Në frymën e teatrit të angazhuar, “Enigma e Revolucionit” vjen me shumë pyetje e përgjigjen në to e kërkon bashkë me publikun. E kujton njëqindvjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, revolucionet sovjetike dhe gjermane, por në thelb ka kërkimin e vazhdueshëm të së vërtetës. Që në fillim aktorët bëjnë me dije se ngjarja do të zhvillohet mes kërcënimeve dhe armëve ka ky produksion i teatrit “DAH” të Beogradit ka tjetër synim
Para se të futet në shfaqje, publiku është pjesë e saj. Në hyrje të sallës i dhurohet një fletë e prerë në formë katrore me rreth të kuq. “Why do birds fly?” (Përse zogjtë fluturojnë?) shkruhet në njërën fletë që e ka gjysma e publikut. Pjesa tjetër përballet me një fjali tjetër: “Të gjithë flasin për motin, por ne jo!”
Gjatë shfaqjes këto copëza letre do ta ndajnë publikun në dysh. Por, para kësaj aktorët dalin në skenë të mbështetur për njëri-tjetrin teksa lëvizin në rreth. Në mes ka goxha heshtje. Që në fillim aktorët bëjnë me dije se ngjarja do të zhvillohet mes kërcënimeve dhe armëve. Një karrige rri e varur në skenë. “Enigma e Revolucionit” ka ardhur në Prishtinë në kuadër të festivalit feminist “FemArt”. Shfaqja nën regji të Dijana Millosheviqit, që është prodhim i teatrit “DAH” të Beogradit, e kujton njëqindvjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, revolucionet sovjetike dhe gjermane. Një grua flokëbardhë çirret mes këpucëve. Është gazetarja Ulrike Marie Meinhof që shpalos historinë e saj në skenë. Thotë se kishte qenë një intelektuale snobe dhe një pacifiste. Ka braktisur punën e gazetares. Kur përmend burrin e fëmijën, në çast i ofrohet arma. Merr pamjen e një gruaje të ftohtë. Më pas thotë se i është bashkuar fraksionit të Ushtrisë së Kuqe.
“Gjermania sot duket si ajo në vitin 1933”, thuhet më pas. Një grua tjetër e veshur deri në fund të këmbëve me të kuqe përfaqëson figurën e aktivistes Rosa Luxemburg. “Red Rosa” është ende një frymëzim për rebelim, në një epokë kur rebelimi kundër çdo gjëje çnjerëzore, të dhunshme dhe shfrytëzuese – është i padukshëm. Ajo ende ngre pyetjen: ku është rebelimi, a është e mundur?”, thuhet qysh në njoftim të shfaqjes. Edhe në teatrin “Oda” në Prishtinë ka folur për pacifizmin dhe vendosmërinë për të qenë të tillë. Pacifizmi dhe të drejtat e njeriut janë shtylla e partisë që e ka themeluar. Më pas shfaqet kryekomandanti i forcave të armatosura kubane. Camilo Cienfuegos Gorriará me kapelë e i veshur me të zeza qëndrimin e ka të ftohtë për zërin kumbues. Beson që asgjë nuk mund ta ndalë reformën agrare. Një grua tjetër vjen në skenë me vendosmërinë për ta vrarë Lenin, si tradhtar të revolucionit. Në skenë është Fanny Efimovna Kaplan, një grua disidente sovjetike.
Regjisorja e shfaqjes Dijana Milloseviq ka thënë se me këtë shfaqje i janë përshtatur edhe motos së sivjetme të festivalit “Nga Evolucioni në Revolucion”.
“Ne krijuam një shfaqje duke ngritur pyetje se çfarë është revolucioni, a ekziston revolucioni dhe si është trashëguar ai sot. Gjithashtu flasim rreth tregimeve plurale për historinë, si nuk është vetëm një e vërtetë, por janë shumë pjesë të së vërtetës. Ne duhet të jemi të hapur dhe të gjejmë se cila është e vërteta në mesin e shumë të tillave”, i ka thënë ajo KOHËS menjëherë pas shfaqjes, e cila ka zgjatur për më shumë se një orë. Aktorët nuk do ta lënë publikun statik përballë lojës së tyre. Do t’u kërkojnë copëzat e letrave që u janë shpërndarë në fillim. Më pas do t’i dërgojnë një pjesë në katin e dytë në teatrin “Oda” dhe pjesën tjetër në hollin e teatrit. Kërkesat për revolucion do të kumbojnë edhe më afër publikut.
Kryekomandanti Camilo është i ashpër me këdo, madje dhe me publikun. Është i tëri në rolin e tij. Aty do të zbërthehet revolucionari në forma të ndryshme, si njeri që gjithë jetën e ka sakrificë.
Sipas aktorit Ivan Nikoliq, që luan rolin e tij, shfaqja dhe loja e tyre në thelb ka për qëllim që të ngrejë shumë pyetje te publiku mes të vërtetave të mundshme. Sipas tij, edhe fatet e revolucionarëve janë të ndara midis dy versioneve.
“Karakteri im gjithmonë flet për një burrë të keq, u munduam ta tregojmë edhe anën tjetër, anën tjetër të mundshme. Ta vëmë në pikëpyetje. Kjo shfaqje është e gjitha për të ngritur pyetje jo vetëm për revolucionin dhe revolucionarët, por dhe të vërtetën”, ka thënë Popoviq.
“Enigma e Revolucionit” synon që të nxjerrë publikun nga roli i vëzhguesit. Do që t’i bëjë bashkëpunëtorë të mundshëm që zgjedhin ose zgjidhen të marrin pjesë në punën e “celulave” individuale.
Sipas përshkrimit të shfaqjes – që përdor tekste prej Brechtit te Noam Chomsky a Naruda – ky proces zbulon idetë, iluzionet dhe pasionet e atyre që besuan në një revolucion dhe një botë më të mirë.
Shfaqja e prezantuar në kuadër të “FemArt” në Kosovë e vazhdon bashkëpunimin midis “Artpolisit” të Prishtinës dhe teatrit “DAH”, një institucion i pavarur kulturor i themeluar në Beograd më 1991. Shfaqja “Gjuetarët e Artemidës” nën regji të Zana Hoxhës është shfaqur në shkurt të këtij viti në festivalin “Arts & Human Rights”, organizuar prej teatrit “DAH”. Sipas organizatorëve të “FemArt”, ky shkëmbim kulturor e përmbush misionin që përmes artit dhe kulturës të jepen mesazhe të solidaritetit dhe të drejtave të njeriut.
“Kjo shfaqje është kundër fashizmit dhe ka treguar vlerat duke treguar humbjen dhe vuajtjet që kanë pasur gratë të cilat janë akuzuar për krimet që nuk kanë bërë”, ka thënë Venera Ismaili nga “Artpolis”.
Gjatë shfaqjes “revolucioni” përsëritet si refren në çdo fjali. Me zë alarmues publiku njoftohet se revolucioni është atëherë kur forcat policore nuk janë mbrojtëse të lirisë, por okupatore të njerëzve të tyre, kur qytetarët u shërbejnë atyre dhe jo e kundërta. Me mesazhe kontradiktore, aktorët ndërrojnë rolet. Por janë përherë autoritarë.
Ivana Milenoviq-Popoviq, pjesë e kastës së aktorëve, ka thënë se vetë shfaqja është një proces i vështirë që kërkon evoluim të aktorit në lojë të përbashkët.
“Shfaqja ngre pyetje se a është e mundur të ketë revolucion dhe jetë më të mirë. Në këtë sens është e mirë që e shfaqëm këtu. Ky është teatri, ky është entuziazmi i të qenit aktor, ky është teatri dhe kjo është prezenca e pastër e spektatorit dhe aktorit”, ka thënë Milenoviq-Popoviq.
Ndër skenat e fundit është Rosa Luxemburg, e shtrirë përtokë. Është rrethuar me këpucë që e mbulojnë trupin e saj. Aktorët gjatë shfaqjes janë ata që paralajmërojnë fundin e saj teksa palosin skenën. Duartrokitjet e bëjnë përshëndetjen me publikun, i cili ka ndjekur lojën e tyre gjatë gjithë hapësirës së teatrit “Oda” në Prishtinë.