Kulturë

Elezi dhe La Luz midis klasikes dhe elektronikes në hapje të Garës së Kompozitorëve

Nën dritën e kuqe të reflektorëve instrumenteve iu dilte në pah shkëlqimi. Në atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit publiku ishte i përgatitur për një koncert jo fort të zakontë. E me daljen në skenë të dyshes Natyra Elezit dhe Danile la Luzit, instrumentet veç nisën të shkëlqenin edhe më. Tash nëpërmjet tingujve. Në të njëjtën kohë është hapur edhe edicioni i tretë i Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë.

Koncerti i së shtunës mbrëma nisi me veprën e kompozitorit amerikan, Frederic Rzewski, “Second Structure” të vitit 1972. Por loja e dyshes, Elezi dhe La Luz, dallonte nga ajo që zakonisht mund të dëgjohet kur interpretohet kjo vepër. Tingujt vinin nga kombinimi i instrumenteve elektrike të La Luzit dhe loja në piano e Elezit. Këtu dallonte edhe mënyra se si Elezi luante në piano. Ndryshe nga që zakonisht interpretohet në piano, Elezi qëndronte në këmbë dhe tingujt i krijonte nëpërmjet telave të trefishtë dhe atyre të akordimit të cilët gjenden nën kapakun e pianos. Përveç me duar, me anë të të cilave tërhiqte telat për të krijuar tingujt, Elezi përdorte edhe një shkop të hollë me të cilin rrihte telat a pjesët e drunjta të pianos.

Vepra përbëhet nga gjashtë kohë. Në pjesën e parë të saj dy artistet kombinonin tinguj zhanresh krejtësisht të kundërta, ndërsa në pjesën e dytë hapësirë e veçantë u jepej tingujve të pianos, tash të krijuar në tastierë. Dyshja interpretoi e edhe një improvizim që përbënte një vepër më vete. Gjatë kësaj kohe, një theks të veçantë mori muzika elektronike e La Luzit. Ajo i ngjante shumë asaj lloj muzike që zakonisht e dëgjojmë nëpër klube nate, dhe si rezultat i kësaj, shumë nga publiku u panë duke lëvizur kokat në harmoni me ritmin e muzikës.

Interpretimi para shtetasve dhe të afërmve të vet ka qenë tejet emocional për pianisten Natyra Elezi, e cila ka dhjetë vjet pa performuar në Kosovë.

“Kam qenë shumë e stresuar para se të dilja, sepse para familjes dhe shoqërisë që e kam në Prishtinë nuk kam luajtur qe 10 vjet dhe ishte një lloj presioni për të luajtur sa më mirë, por edhe për të krijuar një atmosferë sa më të mirë për të gjithë njerëzit që vijnë për të parë sidomos, sepse ata ta kushtojnë ty një copë nga koha e tyre. Kjo është edhe një lloj përgjegjësie për cilindo muzikant”, ka thënë ajo pas koncertit.

Elezi ka treguar se në të vërtetë muzika e tyre është ende në fazën e testimit dhe se kombinimi i tyre nuk është aspak i lehtë.

“Është një kombinim që jemi duke e testuar që instrumentet akustike t’i kombinojmë me ato elektronike, që është tepër e vështirë për shkak se janë dy mediume komplet të ndryshme prej njëra-tjetrës. Kur si person luan në një instrument, je i kufizuar me tingullin që ai instrument bën. Ndërsa me elektronikë ke zgjedhje pa limit. Por në anën tjetër pjesa elektronike është tepër e saktë, diçka që ne si njerëz nuk e kemi, në kuptimin që të jemi gjithmonë të saktë, për të luajtur. Unë kam studiuar muzikë klasike dhe në të ritmet ndryshojnë tërë kohën”, është shprehur Elezi, e cila jeton në Munchen të Gjermanisë.

Për muzikën që ato krijon dhe specifikat e saj ka folur edhe artistja e muzikës elektronike, La Luz. Ajo ka thënë se ky kombinim ka ardhur si rezultat i asaj se “muzika është muzikë” dhe se nuk është e domosdoshme të përfshihesh në vetëm një zhanër të caktuar.

“Si fëmijë kam dëgjuar zhanre të ndryshme të muzikës, pa marrë parasysh nëse ka qenë Elvis Presley, Chopin, Nirvana apo dikush tjetër. Muzika është muzikë e edhe Natyra mendon të njëjtën gjë, kështu që ne përpiqemi të mos krijojmë diçka specifike për një zhanër. Gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi të lira, sepse skena klasike ka të bëjë me prova, prova, prova dhe ndonjëherë është mjaft e kufizuar. Na pëlqen të dalim përtej saj, sepse ne kemi shpirt të lirë, kështu që qëllimi ynë është të krijojmë diçka midis xhazit, muzikës klasike e ndoshta edhe asaj popullore”, ka thënë artistja me prejardhje polake.

Përveç interpretimit me instrumente elektrike, La Luz krijonte tinguj edhe përmes rrahjes së tavolinës me duar, shishes së plastikës e herë pas here ajo hynte edhe në interpretime, duke lexuar fragmente tekstesh a duke kënduar këngë të ndryshme në gjuhën gjermane a angleze.

“Lexova diçka nga libri i shkrimtarit tashmë të ndjerë nga Britania e Madhe, Mark Fisher. Në të ai flet për politikën, pop kulturën, sociologjinë, të ardhmen, matricën tonë dhe mediat sociale. Sigurisht të gjitha këto bashkohen në një neokapitalizëm që tingëllon si diçka e çuditshme. Ai ka një pjesë ku flet edhe për muzikën, artistët e të tjerë”, ka shpjeguar La Luz.

Themeluesi i Garës së 3 të Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë, Dardan Selimaj, ka treguar se si ishte njohur fillimisht me këto dy artiste. Fakti se ato kishin kombinuar dy lloje muzikash komplet të kundërta, kishte bërë që Selimaj t’i shihte si dy artiste të denja për ta hapur këtë garë.

“Natyra Elezi dhe Danile la Luz janë dy artiste që unë i njoh në rrethana të ndryshme. Natyrën si pianiste të skenës kosovare dikur, e re, e talentuar, me perspektivë. Danielën si një artiste e muzikës elektronike të cilën kam pasur rast ta dëgjoj për herë të parë në një prej eventeve të ‘Hapësirës’. Daniela ka një karrierë të suksesshme si DJ dhe kur e kam parë që dy artiste, që unë i kam pëlqyer në dy kontekste të ndryshme, janë bërë bashkë, kam menduar që është programi ideal për ta hapur Garën e Kompozitorëve të Ballkanit”, ka thënë Selimaj.

Në rolin e themeluesit dhe organizatorit, Selimaj ka treguar edhe për ecurinë që do të ketë kjo garë kompozitorësh. Ai ka vlerësuar veçmas bashkëpunimin që këtë vit do të kenë me NEC – Nouvel Ensemble Contemporain (Ansambli i Ri Bashkëkohor).

“Edicioni i Tretë i Garës së Kompozitorëve të Ballkanit po kthehet në komunikim me publikun, sepse edicionin e dytë kemi qenë krejt online për shkak të pandemisë. E kemi themeluar në vitin 2019 si platforme për t’iu dhënë mundësi kompozitorëve të rinj të punojnë me ansamble të vendeve evropiane. Ndryshe nga dy edicionet e mëhershme kur bashkëpunimin e kemi pasur me një kolektiv muzikor holandez, kësaj here e kemi zhvendosur në Zvicër me ansamblin ’Nec’, që është ansambli i muzikës bashkëkohore dhe na vjen mirë që kemi arritur këtë bashkëpunim, sepse është një prej ansambleve me reputacion dhe besoj se do t’ia shtojë peshën garës”, ka thënë Selimaj, bashkëthemelues i festivalit të muzikës, “DAM”.

Gara tashmë ka finalistë: Christos Ntovas dhe Konstantinos Chaliasas nga Greqia, Jetmir Zaganjorin nga Shqipëria dhe Ylli Daklanin nga Kosova. Përveç shpërblimit “Rrëqebulli i Argjendtë” që ndahet më 7 prill, Selimaj ka bërë të ditur se fituesi do të ketë mundësinë t’i interpretohet vepra në koncertin e ansamblit “Nec” në Zvicër më 11 prill.

të njëjtën kohë vepra e tij do të transmetohet në kanalin e dytë të radios zvicerane, që për kompozitorë të muzikës bashkëkohore është shans i mirë, meqë nuk është e kollajshme që të depërtohet deri te radiot që kanë programe që specifikisht merrem me transmetimin e muzikës klasike bashkëkohore”, ka bërë të ditur Selimaj pas koncertit hapës të garës që është derivat i festivalit “DAM”.