E lindur në Tiranë në kohën e komunizmit nga prindër artistë e intelektualë, thotë të ketë përjetuar një fëmijëri krejt ndryshe. Por rruga e saj me artin ishte e natyrshme dhe pa barriera. “Mundohem që frymëzimin ta marr nga shqipja dhe ta çoj edhe në gjuhë të tjera”, ka thënë ajo. Në vitin 2014, Elina Duni vjen për herë të parë si kantautore me albumin e saj solo “Muza e zezë”. Bashkë me muzikantë shqiptarë i ka interpretuar këngët e saj ngado. Tash ajo skenën e ndan me jazz-kitaristin dhe kompozitorin anglez Rob Luft
Në skenë del me goxha stil. Me këngët që i këndon është pashmangshëm e lidhur. Andaj, tekstet në interpretimin e saj ngjallin ndjesinë e kristaltë të autenticitetit të tyre. Pjesë e performancës së saj është edhe defi. Kjo dëshmon se interpretimi i saj s’mund të përfundojë pa luajtur melodi shqiptare. Kryesisht janë këngë dashurie e malli për vendlindje. Atyre u ka dhënë frymën e jazzit – duke i çuar edhe te publiku që s’di asnjë fjalë nga kjo gjuhë. Në zërin e saj me interpretim plot ndjenja ato gjurmojnë më thellë te ata të cilëve ju interpretohen. Është kjo Elina Duni. Ajo që nuk kursen asgjë nga muzikaliteti i saj në skenë.
E lindur në Tiranë në kohën e komunizmit nga prindër artistë e intelektualë, thotë të ketë përjetuar një fëmijëri krejt ndryshe. Por rruga e saj me artin ishte e natyrshme dhe pa barriera. Madje si dyvjeçare bashkë me shumë gjëra të tjera në jetë kishte mësuar të këndonte. Ishte nga ata fëmijët që vallëzonte duke ecur. Si periudhë jo shumë e mirë për shumëkënd, Elina Duni kujton se s’ishte e vështirë të ishe fëmijë gjatë kohës së komunizmit. Majde, përkundrazi, ishte një liri që ia kishte bërë fëmijërinë shumë diellore.
“Ka qenë një kohë kur nuk ka pasur makina, kur s’ka pasur coca-cola, sigurisht s’ka pasur as internet, as telefona. Kishte një telefon për një lagje dhe një frigorifer për çdo lagje. Paradoksalisht, edhe pse Shqipëria ishte në diktaturë kur jeta për shumëkënd ishte shumë e vështirë, si fëmijë kam qenë shumë e lumtur. Si fëmijë mund të ishe e lumtur, sepse kishe një lloj lirie, ishe në mes të Tiranës, dhe Tirana ishte pa makina, vetëm me shtëpi private dykatëshe ku të gjithë kishin bahçe”, ka rrëfyer ajo në emisionin “Pro X” të KTV-së.
Kishte qenë veç 5-vjeçare kur ishte ngjitur për herë të parë në skenë. S’ishte nga ata fëmijët që këndonte në kor. Duni kishte përherë rolin e solistes. E ky rol që nga Tirana e ka përcjellë edhe në skenat më të njohura në vende shumë të largëta nga Shqipëria. Atje ku përcjell histori e melodi shqiptare. Duke qenë vajza e shkrimtares Besa Myftiu dhe e regjisorit Spiro Duni, rruga te muzika ishte shumë e lehtë.
“Prindërit më kanë përkrahur në çdo hap artistik që kam marrë dhe qysh në moshën 2-vjeçare kam kërcyer dhe kam vallëzuar gjithë kohën, dhe kështu më ka zbuluar edhe Fatos Qerimi, i cili po kompozonte këngë për fëmijë”, ka treguar ajo. Duke qenë bijë e një regjisori ishte e familjarizuar me skenën. Madje në skenë teatri ka thurur edhe ëndrrat për skenën. Aty kishte imagjinuar për herë të parë sallën plot. Gjatë viteve 1986-1991 ajo këndoi në Radiotelevizion ashtu si dhe në festivalet e fëmijëve.
“Isha soliste si e vogël dhe skena ishte diçka shumë e natyrshme për mua. Babai ishte regjisor teatri dhe aktor, shkoja shumë shpesh në teatër dhe sa herë teatri zbrazej hipja në skenë dhe imagjinoja që ishte plot dhe filloja të këndoja e recitoja. Dëshirën për të qenë në skenë e kisha qysh e vogël”, pohon Duni. Si 5-vjeçare filloi shkollimin për violinë, ani pse anonte më shumë kah pianoja. Tek kur u shpërngulën në Zvicër ajo u fokusua më shumë në piano klasike. Studioi për këtë instrument në Konservatorin e Gjenevës, ku vazhdoi studimet e muzikës në shkollën e mesme artistike “De Saussure” ku edhe zbuloi jazz-in. Në vitin 2000, pasi merr diplomën e maturës në degën artistike dhe të gjuhëve të huaja, Elina Duni bën pjesë në një risi projektesh të ndryshme. Midis viti 2000 dhe 2004, Elina Duni luan në filmin "Yllka" (Shqipëri-Zvicër 2002), ku bashkëpunon edhe për muzikën e filmit. Bashkë me pianistin Gent Rushi, ajo jep koncerte të ndryshme në Shqipëri dhe luan në shfaqjen “Tre farca nga Tchehov” të Spiro Dunit. Gjatë viteve 2004-2008, Elina Duni studioi në Shkollën e Lartë të Arteve në Bernë (HKB) në degën jazz për kanto, kompozicion dhe pedagogji. Ishte viti 2005 kur ajo krijoi grupin “Elina Duni Quartet” me Colin Vallon në piano, Patrice Moret në kontrabas dhe Norbert Pfammatter në bateri. Duke hyrë në botën e tingujve ballkanikë të jazit, ajo nisi një rrugë të pathim në botën e tingujve shqiptarë.
“Ishte prirja ime për të kënduar shumë gjëra bluz dhe pas bluzit erdhi dhe jazi, njëlloj rrugëtimi shumë logjik dhe pastaj vazhdova të këndoja standarde të jazit. Në moshën 20-vjeçare fillova të interesohesha për muzikën shqiptare dhe muzikën e Ballkanit, me Colin Vallon”, ka rrëfyer ajo. Duke qenë se është rritur në komunizëm, kur muzika nuk i shërbente popullit por përdorej më shumë si mjet propagande, Duni i njihte pak këngëtarët shqiptarë. Një CD që nëna e saj, Besa Myftiu, e kishte marrë me vete përmbante këngët e këngëtarëve Merita Halili, Bujar Qamili, Eli Fara e Fitnete Rexha. Më të dëgjuar atë, Dunit iu duk se këto këngë kishin qenë përherë brenda saj. Dhe përherë tash nga brenda i nxjerr në skenë. Aty për të filloi puna e vërtetë me këngët shqiptare, duke i trajtuar ato si standarde jazi, duke marrë një lloj lirie në trajtimin e këngëve dhe një shikim pak më ndryshe.
“Çuditërisht m’u dukën shumë të afërta, kam përshtypjen që ato këngë kishin qenë gjithmonë brenda meje, por që deri atë kohë s’e kisha gjetur çelësin ndaj tyre. Më pëlqenin këngët e të gjitha trojeve, pastaj fillova dhe hulumtova shqiptarët e Maqedonisë, arbëreshët, arvanitasit”, ka treguar ajo. Ky rrugëtim e çoi te albumi i tretë “Matanë malit”, ku bashkë me kuartetin këndonte vetëm këngë në gjuhën shqipe. Ky album, që ishte një homazh për Shqipërinë, u publikua te një nga shtëpitë diskografike më të famshme të jazz-it në botë: “ECM/Universal”. Grupi fitoi çmimin “Jazz Pott” në Essen, Gjermani, dhe luajti në gjithë Evropën dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në prill të vitit 2015, Kuarteti publikon albumin e radhës tek ECM, “Dallëndyshe”. Një album që risjell këngët e vjetra shqipe në një formë plot finesë ritmike dhe subtilitet. Albumi korr shumë sukses te shtypi evropian. Ajo ka kënduar në shumë gjuhë. Thotë se e udhëhiqte dëshira për të hulumtuar gjithë muzikën e Ballkanit. Por kur u fut në detin e pafundmë të muzikës shqiptare, për Dunin s’kishte kthim prapa.
“Aty ishte kulmi i këtij kërkimi muzikor”, thekson Duni. Një periudhë të suksesshme në muzikë thotë se e jetoi me “Elina Duni Quartet”.
“U rrita me këtë kuartet muzikalisht dhe jetova atë që desha unë të jetoja, të udhëtosh gjithandej dhe të këndosh gjithandej. Të këndosh shumë shqip në shumë vende si në Japoni ose në Rusi ishte diçka shumë interesante”, ka thënë tutje ajo. Të gjitha këto turne me grupin thotë se e kanë rritur muzikalisht. Ajo çfarë e ka bërë rrugëtimin e saj më të paharruar është mirënjohja e njerëzve nga vende të largëta
“Ishte një eksperiencë shumë e bukur, ishte mirënjohja e njerëzve. E mbaj mend sidomos në Siberi që ishte shumë larg, ishte mirënjohja e njerëzve që thoshin: ‘Faleminderit që keni ardhur deri këtu për ne. Ishte diçka shumë e prekshme’”, shprehet tutje ajo. Flet pesë gjuhë, por lista e gjuhëve me të cilat ka kënduar është shumë e gjatë. Emocioni që ia jep gjuha amtare dhe gjuhët që i zotëron për të janë emocion i pakrahasueshëm.
“Kam kënduar në arabisht një këngë që është një poezi dashurie e shekullit të 13-të, mundohem gjithmonë ta shijoj tingullin, sepse nuk kam çfarë të shijoj tjetër. Por sigurisht kur këndoj shqip dhe frëngjisht kam shumë emocion”, ka thënë tutje ajo. Për dhjetë vjet ka kënduar pothuajse gjithmonë vetëm shqip. Kjo gjuhë e frymëzon edhe kur këndon në gjuhë të tjera.
“Mundohem që frymëzimin ta marr nga shqipja dhe ta çoj edhe në gjuhë të tjera”, ka thënë tutje ajo. Në vitin 2014, Elina Duni vjen për herë të parë si kantautore me albumin e saj solo “Muza e zezë”. Bashkë me muzikantë shqiptarë i ka interpretuar këngët e saj ngado. Tash ajo skenën e ndan me jazz-kitaristin dhe kompozitorin anglez Rob Luft. Luft fillimisht kishte mësuar repertorin e saj shqiptar dhe bashkë kanë kompozuar edhe disa këngë. Bashkë kanë një repertor shumë të larmishëm me këngë në shumë gjuhë. Bashkë kanë realizuar edhe albumin “Lost shpis” e po bëhen gati për albumin e radhës. Prania e Luft-it në jetën e saj si partner skene e jete thotë se e frymëzon kudo.
“Është një partner me të cilin ndaj jetën time, aventurat e muzikës. Është një njeri shumë solar që ka shumë dritë. Është gjë shumë e bukur të gjendesh me të në skenë dhe të frymëzon gjithashtu”, ka thënë ajo.
Sa herë që gjendet në skenë, ajo me këngë e fjalë komunikon me ta. Ajo me ritme shqiptare vallëzon e këndon – e pjesë të performancës së saj e bën edhe publikun. Mesazhi i saj për secilin është mosdorëzimi. “Jemi të gjithë ushtarë të së bukurës”, thotë Duni që me performancat e saj mundohet ta përfshijë gjithkënd në lojë artistike. Me ta përherë ngulmon të krijojë një lidhje të padukshme aty ku interpreton.
“Diçka që për mua është fondamentale, te njeriu është ajo lidhja e padukshme që na bën të ndihemi bashkë duke ndarë këtë emocion”, shprehet tuje Duni.