Estetikisht nuk e rrokin syrin e njeriut, por veprat e Zgjim Zybës merren pikërisht me të. Dy instalacionet e tij, siç zbërthehet edhe në paralajmërim, ”eksplorojnë nocionin e të parit dhe lëvizjes në raport me perceptimet”. Kësisoj matet ndikimi i teknologjisë te qeniet njerëzore, por provokimi nuk përfundon këtu. Zyba thyen edhe konceptet konservative edhe për vetë objektin ku ekspozon. Titulli ka të bëjë me diskursin politik, me fuqinë e vendimmarrjes prapa skenës
Oborri i Galerisë Kombëtare të Kosovës ka marrë pamje tjetër. Në ajër, nëpërmjet penjve gati të padukshëm, janë vendosur disa objekte formash të ndryshme, të shpërndara tej për teje hapësirës së jashtme të Galerisë. U është dhënë formë prej të njëjtit material – rrëshirës, pa ngjyrë, që modelohen dhe ruhen në trajtë të ngurtë.
Diçka ka ndryshuar edhe në pamjen e vetë objektit të Galerisë. Disa shkallë ngjyrë gri janë mbledhur si një lëmsh i madh i shkapërderdhur mbi strehën në hyrje, teksa pjesa tjetër e saj ngrihet lart, drejt kulmit të saj. Megjithatë shkallët nuk përfundojnë as aty. Duhet hyrë brenda për ta kuptuar se ku çojnë. Nga kulmi shkallët zbresin në katin e dytë e pastaj bien pingul mbi shkallët prej betoni të Galerisë dhe përfundojnë në korridor të katit të parë.
Dy instalacionet janë pjesë e ekspozitës “Eminencë gri” të Zgjim Zybës, e cila njëherësh është edhe ekspozita e tij të parë personale ndërsa përzgjedhja është nëpërmjet aplikimit.
Ndryshe nga orari i zakonshëm, ora 19:00, e hapjes së ekspozitave në GKK, kësaj here oborri ishte mbushur me njerëz qysh para orës 17:00. Arsyeja lidhej me dritën dhe instalacionin “Re: All” e ekspozuar në hapësirën e jashtme. Përmes tyre Zyba rikujton pikat që në syrin e njeriut shfaqen atëherë kur shfaqet një dritë shumë e fortë, dhe për t’i hetuar vizitori duhet t’i shohë gjatë ditës.
Duke shprehur gëzimin për mundësinë dhe përzgjedhjen për të ekspozuar në institucionin më të lartë të artit në Kosovë, Zyba ka treguar diçka edhe për veprën “RE: ALL”.
“Kam aplikuar në thirrjen që Galeria ka pasur në dhjetor të vitit të kaluar dhe kështu jam përzgjedhur të jem pjesë e programit. Jam shumë me fat për shkak se kam gjetur një staf, i cili më ka ndihmuar shumë qysh nga fillimi i punimit sepse, siç mund ta shihni, jashtë kam bërë atë që e kam quajtur ‘Re:All’, të cilat janë pikat lundruese që i shohim kur jemi duke parë ndriçim të madh. Pikat të cilat i shohim më janë dashur një muaj e gjysmë për t’i përgatitur dhe kam pasur një përkrahje të jashtëzakonshme prej Galerisë”, ka thënë Zyba.
Për vizitorët e artit të tij, Zyba ka shpjeguar edhe titullin dhe ndërlidhjen e këtyre dy instilacioneve.
“’Eminenca gri’ apo ‘Grey eminence’ është term që përdoret në diskursin politik. Ka të bëjë me fuqinë e vendimmarrjes prapa skenës. Pse ne e kemi lidhur me eminencën gri është për shkak të teknologjisë, si faktor kryesor në transformimin e qenies njerëzore që nga shekulli i kaluar, në dy revolucionet industriale. Teknologjia është faktor që i sjell në pah problemet sociale po ashtu edhe lëvizjet e ndryshme që janë kundër apo pro zhvillimit global të teknologjisë”, ka thënë ai.
Në mënyrë të veçantë ai ka shpjeguar edhe domethënien dhe mënyrën se si ai, si autor i tyre, i ka konceptuar shkallët dhe format e tejdukshme.
“Këto shkallë të çojnë atje ku duam ne për shkak se ato janë një objekt që përdoren për të hipur apo për të zbritur. Unë i transformoj ato njëjtë sikur edhe pika lundruese në hapësirë të jashtme. Ato i shohim me syrin tonë atëherë kur përballemi me dritë të fortë. Në fakt ato janë të krijuara prej një dylli por që unë i bie në formë të ngurtë. Ndërkaq shkallët të cilat zakonisht janë të prodhuara prej druri apo hekuri i transformoj në material të sfungjerit. E bëj transformimin e qenies njerëzore. Duke u larguar prej konceptit tradicional që jemi mësuar ta definojmë qenien njerëzore. Le të themi se këto dy instalacione kanë një lidhje mes vete dhe që ajo çka i prezanton më së miri është eminenca gri”, ka thënë Zyba.
Përzgjedhja e materialit është vënë në shërbim të konceptit të asaj çfarë ka dashur të shprehë autori.
“Punimet e mia artistike janë të bazuara më shumë në koncept sesa në material. Unë tentoj që t’i sjell me anë të materialeve të ndryshme, duke u bazuar në atë çka simbolizon vetë punimi. Fatmirësisht të gjitha materialet që i kam përdorur deri me tash në këtë ekspozitë i kam gjetur në Kosovë. Faktikisht kam qenë i habitur që kam gjetur materialin e rezinës në një fabrikë në Gjakovë”, ka thënë ai. Ka thënë se ideja ka qenë që të përdorë materiale të ngurta që janë transparente njëjtë ashtu siç i sheh ai pikat lundruese.
“Kështu që kam ardhur në përfundim se rezina është materiali që ma ofron mundësinë për t’i krijuar ashtu siç dua unë dhe në të njëjtën kohë ia jep mundësinë publikut që t’i shohë në mënyrë transparente. Edhe sfungjerin që ka formën e rrumbullakët e kam gjetur në Komunën e Rahovecit”, ka treguar Zyba, i cili jeton në Venecie të Italisë. I lindur më 1994, ai ka përfunduar studimet bachelor për Art Konceptual dhe Media të Re, dhe ka kryer magjistraturën për Art Bashkëkohor në Fakultetin e Arteve të Prishtinës dhe në Komunikim Multimedial dhe Creation Events në Universitetin e Firencës. Punon me një mori mediash duke përfshirë instalacionin, videon, performancën dhe fotografitë. Sipas biografisë, në punët e tij të mëparshme trajton çështjet e traumave sociale dhe personale. Praktika e tij artistike është e fokusuar në raportin mes traumave sociale dhe personale, si dhe në adresimin e cenimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Ka qenë pjesë e ekspozitave grupore si: "Sospeso/ Pezull", në HYmno Art Lab (2021), Pratovecchio, "Quick Yeast", në Artefiera di Bologna (2022) në Bolonjë dhe ka qenë pjesë e një rezidence artistike në "Bevilacqua la masa ”, si pjesë e fondacionit publik të Bashkisë së Venecias.
Shkallët kanë një histori më vete. Krijimi i tyre kishte nisur qysh para katër vjetësh, atëherë kur Zyba ishte në përfundim të studimeve master në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, por që takimi i tyre me publikun ishte bërë tek sot.
Lidhur me këtë, ka folur kuratorja e ekspozitës, Hana Hsalilaj.
“Ekspozita e Zgjimit është e zhvilluar dhe ka nisur rreth një hulumtimi që ai e ka pasur më herët. Është një hulumtim drejt zhvillimit dhe historisë së zhvillimit të teknologjisë që Zgjimi e ka rishkruar dhe shqyrtuar në lidhje me evoluimin e njerëzimit dhe qysh këto evolucione dhe zhvillime janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Më pas ka ardhur deri te prodhimi i këtyre dy instalacioneve”, ka thënë ajo.
Shpjegim të simbolikës së kësaj ekspozite Halilaj e ka dhënë edhe në tekstin kuratorial, i cili mund të gjendet edhe në katalog.
“Eminenca gri e teknologjisë influencon thellësisht vlerat shoqërore të krijuara në hegjemoninë aktuale kapitaliste globale, duke shërbyer si mjet për emancipim, e në të njëjtën kohë, edhe si mjet kufizimi dhe kontrolli. Duke plotësuar njëri-tjetrin, evolucioni teknologjik dhe ai njerëzor i cili shkon prapa në shekullin e 20-të, krijojnë mundësi për shpalosje të vazhdueshme të perspektivave të reja mbi botën”, është shkruar në të.
Si njohëse e artit dhe punës së Zybës, Halilaj ka dhënë një shpjegim edhe për shkallët dhe rrugëtimin e tyre nëpër hapësirën e brendshme dhe të jashtme të Galerisë.
“Mënyra se si i kemi instaluar se çfarë kemi qenë duke menduar me Zgjimin rreth punëve që ai i ka krijuar është se ai ka dashur që t’i instalojë shkallët jashtë në çati. Ato hyjnë brenda përmes shkallëve që palosen e që vijnë nga kulmi i Galerisë. Shumë njerëz, për shkak se atje janë zyrat e Galerisë, nuk shkojnë te ajo pjesë për shkak se është njëfarë kodi i pashkruar se si duhet të sillemi në një muze apo galeri dhe karshi veprave të artit. Kjo ndërhyrje që e ka bërë Zgjimi me instalacione e aktivizon një pjesë të Galerisë dhe e kthen imazhin e institucionit dhe hapësirave se ku duhesh me qenë e ku nuk mund të hysh”, ka shpjeguar Halilaj.
Ekspozita “Eminencë gri” do të qëndrojë e hapur deri më 24 prill.