Kulturë

Era Muçolli, artistja multidimensionale

Profili artistik i Era Muçollit është shumëdimensional.

Artistja e cila ka përfunduar studimet për grafikë, viteve të fundit e ka gjetur veten më shumë në pikturë. Në pëlhurë e dru, ajo shpreh botën e brendshme nëpërmjet artit surrealist.

Muçolli thotë se prejse e mban veten mend, ka bashkëjetuar me artin por deri vonë nuk i ka ndarë veprat me të tjerët.

Muçolli, veprat e saj i ekspozon në rrjete sociale, ekspozita kolektive por edhe në mure të restoranteve. Aktualisht po punon në ekspozitën e parë personale.

Përveç grafikave e pikturave, Era është e angazhuar edhe në sheshet e xhirimeve të filmave e reklamave. Edhe aty e preferon prapaskenën.

Një formë tjetër në të cilën po e shpreh talentin artistik, është dizajnimi i tatuazheve për miqtë të cilët ia besojnë rrëfimet jetësore. Për Erën është gjë e veçantë që arti i saj të përjetësohet në lëkurën e të tjerëve.

Era Muçolli, gjatë ditëve të izolimit, u bë pjesë e aktivitetit “Rri n’shpi me neve”, duke e ndarë me publikun prapaskenat e realizimit të një vepre arti.