Kulturë

Elita hollywoodiane hap dyert për kinematografen nga Kosova

Elita hollywoodiane hap dyert për kinematografen nga Kosova

Sevdije Kastrati-Dill, ASC: “Mendoj se mund të të japë më shumë kredibilitet për shkak se në fund të emrit i bart tri shkronjat ASC. Kësisoj të gjithë njerëzit e dinë që je vlerësuar prej njerëzve të tjerë të fushës tënde në nivel shumë të lartë. Mendoj se ndikon edhe në të ardhmen për projekte të tjera”

“Të jesh anëtare e ‘American Society of Cinematographers’, është nder për secilin drejtor e drejtoreshë fotografie që punon në këtë profesion. Është ëndërr për ta arritur këtë... Është klubi më i vjetër që ekziston në Hollywood i themeluar në vitin 1919 e që punon për promovimin, mbrojtjen e artit të kamerës, kinematografisë”, ka thënë kinematografja Sevdije Kastrati-Dill, emrit të së cilës i shtohen edhe shkronjat ASC, që e ngrenë në elitën e kinematografëve të botës

Përfshirja e kinematografes Sevdije Kastrati-Dill në prestigjiozen “American Society of Cinematographers”, nuk është thjesht anëtarësi. Është vlerësimi më i lartë që mund t’i bëhet një kineasti. Kastrati-Dill e vlerëson doktoraturë. E ajo tani mban tri shkronjat – ASC – që e vlerësojnë karrierën e saj në fotografi lëvizëse.

Në thelb, ajo që përkthehet si Shoqëri Amerikane e Kinematografëve, pozicionohet si organizatë arsimore, kulturore dhe profesionale. E anëtarësia aty arrihet vetëm me ftesë. U jepet drejtorëve të kinematografisë që kanë treguar aftësi të jashtëzakonshme në punën e tyre në industrinë filmike. Por jo vetëm. Vlerësohet edhe karakteri personal dhe kjo bëhet e ditur nga vetë ASC-ja.

Kinematografja e shquar në botën e filmit, Sevdije Kastrati-Dill, ka thënë se anëtarësimi në këtë organizatë është ëndërr për secilin drejtor a drejtoreshë fotografie.

“Të jesh anëtare e ‘American Society of Cinematographers’, është nder për secilin drejtor e drejtoreshë fotografie që punon në këtë profesion. Është ëndërr për ta arritur këtë. Puna të vlerësohet në nivel shumë të lartë artistik sepse anëtarët aty janë profesionistë pasi puna e tyre vlerësohet si e nivelit të lartë teknik, kreativ, artistik si dhe personaliteti, karakteri i personit”, ka thënë ajo nëpërmjet telefonit në një bisedë për KOHËN.

Jo veç në trevat shqipfolëse, por edhe më gjerë në rajon, ajo është e para kinematografe që vlerësohet nga ai që në komunitetin e kinematografisë shquhet si klub hollywoodian. I tillë edhe është.

“American Society of Cinematographers” u themelua në Hollywood në vitin 1919 me qëllim të avancimit të artit dhe shkencës së kinematografisë dhe afrimit të kinematografisë për të shkëmbyer ide, për të diskutuar teknikat dhe për të promovuar filmin si një formë arti. E ky mision vazhdon edhe sot.

Në uebfaqe bëhet e ditur se organizohen punëtori e diskutime mbi punët e anëtarëve të saj.

Një opsion i radhës është puna e kinematografes nga Kosova që po bën karrierë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E ajo e konsideron anëtarësimin aty edhe si prestigj për punën e secilit.

“Është prestigj, është klub. Është prestigj për punën të jesh pjesë e kësaj organizate. Është klubi më i vjetër që ekziston në Hollywood i themeluar në vitin 1919 e që punon për promovimin, mbrojtjen e artit të kamerës, kinematografisë”, është shprehur Sevdije Kastrati-Dill.

E prestigjin e saj tash e konfirmon edhe kredenciali ASC pas emrit të saj. Në historinë e këtij titulli, i pari që e barti qe amerikani Joe August për xhirimin e filmit “Sand” të William S. Hart të vitit 1920.

Sipas Kastrati-Dill, ky është vlerësimi dhe titulli më i lartë që mund të ketë një drejtor filmi.

“Mendoj se mund të të japë më shumë kredibilitet për shkak se në fund të emrit i bart tri shkronjat ASC. Kësisoj të gjithë njerëzit e dinë që je vlerësuar prej njerëzve të tjerë të fushës tënde në nivel shumë të lartë. Mendoj se ndikon edhe në të ardhmen për projekte të tjera. Nuk mund të kryesh diçka më shumë për kamerë”, është shprehur Sevdije Kastrati-Dill e cila, sipas biografisë së saj, është kinematografja e parë nga Kosova.

Në vitin 2009, ajo u transferua në Los Angeles për të studiuar kinematografinë në “American Film Institute” ku diplomoi në vitin 2011.

Suksesi i Kastrati-Dill është edhe vlerësim i vetë kinematografisë në vend. Kinematografja Kastrati-Dill ka xhiruar edhe filmat kosovarë që kanë depërtuar në kinematografinë ndërkombëtare ku përfshihen “Kthimi” nën regji të Blerta Zeqirit, që triumfoi në Festivalin e Filmit në Sundance në vitin 2012. Puna e saj ka tërhequr vëmendjen globale, me filma si “Martesa”, po në regji të Blerta Zeqirit, “Nëntori i ftohtë” nën regji të Ismet Sijarinës, “Zana” nën regji të Antoneta Kastratit që u shfaq për herë të parë në Festivalin e Filmit në Toronto, e të tjerë. Filmi ku ajo po ashtu ishte drejtoreshë fotografie, “Vera andrron detin” nën regji të Kaltrina Krasniqit magjepsi shikuesit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia dhe mori çmim në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio në vitin 2021, si dhe çmimin “Ingmar Bergman” në vitin 2022. “Perpetrator” nën regji të Jennifer Reeder ku ajo xhiroi, u shfaq për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin në vitin 2023 si dhe në Amerikën e Veriut në “Tribeca Film Festival”. Filmi “Carved” i Justin Harding, produksion i vitit të kaluar ku ajo po ashtu ishte kinematografë, është lansuar në “Hulu” dhe “Disney+”.

Ajo është po ashtu anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit dhe “IATSE Local 600”.

Anëtarësimin në ASC, Kastrati-Dille e vlerëson një prej sukseseve të mëdha të karrierës së saj, por suksese më të mëdha konsideron punët e saj të njëpasnjëshme.

“Është një lloj kulmi, por gjithmonë projektet janë parësore. Kjo është një arritje shumë e lartë profesionale për mua, por normalisht që puna vazhdon. Për momentin jam në biseda për projekte që kanë qenë edhe para se të bëhem anëtare. Jam ende në bisedime, nuk i di ende datat kur do të nisin projektet”, është shprehur ajo.

Pos Kastrati-Dill, anëtar është edhe bashkëshorti i saj Bill Dill, kinematografi i njohur për filmat “Jason Goes to Hell: The Final Friday”, “Zana” dhe “A Dangerous Man”.

Aktualisht president i ASC-së është kinematografi amerikan Shelly Johnson. Sipas të dhënave, aty janë gjithsej 440 anëtarë nga e gjithë bota.

“Janë prej gjithë botës, ka drejtorë kinematografie që kanë punuar në projekte që janë vlerësuar shumë lart në aspekt profesional”, ka thënë Sevdije Kastrati-Dill.

Në rubrikën “News” të uebfaqes së ASC-së, organizata i uron mirëseardhje duke përfshirë biografinë e saj ku tregon se filmat ku ka punuar ishin kandidatë të Kosovës për “Oscar”.