Kulturë

Elektrizimi i Filharmonisë në festë dashurie e paqeje

Filharmonia e Kosovës

Koncerti hibrid i Filharmonisë së Kosovës e kthen në institucion që di të bëjë spektakël përtej klasikes (Foto: Arben Llapashtica)

Në koncertin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, Filharmonia është “çliruar” prej seriozitetit që e shquan. DJ Derrick May i është bashkuar orkestrës, audienca tok me instrumentistët kanë vallëzuar njashtu sikurse maestro Dzijan Emin. Salla e djegur e Pallatit të Rinisë është dukur krejt tjetër, pos zhanreve janë shkrirë edhe gjeneratat në një festë dashurie dhe paqeje me atë që është pagëzuar “Strings of life”

Efekti i parë: radha si rrallëherë për të hyrë në një koncert të Filharmonisë së Kosovës. I dyti: audiencë që s’ka marrë pjesë kurrë në një koncert të këtij institucioni. I treti: muzikë për ata që duan të qëndrojnë ulur dhe të shohin një orkestër filharmonie e edhe për ata që duan të vallëzojnë. Numërimi i efekteve do të ishte edhe më i gjatë nëse merren parasysh edhe perspektiva të tjera të të parit të ngjarjes. Por e gjithë kjo nuk do të bëhej pa një koncert hibrid që Filharmoninë e Kosovës e kthen në institucion që di të bëjë spektakël përtej klasikes. 

Institucionet qendrore të kulturës kanë formatin e tyre të seriozitetit. Për profesionistët që janë krijuar si profesionistë e emra në shekullin e kaluar eksperimentimi është zor i pranueshëm. 

Por kohëve të fundit muret e stileve e të zhanreve po bien. Joshja e audiencave dhe dhurimi i spektakleve në ditë të veçanta festive janë bërë pjesë e programeve në formacione serioze artistike. Këtë e provoi edhe Filharmonia e Kosovës të martën mbrëma në koncertin e parë që mbahet në kuadër të përvjetorit të çlirimit të Kosovës. 

Radha për të parë koncert të Filharmonisë së Kosovës nuk ka qenë kurrë më e gjatë, përjashto rastet kur mbyllet sezoni në ambient të hapur. Kontrollet e sigurimit para hyrjen në sallën e djegur të Pallatit të Rinisë dhe Sportit kanë ngjarë me procedurat që zhvillohen për të hyrë në ndonjë diskotekë. E me të hyrë brenda për nga numri i publikut vërehet se bëhet fjalë për diçka të veçantë. Në pjesën bazike të sallës janë shumica, përfshirë ata që duan t’ia thonë vallëzimit. Në dy platformat sipërore ka qenë publiku që konsiderohet besnik i Filharmonisë. 

“Strings of life”, kompozuar DJ i muzikës elektronike, Derrick May më 1987 qe nisma kur zhanret nisën të përqafojnë njëra-tjetrën. Fryma e këtij inovatori ndryshe njihet si “Detroit Techno”. Bashkoi DJ me piano e harqe për të dhuruar spektakël (Foto: Arben Llapashtica)

Improvizimi me perde e skenë në kohë nate e bën sallën e shkrumbuar të duket në rregull. E kur i shtohet muzika, detajet e tjera bien në ujë. 

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës për herë të parë ka luajtur bashkë me DJ. Me të nisur koncerti hibrid, audienca ka nisur të nuhasë se bëhet fjalë për krejt tjetër gjë. Muzika elektronike bashkë me piano e Orkestër janë trinom që efektin e kanë të lartë. Shkrirja e stileve duket fort e natyrshme. E qartë, pa e dëgjuar tingëllon e largët. 

Por “Strings of life”, kompozuar DJ i muzikës elektronike, Derrick May më 1987 qe nisma kur zhanret nisën të përqafojnë njëra-tjetrën. Fryma e këtij inovatori ndryshe njihet si “Detroit Techno”. Bashkoi të qenit DJ me piano e harqe për të dhuruar spektakël. Amerikani May është i zoti i kësaj. E para dhjetë vjetësh në bashkëpunim me miq të tjerë, përfshirë dirigjentin e kompozitorin Dzijan Emin, kanë punuar në një program dyorësh që e kanë shëtitur gjithandej botës. 

Kësaj here ishte radha e Kosovës. Me ekranet në prapavijë ku lojërat e teknologjisë bëjnë të veten dhe efektin e dizajnit të dritave, publiku ka qenë para një koncerti, është dukur tamam spektakël. Përderisa elektronikja ka marrë vëmendje, futja në lojë e harqeve, tupanëve e pianos ka thyer ndjesinë e klasikes. E krejt bashkë kanë çuar të pranishmit në tjetër nivel. Pas nja një orë lojë, një pjesë e vogël kanë lëshuar sallën. Besnikët e Filharmonisë dhe ata të muzikës elektronike kanë vazhduar të përjetojnë spektaklin e shumëfishtë. Thjesht, kanë çfarë të tregojnë. Kanë parë orkestër që kur pushon duke i lënë rrugë DJ-it, vallëzon. Më pas me ritme më të vogla vallëzon edhe duke luajtur. 
Kanë parë dirigjent që më shumë duket se vallëzon sesa dirigjon. E kur publiku e bën me dije se janë brenda konceptit, atmosfera nuk njeh kufij. Në një pikë edhe ata që zgjedhin të ulen ngrihen për të vallëzuar duke bërë që ngjyrat e sallës të ndryshojnë. 

Dirigjenti e kompozitori Dzijan Emin nuk dirigjon. Kënaqet. Këtë e tregon në çdo lëvizje dhe pavarësisht që koncertin e titulluar “Strings of life” e ka kompozuar para një dekade, duket sikur e ka entuziazmin e premierës (Foto: Arben Llapashtica)

Dirigjenti e kompozitori Dzijan Emin nuk dirigjon. Kënaqet. Këtë e tregon në çdo lëvizje dhe pavarësisht që koncertin e titulluar “Strings of life” e ka kompozuar para një dekade, duket sikur e ka entuziazmin e premierës. 

“Kishim një javë prova me Orkestrën dhe të gjithë jemi kënaqur duke arritur te ky rezultat. Jam i lumtur dhe falënderues ndaj muzikantëve për punën që kemi bërë”, ka thënë ai. Entuziazmi i vërehet edhe pas koncertit. 

Ka treguar se një prej arsyeve të realizmit të këtij projekti është që të kenë koncerte me audiencë që nuk kanë qenë kurrë në diskoteka e po ashtu audienca që nuk kanë qenë kurrë për të parë një koncert me muzikë klasike. 

“Kësisoj lidhen dy botë muzikore që janë krejtësisht të kundërta dhe bëhen një. Ideja kryesore është si t’i lidhim njerëzit dhe të synojmë dashuri dhe paqe dhe këtë ta bëjmë me audienca gjithandej botës. Kjo është ideja kryesore”, ka thënë ai. E kanë provuar këtë edhe në Kosovë. Dhe ia kanë dalë. Bashkimi i audiencave duket krejt real dhe i gjallë. 

Muzikanti Derrick May është i lindur për muzikë elektronike. Në një bisedë pas koncertit ai flet sikur në atë moment është duke improvizuar melodi. Interesimi i tij nuk prek veç fokusin e të kënaqurit të audiencës. 

Pianisti Francesco Tristano luan me orkestra të llojllojshme. Sot mund të luaj ndonjë vepër të Bachut në ambiente ku pos pianos e harqeve s’merr frymë gjë tjetër e të nesërmen zhanret përzihen sa në skenë ka edhe DJ (Foto: Arben Llapashtica)

“Në aspektin kulturor të jem i ftuar në Kosovë ishte shumë e rëndësishme për komunitetin këtu dhe po ashtu edhe për mua. Është e rëndësishme pasi Kosova ka arritur muzikalisht. Është e hapur për shumë ide dhe për atë që po ndodh. Kjo tregon për të ardhmen e këtij vendi. Të shoshësh entuziazmin këtu është gjë tejet e bukur”, ka thënë ai derisa mbante në dorë një puro. 

Koncertin e sheh si diçka shumë eksperimentale pa restrikcione dhe mundësi që muzikantët vërtet të jenë tërheqës. Gjatë gjithë mbrëmjes duket sikur improvizon dhe është i ndarë nga ansambli që e rrethon. Improvizimin e ka real. Harmoninë po ashtu. 

“Çfarë bëj unë është stil i lirë. Nuk mbaj para vetes ndonjë partiturë. Unë vendosi çfarë të luaj në skenë. Është çmenduri apo jo? Gjenerata ime e DJ-ve dallon shumë nga pasardhëset. Kemi punuar shumë për t’i bërë njerëzit për vete për të sjellë risi. Tash DJ-të punojnë vetëm për të mbajtur njerëzit përreth tyre”, ka thënë muzikanti që ka shkelur çdo cep të botës me stilin e tij. DJ me nam botëror më të madh se ai ka gjithandej. Por të tillë që e ofron klasiken afër rrymave të reja, jo edhe aq. Në këtë rast ai bashkon gjenerata. Bëhet fjalë për koncerte ku shkojnë tok nipa e gjyshër dhe jo sa për t’ia bërë qejfin njëri-tjetrit. 

Pianisti Francesco Tristano luan me orkestra të llojllojshme. Sot mund të luajë ndonjë vepër të Bachut në ambiente ku pos pianos e harqeve s’merr frymë gjë tjetër, e të nesërmen zhanret përzihen sa në skenë ka edhe DJ. 

“Në shekullin 20 kemi dashur që t’i ndajmë gjërat, të ndajmë klasiken nga elektronikja e DJ nga instrumentet. Kurse shekulli 21 është i bashkimit të të gjitha këtyre. Nuk na duhen ndarjet. Urat janë ndërtuar tash për gjeneratat e ardhshme për të qenë më të lirë dhe të shohin përtej mureve”, ka thënë ai.

Koncerti i së martës mbrëma qe një lloj testi. Më i miri që ka provuar Filharmonia e Kosovës deri tash. 
Zëvendësuesi i drejtorit të këtij institucioni, Dardan Selimaj, ka treguar se në kuadër të çerekshekullit të çlirimit të Kosovës pos këtij koncerti në fillim të korrikut në ambient të hapur në sheshin qendror të kryeqytetit do të interpretohet edhe vepra bashkëkohore e kompozitorit uellsian, Karl Jenkins, “Njeriu me armë”, me nëntitull “Meshë për paqe”. Ishte shkruar pikërisht 25 vjet më parë për viktimat e luftës së Kosovës. 

Bashkimi i gjeneratave që përjetojnë një ndjesi që veç muzika e këtij lloji e ofron, është dukur madhështore. Efektet e lojërave me drita e ekrane janë periferike. Kryesori është ai i spektaklit ku klasikja e elektronikja e ecin bashkë (Foto: Arben Llapashtica)

Por mbrëmja e së martës qe më festive. 

“Është projekt hibrid midis klasikes dhe elektronikës. Është një material që tërheq audiencë që nuk i përcjell koncertet e Filharmonisë, ndonëse Filharmonia nuk e ndien mungesën e publikut por gjithmonë duhet gjetur forma për të ofruar te orkestra edhe publikun që ndoshta heziton të ndjekë koncertet e Filharmonisë”, ka thënë ai. Ka sqaruar se nuk është projekt që do të zinte vend shpesh brenda sezonit të Filharmonisë, por është koncert që do të mund të kthehej në raste të veçanta në ditë feste. Selimaj nuk i ka fort në qejf eksperimentet në Filharmoni. Por në këtë rast është i idesë që ia ka vlejtur. 

“Jemi duke jetuar në kohën kur gjithçka është në zhvillim dhe një projekt si ky është tendencë për të gjetur forma shprehëse që mund ta definojnë kohën në të cilën jetojmë. Konsideroj që përgjigjja e publikut sot e konfirmon këtë”, ka thënë ai. Sipas tij, në projekte si ky jo përse janë më të lehta, pasi shpesh mund të jenë më kërkuese, muzikantët kanë mundësi që të përjetojnë një ndjesi tjetër dhe ndoshta ta provojnë veten në situata ku nuk gjenden shpesh.

Bashkimi i gjeneratave që përjetojnë një ndjesi që veç muzika e këtij lloji e ofron, është dukur madhështore. Efektet e lojërave me drita e ekrane janë periferike. Kryesori është ai i spektaklit ku klasikja e elektronikja ecin bashkë. Dhe në një kohë tejet dinamike si pjesa e parë e këtij shekulli, duket sikur nuk bëhet fjalë për tolerancë zhanresh, por për bashkëjetesë.