Kulturë

Elbenita Kajtazi zbërthen dashurinë në Hamburg, gati për Micaëla

Elbenita Kajtazi

Kudo ku këndon, Elbenita Kajtazi e pushton skenën. Publiku i Hamburgut e përcjell ngado, e gjatë shtatorit ka shumë arsye për të vazhduar kësisoj. Agjenda e saj në qytetin e dytë më të madh në Gjermani është e ngjeshur. Me veprën e Mozartit ka qenë e vetmja soprano në “Hamburger Mozartfest”, por intensive janë provat për premierën e “Carmenit” në Operën Shtetërore të Hamburgut, ku Kajtazi debuton në rolin e Micaëlas. “Gjashtë orë është minimumi i provave që po bëjmë këto ditë, prova me orkestër, prova në skenë, prova të kostumeve dhe të make-upit”, ka rrëfyer ajo të martën

Me zërin e saj që shpesh është cilësuar drithërues, sopranoja Elbenita Kajtazi ka zbërthyer historinë e një përpjekjeje të vazhdueshme për dashuri. Me një prej veprave të njohura të Mozartit, e përcjellë nga orkestra e të rinjve e Hamburgut, ajo ka hapur veprën “Ch’io mi scordi di te? ... Non temer, amato bene" (A do të të harroj? ... Mos u frikëso, i dashur), e përcjellë në piano nga Camille Lemonnier. Ajo ka qenë e vetmja soprano në kuadër të organizimit “Hamburger Mozartfest” që është mbajtur të dielën në “Laiszhalle”, që hapi dyert në vitin 1908, nikoqire e vazhdueshme e yjeve më të mëdha të muzikës.

Sopranoja nga Kosova, tash një yll botëror, ka interpretuar arien e njohur të cilën edhe vetë Mozarti e luante në piano. Siç shihet në video, me duartrokitje ka përmbyllur këndimin në sallën e madhe të stilit barok që ka kapacitet prej dy mijë ulësesh e që njihet për dizajnin e veçantë, përveçse për akustikën e shkëlqyer. Aty sopranoja, që deri tash ka zotëruar në skenë rolet e mëdha të veprave operistike, ka përçuar historinë e veprës që këmbëngul në një dashuri besnike e të pashtershme.

“Koncerti ka shkuar në mënyrë të shkëlqyer për shkak të akustikës që ka salla që të bën të ndihesh shumë mirë kur performon aty. Audienca e Hamburgut është gjithmonë shumë e dashur për mua, është publik që më përcjell kudo që këndoj”, ka treguar ajo.

Kajtazi aty ka pasur barrën e të shprehurit të emocioneve të kësaj dashurie që më zërin e saj kulmon në pyetjen “përse?”. Tingujt shprehen me intensitet të dendur e rigoroz. Tingujt pianistikë mes pauzave të fjalëve e mbizotërojnë atmosferën.

Image
Sopranoja Elbenita Kajtazi si Micaëla dhe Tomislav Mužek në rolin e Don Josés gjatë provave për “Carmen”, me premierën e së cilës Opera Shtetërore e Hamburgut do të hapë sezonin

“Orkestra përbëhet nga një grup i të rinjve të cilët kanë shumë vullnet dhe dashuri për muzikën klasike dhe mezi kam pritur të punoj me ta”, ka treguar Kajtazi për KOHËN.

"Ch'io mi scordi di te? ... Non temer, amato bene" (A do të të harroj? ... Mos u frikëso, i dashur), K. 505”, është një arie koncertale e kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart për soprano, piano dhe orkestër. Kompozitori i epokës së klasicizmit e kishte kompozuar këtë vepër në dhjetor të vitit 1786 në Vjenë. Shpesh konsiderohet si një nga kompozimet e tij më të mëdha në këtë zhanër.

“Ariet e Mozartit janë mjaft sfiduese, sepse të gjitha zgjasin minimum dhjetë minuta. Unë ndiej kënaqësi të veçantë kur këndoj arie të këtij kompozitori, sepse mezi kam pritur të kthehem te kompozitori im i preferuar”, ka rrëfyer tutje ajo.

“Landesjugendorchester (LJO) Hamburg” u themelua në vitin 1968 si një orkestër rinore e Hamburgut. Parimi i orkestrës rinore shtetërore është promovimi i muzikantëve të rinj në nivelin më të lartë, i kombinuar me përgjegjësinë sociale për t’iu dhënë të rinjve mundësinë për të zhvilluar talentin e tyre.

Elbenita Kajtazi në qershor të këtij viti ka debutuar në rolin e Mimit nga opera “La bohème” në shtëpinë operistike “Semperoper” në Dresden të Gjermanisë. Sopranon e cila po i futet një repertori më lirik e ndajnë veç pak ditë nga debutimi në rolin e Micaëlas të operës së famshme të kompozitorit francez Georges Bizet. Ajo është pjesë e koncertit të Operës Shtetërore të Hamburgut (Hamburgische Staatsoper) e cila me këtë vepër premierë e hap sezonin e ri. Është në mesin e emrave të njohur që në skenë do ta portretizojë rolin e Micaëlas, një vajzë fshati. Kajtazi mbi supe ka portretizimin e një vajzë të re e të pafajshme dhe shumë të dëlirë, që me kërkesën e mamasë së saj bëhet pjesë e një loje të dashurisë me personazhin Jose. Në një lojë dinamike, Kajtazi me zërin e karizmin e saj në skenë do të lëvizë në skena dinamike e lojëra që përshkruajnë fatin e Micaëlas. Nën regjinë e Herbert Fritsch-it, Kajtazi do të luftojë natyrën e butë të Micaëlas duke e matur skajshmërisht forcën e saj në skenë. Ajo do t’i shkojë deri në fund lojës së saj kryeneçe për dashurinë.

“Micaëla është një rol shumë i dashur, Bizeti edhe ashtu e ka përshkruar si një rol shumë të dashur, një vajzë shumë të edukuar që në këtë produksion do të jetë shumë luftarake dhe regjisori e ka paraqitur si një femër shumë të fortë që lufton shumë për njeriun që do ta ketë afër”, ka shpjeguar Kajtazi për KOHËN.

Image
“Ndihem shumë e privilegjuar dhe jam jashtëzakonisht e lumtur që repertorit tim të gjatë të roleve që i kam interpretuar po i bashkëngjitet edhe ai i Micaëlas dhe mezi po pres ta performoj”, ka thënë Elbenita Kajtazi

Tutje sopranoja nga Kosova ka rrëfyer për KOHËN se këto ditë po e shoqërojnë ditë intensive e më shumë prova të gjata. Ajo do të marrë pamjen e Micaëles me fustan të kaltër. Në imazhin që ka postuar ajo së fundmi në “Facebook” shihet në krah me tenorin kroat Tomislav Mužek, i cili do të debutojë rolin sfidues të Don Josés.

“Gjashtë orë është minimumi i provave që po bëjmë këto ditë, prova me orkestër, prova në skenë, prova të kostumeve dhe të make-upit”, ka rrëfyer ajo.

Elbenita Kajtazi është tashmë një figurë e njohur e skenave gjermane. Ajo ka një listë të gjatë të personazheve në repertorin e saj, duke filluar nga Pamina në “Flautin magjik”, Gretel në “Hansel and Gretel”, Musetta në “La bohème”, Liù në “Turandot”, Violetta në “La Traviata”, Adele në “Die Bat” e shumë të tjera.

“Ndihem shumë e privilegjuar dhe jam jashtëzakonisht e lumtur që repertorit tim të gjatë të roleve që i kam interpretuar po i bashkëngjitet edhe ai i Micaëlas dhe mezi po pres ta performoj”, ka thënë ajo.

Në prill të këtij viti, përmes një postimi në Facebook ajo kishte njoftuar se kishte pranuar çmimin “Dr. Wilhelm Oberdörffer – Preis”, i dhënë nga Fondacioni operistik i Hamburgut për artistë të cilët kanë treguar suksese të mëdha gjatë sezoneve të fundit. Në premierën e “Carmen” nga Opera Shtetërore e Hamburgut, Kajtazi do të prezantohet më 17, 22 dhe 28 shtator të këtij viti.

Shfaqja “Carmen” synon një publik më të gjerë. Ajo do të jepet të shtunën në Shtëpinë Operistike të Hamburgut në “Staatsoper Hambgur” duke filluar nga ora 20:15. Përveç dy mijë vetave që do të mund ta përcjellin nga afër, shfaqja nga televizioni gjerman “NDR” do të transmetohet live në ekranin e madh në sheshin “Jungfernstieg” në Liqenin Alster. Kjo mundësi e ka bërë Kajtazin që të ftojë të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë në Hamburg që t’i bashkohen në këtë mbrëmje.