Në artin e saj synon harmoninë, dëshiron që filozofia për jetën të jetësohet edhe në pikturat e saj. U ikën kontrasteve, luan butësisht me ngjyrat në gjetjen e harmonisë. “Dream” (Ëndërr) është titulli i ekspozitës së Edona Blakajt. “Mua më pëlqen shumë harmonia, edhe në jetë. Mundohem gjithmonë t’i neutralizoj ngjyrat, t’i shtjelloj ato me njëra-tjetrën, mos të ketë kontraste shumë të mëdha”, ka thënë ajo
Imagjinata e fuqishme, gjethet, format gjeometrike, ngjyrat e shumta dhe figura e gruas, janë vetëm disa nga aspektet që e ndërtojnë pikëpamjen artistike të artistes Edona Blakaj. Në secilën tablo ajo krijon universe më vete, të cilat nuk deshifrohen dot me shikim të parë. Duke përdorur edhe metaforë ajo në kanavacë hedh ngjyra e bën lëvizje me brushë teksa ndërton botë idealiste të drejtuara në një cak të vetëm. Synon harmoninë, dëshiron që filozofia e saj për jetën të jetësohet edhe në pikturat e saja.
“Dream” (Ëndërr) është titulli i ekspozitës së hapur të mërkurën mbrëma në “Galeri 4” e vendosur në një apartament të rëndomtë në shikim të parë, por me kushte optimale për ta realizuar një ekspozitë. Në këtë galeri familjare zënë vend rreth 30 piktura të artistes. Që në hyrje të galerisë bëhet e ditur se për këtë ekspozitë ishte menduar edhe për detajet. Vizitorët në hyrje i pret nga një zarf i zi. Në të kishte printime nga disa prej pikturave të ekspozitës “Dream”, një biografi e artistes dhe koncepti kuratorial.
“Pikturat e Edona Blakajt përputhen më shumë nga preferencat stilistike – rrafshe të shumëfishta, vëllimore, si drejtvizore ashtu edhe forma lineare. Në plan të parë janë paraqitur objekte të fragmentuara, duke përfshirë figurën qendrore të femrës, bimë të ndryshme ku nga brenda bartin aromën e luleve”, shkruhet në konceptin kuratorial nga Zeni Ballazhi, kurator, i cili këtë ekspozitë ndër të tjera e quan një realizim bashkëkohor të arrirë e rrezatues.
Në këtë ekspozitë zor që vëmendja të pushojë te ndonjë vepër e vetme. Gjithsecila fton në një udhëtim unik, në secilën nga to transmetohen copëza nga bota e artistes, të cilat njëjtë si në kanavacë kishte vendosur t’i sillte ashtu si të fragmentuara edhe nëpërmjet disa poliptikëve.
“Mua më pëlqen shumë harmonia, edhe në jetë. Mundohem gjithmonë t’i neutralizoj ngjyrat, t’i shtjelloj ato me njëra-tjetrën, mos të ketë kontraste shumë të mëdha. Dua që t’i flenë njëra- tjetrës. Kjo gjë më përkufizon edhe mua si femër, jam munduar që edhe ngjyrat dhe temat e trajtuara të pasqyrojnë brishtësinë. Abstraksioni në to është i shprehur me disa forma ovale, nganjëherë duken si portrete, gjithë ata gurë të vegjël që në tërësi e formojnë një shkëmb të tërë”, ka thënë Blakaj në një prononcim për KOHËN.
Blakaj, e cila studimet për pikturë i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, në të njëjtin, gjatë studimeve pasdiplomike në vitin 2002, u shpërblye për “Rezultate të arritura në pikturë”. Karriera e saj artistike nis me ekspozitën e saj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, në vitin 2005. Ajo gjithashtu ka qenë pjesë e ekspozitave kolektive të organizuara në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Edhe në pikturat e ciklit “Dream”, është evidente se procesit të pikturimit i kushton rëndësi të madhe. Për të besnikëria ndaj identitetit të saj është e qenësishme, por spontanitetit ia lë prekjen e fundit. Pikturat e saj epilogun e arrijnë duke e jetësuar atë që e ndien vetë artistja. Qoftë ajo ndonjë gjendje momentale apo preokupim i kamotshëm. Këtë qasje të sajën gjatë studimeve e kishte vënë re edhe një mjeshtër i pikturës.
“Edhe në fakultet kur isha gjithmonë profesori im Rexhep Ferri me thoshte se në pikturë paraqes fragmentet e mia, edhe këto piktura paraqiten ashtu, si fragmente por në kompozicion bëhen një, është e natyrshme, natyra, qenia femërore e harmonizuar me mua. Këto janë elemente që më pëlqejnë dhe ashtu e ndiej veten kur pikturoj”, ka shtuar artistja.
Pasioni dhe bota e brendshme e Edona Blakajt jetësohen në secilën pikturë. Ato mund të interpretohen lehtazi edhe si fragmente të jetës së artistes. Ashtu siç ndodh me disa të cilat janë të dendura me ngjyra plot jetë. Nga ato ku dominojnë të kaltrat me të gjitha nuancat e tyre e deri tek diptikët bardhezi mbretëron melankolia.
Për ta parë punën e Blakajt në tërësi i pranishëm në ekspozitë qe dhe piktori Esat Valla. Edhe pse kishte pasur rastin që veprat e artistes t’i shihte nga afër disa herë, në ekspozitën “Dream” gjeti rastin që të thellohej në analizimin e tyre.
“Po e shoh që ka disa tablo me premisa të katrorëve dhe gjetheve, të cilat i vesh si elemente shprehëse personale. Ajo është në rrugën e formimit të shprehjes se një bote individuale. Posaçërisht me pëlqejnë këto gamat bardhezi të pikturave. Lënë shumë mbresa, janë të realizuara bukur. Edhe këto të tjerat janë me kolor të kërkuar, të shuar, jo tepër intensive, ka harmoni në to”, është shprehur Valla duke e vlerësuar ekspozitën si të arrirë e me vlera artistike.
I tërë kompozicioni i fragmentuar i artistes nëpërmjet ngjyrave dikton humor të ndryshëm, por bëhen bashkë teksa lidhen në mënyrë poetike nëpërmjet motiveve të përbashkëta. Siluetat e femrës shfaqen shpesh, lëvizjet specifike me brushë fillojnë e bëhen tregues i stilit të saj. Ndërsa i tërë tregimi del si një përkthim i botës së brendshme, i idealit dhe një synimi të cilin ajo arrin ta transmetojë së paku nga tablotë e saja.