Kulturë

Erenik Beqiri i suksesit në Venecia: Shqipëria e Kosova, djep talentesh

Një sekuencë prej më pak se dyminutëshe, në një ceremoni prestigjioze si ajo e çmimeve të Festivalit të Filmit në Venecia, është një lloj thirrjeje. “Shqipëria ka shumë çfarë t’i tregojë botës”, do të thoshte regjisori shqiptar Erenik Beqiri, të shtunën e kaluar kur doli në skenë për të marrë trofeun për filmin e tij “A Short Trip”. Disa ditë pas këtij triumfi, Beqiri në një bisedë për KOHËN flet edhe për këtë moment, por edhe për prapaskenat e filmit të tij. Por regjisori Beqiri – njashtu sikurse edhe të tjerë kolegë të tij – i kanë treguar botës edhe diçka tjetër, e që Beqiri e thotë prerazi si përkufizim. “Shqipëria e Kosova janë djep talentesh. Edhe Kosova e ka pasur mundësinë t’i shfaqë këto talente edhe po vazhdon t’i shfaqë. Në Shqipëri sikur po fillon diçka…”, ka thënë ai

Duket krejt i habitur kur dëgjon emrin e tij e të filmit, si fitues në Festivalin e Filmit në Venecia. Pastaj ngrihet nga karrigia në sallën prestigjioze “Palazzo del Cinema”, kalon mes rendesh deri në skenë, kthen kokën prapa tek i hedh një shikim e buzëqeshje ekipit të tij.

“Jam i befasuar. S’kam fjalë...”, thotë kur i dorëzohet trofeu për “A Short Trip”, si filmi më i mirë i shkurtër në kategorinë “Orizzonti” në edicionin e 80-të të ngjarjes. Ndalon një grimë, dëgjohen duartrokitjet sa për t’ia zbutur emocionet e për t’ia dhënë sekondat në lidhje të fjalëve. Paralajmëron se nuk do ta zgjasë fjalimin, sepse filmi i tij është i shkurtër. Në sallë dëgjohen të qeshurat. Edhe fytyra e tij tashmë është buzagaz. Me pak fjalë, regjisori shqiptar Erenik Beqiri thotë shumë. Ua bën me dije në më të vjetrin festival të filmit se “Shqipëria ka shumë çfarë t’i tregojë botës”.

“Ky çmim do të thotë shumë për mua, për vendin tim Shqipërinë, kulturën tonë, historitë që i rrëfejmë dhe që kemi nevojë t’i rrëfejmë edhe më shumë. Shpresoj që më shumë njerëz do të inspirohen të tregojnë histori nga ky vend”, thotë ai. Duartrokitjet shpërthejnë.

Një minutë e 43 sekonda zgjat një sekuencë si kjo, në ceremoninë mbi dyorëshe të ndarjes së çmimeve në Festivalin e Venecias, të shtunën e kaluar. “A Short Trip” – me aktorët nga Kosova, Luana Bajrami e Arben Bajraktaraj tok me Tristian Halilajn – është një rrugëtim i gjatë. Dhe një histori suksesi.

Kur kanë kaluar disa ditë jo vetëm të kësaj skene, por të një suksesi të njëmendtë, regjisori shqiptar Erenik Beqiri ende duket i emocionuar.

Suksesi që hap dyer për filmat shqiptarë

“Jam i emocionuar nga premiera, nga ceremonia. Tash si duket po e kuptoj më shumë se çfarë ka ndodhur e jam shumë i kënaqur, sidomos edhe për ekipin që ishte prezent atje dhe mund ta kalonim bashkë këtë lloj eksperience. Kur i shikoja ata të lumtur, isha edhe më i lumtur”, ka thënë Beqiri në një intervistë të realizuar nëpërmjet videolidhjes, transmetuar edhe në “Express” të Kohavisionit.

Alamet emrash ka sjellë Venecia e sivjetme e ku “Luanin e Artë” e mori “Poor Things” i Yorgos Lanthimos me yjet Emma Stone, Mark Roffalo e të tjerë.

Beqiri ka dhënë edhe një arsye për mbetjen pa fjalë kur trofeun e kishte tashmë në dorë.

“Në atë moment sado e ke mendjen që do të dalësh aty dhe se je bashkë me regjisorët, që je rritur duke ua parë punët dhe duke i admiruar, dhe ajo sikur ta jep një ndjesi që është vështirë me e thënë me fjalë, por që shumë mirë mund të them shkurt e di që nuk janë fjalët e duhura, por shumë, shumë mirë”, ka thënë Beqiri.

Filmi i tij në Festivalin e kategorisë A triumfoi në mesin e 12 filmave. Qe premierë botërore në Venecia, ku sivjet Kosova pati përfaqësim të trefishtë: nëpërmjet filmit të tij, me “Bota jonë” të Luana Kodrës, konkurrent në “Orizzonti Extra” dhe me filmin “House keeping for beginners”, nën regji të maqedonasit Goran Stolevski, ku luajnë edhe aktoret nga Kosova, Rozafa Çelaj e Ilire Vinca e që mori çmimin “Queer Lion Award”.

“A Short Trip” si produksion mban vulën e Francës. Tema është shqiptare, por jo vetëm. Në sinopsis shkruhet se Klodi dhe Mira, një çift i ri shqiptar, vendosin ta martojnë Mirën me një francez për pesë vjet në këmbim të parave, për të marrë nënshtetësinë franceze. Më pas ata duhet të zgjedhin burrin e duhur për të dhe të mësojnë të heqin dorë nga njëri-tjetri. Përtej çmimit, Beqiri ka folur edhe për atë se si është pritur filmi.

“Ato komentet që i patëm ishin shumë pozitive, shumë të mira, dhe ka pasur interes edhe për ngjarjet e Shqipërisë. Përveç publikut ka pasur edhe komente shumë të mira nga juria, që ishte pjesë e festivalit”, ka thënë Beqiri.

Një sukses si ky, sipas Beqirit nuk i takon vetëm filmit “A Short Trip”.

“Mendoj që më shumë sesa për mua është edhe për kinemanë shqiptare, sepse mendoj që filmi mund të hapë rrugë për filmat shqiptarë që të shfaqen nëpër festivale të tilla, të ketë një lloj interesi në filma të tillë”, ka thënë Beqiri. Me një trofe nga Venecia, për të përgjegjësia për filmin e radhës është më e madhe.

“Edhe pse besoj që kemi me qenë mirë, por përgjegjësia është më e lartë”, ka thënë Beqiri, i lindur më 1987 e që studimet për regji i ka mbaruar në Akademinë e Arteve në Tiranë. I shpejtë ka qenë rrugëtimi i tij me filma të metrazhit të shkurtër qysh në fillim të karrierës, por moment shpërthyes qe edhe viti 2019, kur me filmin e tij “Furgoni” bëri histori si i pari nga Shqipëria, që konkurron për “Palmën e Artë” në Festivalin e Filmit në Cannes. Filmi ku luajnë aktorët nga Kosova, Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj u dha premierë botërore në edicionin e 72-të të Cannes, më pas u fut edhe në listë për çmimin “Oscar”. Dy vjet më vonë, histori bëri “Pa Vend” i Samir Karahodës, po ashtu në garë për “Palmën e Artë”.

Image
Luana Bajrami e Tristan Halilaj në filmin “A Short Trip”

Udhëtimi i gjatë për “A Short Trip”

Erenik Beqiri në fjalimin e tij në Venecia përmend aktorët në rolet kryesore Luana Bajramin e Tristan Halilajn, meritat për sukses ua jep kastës e produksionit.

“Mund të them që është bashkëpunim shumë i mirë, i shkëlqyeshëm. Me Luanën kemi disa vjet që mundohemi të bashkëpunojmë, e më në fund e gjetëm mundësinë ta realizojmë filmin dhe mund të them që Luana është një ndër aktoret dhe regjisoret më të mira shqiptare edhe jo vetëm shqiptare, por edhe në Evropë, ndërsa me Arbenin është aktorë shumë i mirë. Por me Arbenin është filmi i tretë që e bëjmë bashkë, dhe si të them, jemi mësuar”, ka thënë Beqiri për KOHËN në lidhje nga Parisi.

“A Short Trip” ka një histori të gjatë përgatitjesh. “I gjithë procesi ka zgjatur rreth tre vjet. Ideja më shumë filloi me emigracionin, që është një gjë që ne vazhdojmë ta vuajmë në mënyrë konstante”, ka thënë Beqiri. Por derisa tema nisi të marrë formë, Beqiri ka treguar se nisi të jetë më shumë i interesuar në eksplorimin e marrëdhënies së një çifti të dashuruar dhe sakrificat për njëri-tjetrin. Në atë se sa janë të gatshëm të sakrifikojnë çdo që kanë investuar në marrëdhënien e tyre kur njëri duhet të rrijë e tjetri të ikë nga vendi.

“Sa janë të gatshëm ata të sakrifikojnë me këtë realitet”, ka thënë Beqiri. Xhirimet qenë realizuar vitin e kaluar në Marseille për të vazhduar me fazat e tjera deri te finalizimi me premierë në alamet festivali. Edhe për “A Short Trip” ai e ka shkruar skenarin.

“Mua më pëlqen të shkruaj të them të drejtën, sepse është shumë bukur. Unë mendoj se ti regjinë fillon e bën qysh kur je duke shkruar, sepse fillon duke e imagjinuar se si do të jenë skenat”, ka thënë Beqiri. Ka thënë se për të është shumë e vështirë ta konkretizojë skenarin e dikujt tjetër.

“Gjëja që është e bukur është që ti kur je duke shkruar, je krejt vetëm dhe harxhon dy, tre vjet vetëm duke shkruar dhe pastaj je në xhirime me të gjithë njerëzit që janë mbledhur për ty për të të ndihmuar të krijosh këtë ide”, ka thënë ai. Të shkruarit në shesh-xhirimi, e natyrshme, sjellin krejt ndjesi të ndryshme.

“Është një kontrast shumë i mirë nga të qenit krejt vetëm, pastaj me një ekip që duhet të jeni krejt bashkë aty, një lloj mendimi i përbashkët që të realizohet filmi dhe ky lloj procesi është mjaft interesant dhe më pëlqen”, ka thënë regjisori e skenaristi.

Kosova, hapa para në festivale

Kur flet për kinematografinë shqiptare, Erenik Beqiri veçon Kosovën dhe jep shembuj për këtë.

“Mendoj që Kosova është shumë hapa para me festivale, si me Luanën (Bajrami v.j.), Samirin (Karahodën v.j.) Blertën (Basholli v.j.) edhe regjisorë të tjerë. Besoj kanë qenë një lloj inspirimi edhe për ne të tjerët, kështu që besoj që është diçka që duhet të na shtyjë të përparojmë jo vetëm si Shqipëri, por edhe Ballkanin, Maqedoninë, Malin e Zi... Kemi ngjarje ku mund të tregojmë, mund të arrijmë këtë qëllim dhe realisht është shumë inspiruese”, ka thënë ai.

Në pritje për film të gjatë

“A Short Trip” rikthehet spontanisht në bisedën me Erenik Beqirin dhe atë nuk e pret një udhëtim i shkurtër nëpër festivale. Venecia hap dyer të reja. “Janë disa festivale të tjera, të cilat nuk mundem t’i tregoj për momentin, por më i afërti që është, është në Maqedoni te ‘Manaki Brothers’, që është kryesisht i fokusuar te drejtorët e fotografisë dhe është festivali më i vjetër i drejtorëve të fotografisë. Aty do të jetë ndalesa e dytë”, ka thënë Beqiri. Është fjala për Festivalin ndërkombëtar të filmit në Manastir. Edicioni i 44-të i tij mbahet prej 23 deri më 29 shtator. E një derë është hapur sapo është thirrur titulli i filmit dhe i regjisorit të shtunën e kaluar në ngjarjen e madhe. Festivali i Venecias, filmin “A Short Trip” si fitues, me automatizëm e çon për nominim në garën e filmit më të mirë të shkurtër në “European Film Awards 2023”, që njihet edhe si “Oscari i Evropës”. Ky është kapitulli i radhës për të, e regjisori synon edhe kapituj të tjerë. Ka kohë që mendon të debutojë me film të metrazhit të gjatë.

“Me thënë të drejtën kam katër vjet që jam duke menduar për filmin e metrazhit të gjatë dhe tash jemi duke pritur me financimet. Shpresoj që do të shkojë mirë puna e financimeve dhe mezi po pres të fillojmë xhirimet”, ka thënë Erenik Beqiri. Për të një gjë tashmë është e sigurt. E nëpërmjet veprave të tij e të tjerëve si ai, po i dëshmohet edhe botës.

“Shqipëria e Kosova janë djep talentesh”, ka thënë Beqiri. “Edhe Kosova e ka pasur mundësinë t’i shfaqë këto talente dhe po vazhdon t’i shfaqë. Në Shqipëri sikur po fillon diçka dhe e mira është sikur pjesa tjetër e Ballkanit dhe ne ta kemi mundësinë t’i shfaqim këto dhe secili nga ne të shohë se është e mundur. Shpresoj se të gjithë të arrijnë sa më lart”, ka thënë Beqiri. Një majë të lartë në botën e filmit – si Festivali i Filmit në Venecia – ai e arriti sivjet.