Kulturë

Ermonela Jaho “Mund ta këndojë muzikën tënde”

Sopranoja shqiptare, e cila ka fituar audiencat në dy anët e Atlantikut, ra në dashuri me “La Traviatan” që në moshën 14-vjeçare

Nedda, personazhi kryesor grua te “Pagliacci” i Leoncavallos, duhet të vdesë në vend që ta përmbushë dashurinë e vërtetë. Sopranoja Ermonela Jaho, e cila po përgatitej të debutonte në rolin e saj të ri në Royal Opera House në Londër, ka zbuluar se personazhi është më kompleks sesa mendonte në fillim, para se t’i duhej ta anulojë paraqitjen në minutën e fundit për shkaqe shëndetësore.

“Ajo është e fortë mjaftueshëm për të luftuar vdekjen për lirinë e saj”, ka thënë Jaho, gjatë një bisede telefonike. “Ajo kurrë nuk e humb dritën përbrenda”.

Sopranoja shqiptare (48) ka fituar audiencat në dy anët e Atlantikut me thellësinë dhe autenticitetin e interpretimit së saj, veçanërisht në realizimin e stilit operistik “verismo”, kryesisht me veprat e Verdit dhe Puccinit. Portretizimi në karakterin e Violettës në “La Traviata” është roli që i dha vulën që e solli atë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, pasi paraprakisht kishte marrë vëmendje në Royal Opera House në vitin 2008. (Ajo do të kthehet me veprën e Verdit në Metropolitan Opera në janar). Skena e Londrës solli gjithashtu debutimin e saj si Suor Angelica në “Il Trittico” të Puccinit, rol të cilin ajo do ta interpretojë në Gran Teatre del Liceu në Barcelonë në dhjetor të këtij viti.

Image
Jaho, e rritur në Shqipëri, është trajnuar në akademitë italiane. Këtu ajo interpreton rolin e Suor Angelica në "Il Trittico" të Puccinit (Foto: Bill Cooper)

Jaho u zgjodh për të marrë pjesë në dokumentarin “Fuoco Sacro”, që transmetohet në televizionin francezo-gjerman “Arte”. Prillin e ardhshëm, ajo do të kthehet në Royal Opera për të interpretuar rolin Liù në “Turandot” të Puccinit, të cilin e ka regjistruar me studion muzikore “Warner Classics”, nën drejtimin e Antonio Pappano.

Në Operën Mbretërore nga e marta deri më 20 korrik, në rolin e Neddas ka luajtur sopranoja Aleksandra Kurzaksi te “Pagliacci” i Damiano Michielettos dhe në “Cavalleria Rusticana” të Mascagnit, që u shfaq për herë të parë në vitin 2015.

Drejtori muzikor në Operën Mbretërore, Pappano, ka theksuar një kombinim fitues mes empatisë dhe forcës në interpretimet e Jahos.

“Ajo është e ndjeshme ndaj çdo kthese të çdo fraze dhe çdo situate në të cilin gjendet personazhi – edhe në situata zemërthyese”, ka thënë ai nëpërmjet një interviste telefonike. “Por ajo ka gjithashtu këtë vendosmëri të çeliktë, të cilën duhet ta ketë në rolin në ‘Suor Angelica’ dhe, në veçanti, në rolin te ‘Madame Butterfly’”.

“Ajo është e aftë”, ka thënë ai, “me zërin e saj dhe me aktrimin e saj - i cili është kaq i detajuar dhe me kaq shumë nuanca sa të bën të qash. Ajo është shumë bujare kur është në rol. Ajo nuk kursen asgjë”.

Në "Pagliacci", roli i sopranos kërkon fleksibilitet dhe gamë të jashtëzakonshme. Historia fokusohet në një trupë teatri në Kalabrinë e kohës së shekullit XIX. Vepra krijon një lloj lidhjeje metadramatike kur bashkëshorti i Neddës, Canio, hakmerret për pabesinë e saj si në komedinë skenike, por edhe me një fshatar.

“Kjo është vërtet ‘verismo’ thelbësore”, ka thënë dirigjenti. “Ndonjëherë pjesa thuajse flitet dhe më pas bëhet prekëse dhe dramatike”.

Zonja Jaho sheh një sfidë në përcjelljen e kompleksitetit të personazhit të saj brenda dramës me dy akte.

“Duhet të luash të gjithë këto letra, të gjitha këto emocione dhe të jesh e lexueshme nga publiku në pak kohë”, ka thënë ajo.

Sopranoja ka filluar të asimilohet nga kultura italiane qëkur ishte 17 vjeç, kur ishte zgjedhur nga sopranoja Katia Ricciarelli për të studiuar në Akademinë e Mantua në Itali. Jaho më pas ka vazhduar në Akademinë Kombëtare “Santa Cecilia” në Romë, ku ka studiuar me Valerio Paperin. Ajo gjithashtu ishte nën udhëheqjen e basit Paolo Montarsolo.

“Doja tua dëshmoja të gjithëve se edhe nëse vij nga Shqipëria, mund të flas gjuhën tuaj, mund të këndoj muzikën tuaj”, ka thënë Jaho, e cila tani jeton në New York.

E rritur në një vend që ishte prapa “perdes së hekurt”, sopranoja në Itali është ballafaquar si me kultura të tjera, ashtu edhe me distancën nga familja e saj. Ajo gjithashtu duhej të punonte punë të çuditshme, të kujdesej për fëmijët dhe të moshuarit.

“Por gjithmonë e kam pasur parasysh se nëse ëndrra është e madhe, ndoshta edhe sakrificat dhe vështirësitë do të jenë të mëdha”, ka thënë ajo.

Ajo ka trashëguar një dhuratë vetëdijesuese nga babai i saj, i cili ishte oficer ushtarak dhe profesor i filozofisë: “’Ndonjëherë ndihesh i pashpresë, sepse jeta nuk është gjithmonë e bukur’. Më tha se ‘asgjë nuk është e pamundur dhe se duhet të punosh shumë’”.

Jaho e konsideron si fat që ka vazhduar të luajë në “La Traviata”, pasi prej kur ishte 14 vjeç kishte rënë në dashuri me këtë operë në qytetin e saj, kryeqytetin shqiptar, Tiranën. Ka qenë eksperienca e parë për të me operën në interpretim dhe ajo i ishte betuar vëllait të saj të madh se ajo do të luante personazhin para se të vdiste.

Deri sot ajo ka interpretuar 301 herë rolin e Violettës. Ajo ka treguar se roli ishte bërë “më i pasur me përvojën e jetës” dhe se ai mbeti, siç thotë ajo, “si një ëndërr për zërin tim”. “Disi, kjo më shtyn të qëndroj në formë”, ka treguar ajo.

Vjeshtën e kaluar, ajo kishte shtuar në repertorin e saj personazhin e Cileas në operën “Adriana Lecouvreur” në Operën e Vjenës. Ajo gjithashtu këndon vepra në gjuhën franceze si “Thaïs” të Massenets. Por ajo nuk synon të luajë role për të cilat nuk ka një aftësi të natyrshme.

“Kjo nuk është sepse nuk më pëlqejnë sfidat”, ka thënë ajo. “Por ndonjëherë duhet të dish se çfarë lloj betejash dëshiron të fitosh”.

Që nga viti 2012, ajo ka mbajtur master-klasa për studentë si në vendin e saj në Shqipëri, ashtu edhe në vende si Londër, Paris, Sydney dhe Australi. “Brezi i ri sot dëshiron t’i kapë gjërat me lehtësi”, ka theksuar ajo. “Ata mendojnë se është e mjaftueshme ta vendosësh fytyrën në mediat sociale, për të cilat patjetër se kemi nevojë, por vetëm me një ekuilibër të caktuar."

Ajo ka theksuar se epoka e Covidit kishte nënvizuar cenimin e profesionit: “Zbuluam se nuk jemi asgjë – shtëpitë e operës u mbyllën. Kjo vërtet se ka për të qenë dashuri nga brenda jush”.

Jaho ka shprehur një kënaqësi fëmijërore me daljen në skenë me Michieletton, që për të ngërthen “të gjitha detajet dhe shijet” e Italisë së Jugut. “Ti harron se je artisti që po këndon personazhin”, ka thënë ajo. “Ti bëhesh personazh sepse gjithçka rreth teje të ndihmon me këtë”.

Regjisori bashkon gjithashtu dy operat e shkurtra, duke shfaqur në skenë personazhe nga “Pagliacci” gjatë shfaqjes së “Cavalleria Rusticana” dhe anasjelltas. “Gjithçka ka kuptim”, ka thënë ajo. “Urrejtja e tyre, dashuria e tyre. Ju nuk e kuptoni ndryshimin në fund, edhe pse ata janë kompozitorë të ndryshëm”.

Dhe përderisa Opera e Leoncavallos zbulon rrjedhshmërinë e kufijve midis artit dhe jetës, Ermonela Jaho ka thënë se beson se një këngëtar duhet të jetë “i vërtetë në skenë” në mënyrë që t'i shërbejë muzikës. “Nëse nuk qan, dashuron dhe buzëqesh sikurse bën vetë, nuk mund t'i japësh gjë publikut”, ka thënë ajo.

Përktheu: Besartë Elshani

(Marrë nga The New York Times)