Duhet një shkëputje e plotë nga realiteti përreth për ta përjetuar një koncert operistik midis sheshit. Shkëlqimi i skenës së improvizuar, zërat e “Tre tenorëve” s’i heshtin dot telashet prej vonesës deri te tingujt e organizimeve të tjera përreth. “T’knoftë zemra” ka qenë motoja e edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Operës, Rame Lahaj. “Tre tenorët” – me Rame Lahajn, Murat Karahan dhe Charles Casronovo – e kanë dëshmuar edhe një moto të tillë, por pika më e fortë e koncertit të premten mbrëma në sheshin “Skënderbeu” ka qenë Orkestra e Operës së Kosovës pa shtëpi, dirigjuar prej maestros Sascha Goetzel
Shenjat se të premten mund të ketë shtrëngata nga ato të tërbuarat që ngjajnë rëndom pas zagushisë, nuk qenë pika e vetme që tentoi ta “pengonte” hovin e “Rame Lahaj and Friends”, koncertit të fundit gala në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës, Rame Lahaj. Nisi me njëzet minuta vonesë.
Uvertura e luajtur nga orkestra e Operës së Kosovës nën dirigjimin e mjeshtrit austriak, Sascha Goetzel, u përcoll nga endjet e mysafirëve në kërkim të ulëseve. Ende nëpër koncertet e muzikës klasike në vend, ngjan që me vetëdije të plotë mysafiri të hyjë në sallë – në këtë rast në premisat e rrethuara të sheshit “Skënderbeu”, në mungesë të një të tille – nja gjysmë ore pas kohës së paralajmëruar të fillimit të koncertit.
Goetzel e kishte lehtë që me karizmin e tij në dirigjim të marrë vëmendjen maksimale teksa drejtonte Orkestrën në “Guillaume Tell” të Rossinit. Qe i pari që iu drejtua publikut. Nuk i la anash as mesazhet domethënëse që kapin esencën e artit që po zhvillonin ata të vendosurit në skenë, orkestra e Operës së Kosovës, e cila ka qenë pika më e fortë e koncertit, ani pse e re në moshë, pa objekt të vetin në vendin pa sallë koncertale.
“Jemi këtu për shkak të artit dhe kulturës! Jam krenar që jam këtu në këtë festival, në Kosovë me një orkestër fantastike të formuar vetëm disa muaj me parë, ju lutem duartrokisni për Orkestrën tuaj, për të rinjtë tuaj, Operën tuaj”, ka qenë inkurajimi i Goetzelit të cilit iu kthye kjo mirënjohje me duartrokitje të cilat gjatë mbrëmjes nuk munguan në asnjë moment, veçse ndryshonin intensitet e pasuroheshin me ovacione e urime nga publiku.

Pas kësaj hapjeje, skenën e ngjiti themeluesi e nikoqiri i festivalit. Fill ka nisur të interpretojë potpurinë “Në mes dashurive” me këngë “Moj e bukura More” e “Hej ju male”. Në led-ekranet përreth skenës – ana e dukshme e improvizimit – janë shfaqur plane të afërta të veshjeve tradicionale arbëreshe e peizazhe të qyteteve shqiptare.
Tenori turk, Murat Karahan, plot elegancë u paraqit para publikut me kostum të zi e me trëndafil të kuq, tek solli arien dramatike të Francesco Cileas, “È la solita storia del pastore” me vokal kumbues. Ai njihet si yll i operës turke me mbi 50 role kryesore në të gjithë botën, e i vlerësuar si “artisti më i suksesshëm operistik i vitit”. Nuk është dukur të jetë fort në formë, veçmas në pjesën e parë.
Për herë të parë para publikut kosovar doli edhe tenori nga SHBA-ja, Charles Casronovo, i cili paraqitet para tyre me një brosh filigrani në sako. “Una furtiva lagrima” nga opera “Eliksiri i dashurisë” e Gaetano Donizettit ka qenë vepra që ai kishte zgjedhur si njoftimin e parë me publikun kosovar. Zëri potent i tij ka buçitur me kthjelltësi të mprehtë që shtrihet nëpër oktava.
Një koncert që ngjante paralel disa metra larg klasikes që luhej në sheshin “Skënderbeu”, dhe ezani në unison i xhamive përreth, kanë qenë intermexo të tjera, por të dyja nuk u lanë pa vëmendje. Ezani u respektua me heshtje, ani pse publiku ironikisht duartrokiste heshtjen e Orkestrës, ndërkaq koncerti që interferonte si në mënyrë klandestine u bë shkas që të shkaktoheshin disa shaka e të qeshura nga skena e që morën në valle edhe audiencën.

Shtendosja u vulos kur në skenë është rikthyer Karahan për një interpretim tjetër. “My Way” e Sinatrës ishte nga ato surprizat e lezetshme që sollën unitetin me ndjeshmëri dhe mesazhin në vetë këngën. Karahan ia tha po sipas mënyrës së vet, me regjistrin prej një tenori, e kjo këngë ikonike u zhvendos në tjetër nivel.
Edicioni i 4-t i RLIOF-it kishte filluar rrugëtimin më 21 korrik me ekspozitën “A thua ëndërr ishe ti” me kryeveprat e artistëve kosovarë. Ndërkohë, kryeqyteti ishte shndërrua në vendtakim të artistëve nga e gjithë bota nëpërmjet mbrëmjeve muzikore, si ajo kushtuar Nexhmije Pagarushës dhe muzikës shqipe, “Opera Night”, “Ensemble Evening” e “New Generation” me artistët e rinj. Plot emocion e me zemrën plot, vetë Rame Lahaj publikut iu adresua pas “Lolitës”, serenatës plot allegro të Arturo Buzzit, e cila erdhi në duet me Castronovon.
“Më bëhet qejfi që ju shoh në këtë masë, ma gëzon zemrën, ma kënaq zemrën, dhe sigurisht knoj’ me zemër”, ka qenë fjalia e thënë nga ai, e pasuar nga një njoftim se ai ka përgatitur një album me këngë popullore shqipe të trevave të ndryshme me emrin ”Kangët e nanës”. Artisti është ulur në njërin gju në mes të skenës tek dëgjohej një potpuri e shkurtër e këtyre këngëve të interpretuara nga ai. “Baresha”, “S’paske pas një pikë mëshirë”, “Pranvera ka nis me dalë”, “Baresha”, ishin vetëm disa nga to që këndoheshin si pipëtima nga publiku. Ka qenë viti 2021, i pari edicion që shënoi edhe episodin kur Lahaj mori lajmin për vdekjen e së ëmës dhe muzika s’u ndal. Edhe ai “këndoi me zemër”, sepse kjo kishte qenë edhe porosia e saj.

Mizanskena ka ndryshuar vazhdimisht, e energjia mbahej gjithnjë në takt nga tenorët e dirigjenti. Atmosferë krejt ndryshe solli “Senede Galmaz”, kënga azerbajxhanase, e cila kishte bërë bashkë Rame Lahajn e Murat Karahan dikur në një debat të lezetshëm që konsistonte në supozimin e origjinës së këngës. Lahaj do të insistonte që kënga është shqipe, “Shkodra ka plot dashuri” ndërkaq Karahan se ajo është turke, por në koncert e kënduan edhe në shqip edhe në turqisht përtej këmbimit të shakave midis tyre.
Energjia e publikut ka qenë detaji kryesor që i ka mbetur në mendje tenorit turk. Në një prononcim pas koncertit ka thënë se në Kosovë ndihet si në shtëpi.
“Jam shumë i lumtur, ishte një audience e mrekullueshme kishim një lidhje shumë të mirë me ta, unë ndihem këtu si në shtëpinë time, njerëzit, qasja e tyre, pozitiviteti, ambienti gjithashtu dhe do të doja shumë të kthehesha sërish në Kosovë. Kishim të bënim me një ekip fantastik, me një orkestër shumë të talentuar, kishte një sinergji të mahnitshme mes nesh”, ka thënë ai për KOHË-n.
Karahan, i cili u mbulua nga duartrokitjet edhe kur performoi “Nessun dorman” e Puccinit, ka thënë se u ndie i emocionuar nga kjo pritje.
“Audienca na nderuan me duartrokitjet, sepse ato janë uji dhe buka jonë, ajo na ushqen shpirtin tonë dhe me duartrokitjet e tyre ata na ushqyen shpirtin tonë sonte”, është shprehur Karahan.
E për tenorin amerikan, Charles Castornovo, për të cilin është hera e parë që shkel Gadishullin Ballkanik, Kosova i ka lënë përshtypje të veçantë. Më 4 gusht do të jetë dhe në Shqipëri, në gala koncertin në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit me sopranon e njohur Ermonela Jaho.
Performoi ndër të tjera, “Be my love” nga Mario Lanza. Repertori është ndërtuar asisoj që secili t’u bënte homazh rrënjëve të veta.
“Kur Rame më pyeti se çfarë do të performoja më tha që këndo çfarë të duash. Unë doja të këndoja këngë që janë në zemrën time, babai im është nga Sicilia dhe kam dashur të sjell diçka nga Italia dhe natyrisht që desha të inkuadroja dhe këngët e vjetra nga Hollywoodi pasi që jam rritur në Los Angeles, dhe për mua të këndoj ‘Be my love’ është një lidhje me Hollywoodin e vjetër dhe të qenit një italian emigrant”, ka thënë ai.
Me vete pos broshit filigran me hartën e Kosovës që i është dhuruar, ka thënë se do të marrë me vete edhe diçka tjetër.
“Do të marr me vete ngrohtësinë e njerëzve nga këtu të cilët më kanë pritur si një anëtar i familjes që nuk kishte qenë në shtëpi për një kohë të gjatë. Mezi pres të kthehem”, ka përfunduar Castornovo.
Ndryshe nga kolegët, vendasi Ramë Lahaj nuk u bë i dukshëm pas koncertit. Imazhi i tij mbeti vetëm në emrin e tij kudo të vendosur nëpër logot e festivalit, bashkë me kujtesën e performancës eklatante të tij.
I gatshëm për t’u paraqitur para mediave, e me çiltërsinë e njëjtë si në skenë ishte dirigjenti Sascha Goetzel.
“Muzika na bashkon dhe sot kishim shumë kombësi të ndryshme në audiencë, në skenë gjithashtu. U tregua magjia e muzikës ajo se çfarë na jep ajo, na bën të ndihemi të bashkuar. Pashë në audiencë dhe nganjëherë edhe ne skenë a te orkestra tek rridhnin ca lot. Bëhet fjalë për një orkestër të re e cila ka plot ëndrra, beson në të ardhmen e saj, të vendit të tyre, janë zëri që prezantojnë çfarë në të vërtetë është Kosova”, ka thënë ai.

Me artikulim po aq të zot sa në drejtim të orkestrës, austriaku Goetzel potencoi edhe një herë rolin universal të muzikës
“Ne duhet të kuptojmë se historia e njerëzimit është histori e kulturave dhe normalisht që kultura është e definuar nga artet. Nuk ka rëndësi a është poezi arkitekturë, pikturë. Kjo ka qenë pika ime gravituese gjatë jetës sime si artist. Dua që njerëzit të ndiejnë njëri-tjetrin, të bëhen empatikë, sepse kështu mësohemi të dëgjojmë njeri-tjetrin, të mundohemi të kuptojmë njeri -tjetrin dhe kështu nuk do të kishte dhe luftëra”, ka thënë ai, përderisa fjala i është ndalur në gjysmë nga një punonjës stafi i festivalit me insistimin se do të bëjë fotografi me kryeministrin Albin Kurti, i cili qe i pranishëm në koncert.
Përtej detajeve të shumta që shënuan mbrëmjen plot ironi e pikëpyetje në kokë, interpretimi i tenorëve, orkestra e dirigjenti ia dolën që të shndrisin mbi gjithçka tjetër.
Një koncert me një formacion të tillë “Tre tenorët”, që kishte nisur nga trio legjendare Pavarotti, Domingo, e Carreras, në fakt kur e shthur del fenomen kulturor në vete. Kjo u faktua edhe gjatë performancës së treshes kur secilit i shihej edhe uvula e gurmazit tek ngjisnin notat e larta në “Torna a Surriento”, simbolin e muzikës napolitane nga Ernesto De Curtis.
Pianistja Vlora Baruti ka qenë në mesin e publikut. Ka thënë se për të, mbrëmja e 2 gushtit mbetet datë e shënuar me momente gëzimi të servuara nga artistë të bukur në shpirt dhe në art.
“Gala-koncerti me nikoqir Ramë Lahajn – i cili flet në gjithë botën me zërin e tij fantastik për Kosovën tonë – kësaj radhe kishte mysafirë të nivelit të lartë artistik, edhe pse koncerti ishte nën qiellin e hapur, në anën e djathë ndërtesa ngjante në arkitekturën e vjetër austro-hungareze që përshkonte me repertorin operistik të përzgjedhur me shumë delikatesë”, ka thënë ajo. E ka potencuar mungesën e sallës por e ka “përkthyer” në urim.
“Megjithatë edhe pa sallë koncertale sheshi ishte përplot artdashës! Kjo gjendje që duket si film që po xhirohet në Prishtinë, besoj se shumë shpejt do të kthehet në realitet dhe do të kemi sallën e shumë pritur tash e 24 vjet. Përgëzime veçanërisht për tenorin tonë plot art e dashuri R. Lahaj. Sinqerisht uroj që ky festival të njihet në mbarë botën”, ka thënë ajo.
Mbi të gjitha, krejt koncerti ka qenë në dorën e atyre që “këndojnë me zemër” siç ka qenë motoja e këtij edicioni. Një epilog si ky, përtej shkëlqimit të skenës, lë prapa sërish realitetin: atë të një vendi që nuk ka sallë koncertale, dhe koncerte si këto në shesh, ngadalë zbehen me kalimin e edicioneve.