikë e hershme - Muzikë e çdo zhanri e kompozuar para vitit 1600”, “Audio: Muzikë baroke, instrumentale - Muzikë e kompozuar midis viteve 1600 – 1750”, “Audio: Muzikë barok, vokale - Çdo muzikë vokale e kompozuar midis viteve 1600-1750”, Audio: Muzikë vokale - Lieder, melodi, këngë, skena operistike, arie dhe vepra më të mëdha vokale që nuk janë veçanërisht muzikë korale (përveç muzikës së hershme, barok dhe muzikës bashkëkohore)” e të tjera. Por, e veçanta e kësaj qëndron te ndarja e çmimeve në kategori të veçanta, me njërin prej të cilëve u shpërblye edhe Jaho e ku gjithsej përfshihen tetë kategori si: Çmimi për vepër jetësore, Artisti i vitit, Artisti i ri i vitit, Zbulimi i vitit, Çmimi i kompozitorit, Labeli i vitit, Incizimi i vitit dhe Çmimi special.
Çmimin për vepër jetësore iu nda violonçelistit lituanez David Geringas, ndërsa çmimin “Labeli i vitit” iu nda kompanisë “Naxos”, pjesë e së cilës është edhe albumi “La Femme” i mexosopranos nga Kosova me vendbanim në Austri, Flaka Goranci. Të qenit pjesë e kësaj shtëpie të njohur diskografike ishte cilësuar një arritje e madhe për Gorancin dhe albumin e saj “La Femme - Udhëtim nëpër krijimet e grave”.
“Që nga viti 1987, ‘Naxos’ ka qenë një nga kompanitë diskografike më energjike dhe më novatore të botës së muzikës klasike botërore. Me incizime, ‘Naxos’ ka ushtruar ndikim të madh në promovimin e artit të muzikës klasike dhe zakonit për të mbledhur disqe te masa dhe pjesët e largëta të botës. Sot ‘Naxos’ ia detyron reputacionin e tij pasurisë së katalogut të tij të pamasë, në të cilin përfshihen një sërë incizimesh të disa prej emrave më të rëndësishëm në industrinë e muzikës klasike, bibliotekës së tij të madhe ‘Audio Naxos’ dhe rrjetit të shpërndarjes”, ka vlerësuar juria e ICMA-s.
Çmime të tjera përfshijnë: “Artisi i ri i vitit”, të cilin e mori violinisti Sao Soulez-Lariviere përderisa kolegu i tij katërmbëdhjetëvjeçar Leonhard Baumgartner rrëmbeu çmimin “Zbulimi i vitit”. Çmimin për kompozitorin e mori zvicerani David Philip Hefti, “Çmimin special” pianisti Alessandro Marangoni e të tjerë.