Interpretues nga Ukraina, Gjermania, Italia, Austria, Zvicra, Shqipëria e Mbretëria e Bashkuar i dhanë tjetër frymë Mitrovicës të martën mbrëma. Grupi i katërt dhe i fundit që u ngjit në skenën e vendosur në fillim të sheshit të Mitrovicës qe Elina Duni e Rob Luft, bashkë me Viktor Filipovski e Kiril Tufekcievski. Një program me këngë shqipe të vjetra e të “përkthyera” në një jazz të veçantë ishte ajo që pos nga Duni u këndua edhe nga publiku në Mitrovicë
Udhëtimi në veçantinë e katër grupeve të ndryshme që të përbashkët kanë zhanrin jazz është ajo që ka sjellë në ditën e dytë “Mitrovica Internacional Jazz Days”.
Interpretues nga Ukraina, Gjermania, Italia, Austria, Zvicra, Shqipëria e Mbretëria e Bashkuar i dhanë tjetër frymë Mitrovicës të martën mbrëma.
Mbrëmja me katër koncerte në të nisi me këngët qindravjeçare ukrainase të sjella nga ansambli “Ganna”. Madje shpesh artistët e këtij grupi bashkëvepronin me publikun shqipfolës. Se çka ofroi publiku për grupin, anëtarët kanë thënë se qe dashuria.
Programi i ditës së dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Jazz-it në Mitrovicë vazhdoi me kuartetin eksperimental nga Italia, që publiku e duartrokiti shpesh. Vazhdoi me pika sentimentale nga duo Karen Astarian dhe Andrej Prozorow.
Grupi i katërt dhe i fundit që u ngjit në skenën e vendosur në fillim të sheshit të Mitrovicës qe Elina Duni e Rob Luft, bashkë me Viktor Filipovski e Kiril Tufekcievski. Një program me këngë shqipe të vjetra e të “përkthyera” në një jazz të veçantë ishte ajo që pos nga Duni u këndua edhe nga publiku në Mitrovicë.
Magjike qe nata e dytë e Festivalit që veçohej akoma më shumë në atë që dëshmonte: Mitrovica e do muzikën jazz. Krejt kjo vërtetohej kur publiku për gati tri orë e dëgjoi këtë lloj muzike, madje në raste edhe është bashkuar si kor. Në karriget e bardha të vendosura mu para skenës së festivalit kanë zënë vend të gjitha moshat.
Tingujt nga instrumentet e ndryshme ndërronin nga kënga në këngë. Herë bëheshin të fortë e shtonin adrenalinën, herë zbuteshin e përcillnin ndjenja sentimentale. Krejt kjo përcillej me interaktivitetin e publikut.
“Ishte e mrekullueshme. U dashurova me njerëzit në Kosovë. Nuk kam qenë më parë këtu, kështu që ka qenë shumë emocionuese. Ka qenë një aventurë që të bëjmë gjithçka të funksionojë dhe të vijmë këtu. Jam shumë, shumë e lumtur të takoj të gjithë”, ka thënë Ganna Gryniva, këngëtarja e grupit “Ganna Ensamble”. Duke qenë se në Kosovë erdhën për herë të parë, pozitive është përshtypja me të cilën do të ikin. Gryniva vuri në pah një karakteristikë të veçantë: audiencën diverse të jazz-it në Kosovë.
“Jam shumë e impresionuar me audiencën. Ka qenë shumë diverse, ka pasur edhe shumë të rinj. Kjo është unike. Shumë shpesh audiencë e jazz-it janë njerëzit më në moshë, por këtu ishin të gjithë dhe kjo ishte e bukur”, ka thënë ajo.
Kulmin mbrëmja e kishte kur ajo që përçonte muzika shoqërohej edhe me tekst. Me Elina Dunin në skenë, publiku nuk ndiente vetëm muzikën, por edhe këngët shqiptare. Këndonte bashkë me të.
“Është një kënaqësi shumë e madhe. Qysh në momentin e parë që Rona më kontaktoi i thashë se do të vij me shumë dëshirë. Kisha 20 vjet pa ardhur në Mitrovicë dhe m’u duk shumë e rëndësishme të isha pjesë e këtij edicioni, për muzikën dhe kulturën. Është edhe një akt shoqëror që të ndodhë ky festival në Mitrovicë”, ka thënë Duni.
Ajo bashkë me grupin performues sollën këngë të ndryshme shqipe me traditë shumëvjeçare. “As e vogël, as e madhe”, “O vendi im”, “Mora testin”, Hape derën” ishin vetëm disa nga perlat shqipe që Duni i solli në skenën e Mitrovicës, në stilin e saj të veçantë të jazz-it. Siç ndodh shpesh, Duni e veshur në të bardha solli performancën tok me vallëzimin që i jep ritëm mbrëmjes.
Ndonëse jo për herë të parë në Kosovë, Mitrovica qe eksperiencë e re për instrumentistin Rob Luft, bashkëshortin e Dunit. Tregoi se eksperienca qe e paharrueshme.
“Është e mrekullueshme të jem këtu. Është hera ime e parë në Mitrovicë dhe po e ndiej se nuk do të jetë e fundit. Është një festival i mrekullueshëm. E dua shumë audiencën, janë njerëz të ngrohtë me një energji shumë të mirë. Është shumë e rëndësishme të jetë një festival i jazit në Mitrovicë. Kështu që mirë, dashuria e bën që ai të vazhdojë”, ka thënë Luft. Ka treguar se i pëlqen të performojë këngët shqipe përderisa veçoi si të preferuarat këngët e Nexhmije Pagarushës.
Programi i ditës së dytë të Festivalit mitrovicas solli në skenë emra të njohur të jazz-it.
Rona Nishliu, organizatore e Festivalit, ka thënë se është e kënaqur me rezultatin e punës së vazhdueshme që ata kanë bërë për ta sjellë në Mitrovicë edicionin e parë.
“E rëndësishme është që kanë ardhur. Ka qenë pak e vështirë, por s’ka rëndësi. Ne arritëm që t’i sjellim me ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe atyre që na besuan. Ishin shtysa dhe shtylla kryesore e krejt kësaj që e kemi parë për dy ditë dhe do ta shohim edhe në vijim në koncertin përmbyllës”, ka thënë Nishliu.
Mirënjohëse për nismën e një festivali të jazz-it në Mitrovicë u shpreh edhe drejtoresha e kulturës në këtë komunë, Valdete Idrizi.
“Jam jashtëzakonisht e lumtur dhe shumë krenare që është bërë ky festival. Është një ëndërr, sepse thjesht duam që Mitrovicën ta kthejmë në binarët e zhvillimit qysh edhe e meriton. Jemi qyteti i kulturës dhe traditës, i jazzit, i rockut. Prandaj dua ta bëj një falënderim publik për gruan dhe artisten fantastike, Rona Nishliu, që e ka themeluar këtë festival. Ka qenë kënaqësi jashtëzakonisht e madhe për ne si komunë që të bashkëpunojmë dhe ta përkrahim. Kështu që jam shumë e sigurt që do të bëhet tradicional dhe jetëgjatë”, ka thënë Idrizi.
“Mitrovica International Jazz Days” nisi edicionin e parë të tij këtë të hënë, përderisa përfundon të shtunën, më datë 2 shtator. Richard Bona dhe “Big Band” bëri hapjen e këtij festivali, përderisa në mbyllje do të performojnë tri grupe të ndryshme. Miachel League dhe Bill Laurance do ta bëjnë hapjen e koncertit të 2 gushtit, për të vazhduar me Daphna Levy dhe Tamir Miler, e për t’u përmbyllur me “UP Youth Jazz Ensemble” nga Kosova.