Kulturë

Elbenita Kajtazi si Manon, dielli rreth të cilit sillen të gjithë

Sopranoja Kajtazi është cilësuar si një diell rreth të cilit sillen të gjithë protagonistët e produksionit që David Bösch ia ka bërë operës “Manon” të kompozitorit francez Jules Massenet, dhënë premierë në Operën Shtetërore të Hamburgut. “Vërtet, çfarë debutimi i suksesshëm!”, thekson mediumi gjerman “Operngestalten”. Sopranoja ka rezultuar pozitive me koronavirus dhe i është anuluar paraqitja për të premten. “Shpresoj të dal negative dhe të mund të performoj më 9 dhe 12 shkurt”, ka thënë Kajtazi gjersa ka shtuar se kritikat dhe komentet pozitive po e lumturojnë jashtë mase

Historia për vajzën Manon Lescaut, e cila prej një çupe naive bëhet një grua serioze, jo vetëm që ka inspiruar me dhjetëra artiste që ta interpretojnë atë në mënyra të ndryshme, por është gjithashtu edhe e përjetshme. Me këtë element e nis kritikën mediumi gjerman “Operngestalten” për operën e kompozitorit francez Jules Massenet, që u dha premierë të dielën mbrëma në Operën Shtetërore të Hamburgut. Sopranoja Elebenita Kajtazi ishte personazhi kryesor me portretizimin që ia bëri Manonit. Sipas “Operngestalten”, pikërisht përjetshmëria shumë bukur reflektohet edhe në produksionin që ka bërë David Bösch. E pakapërcyeshme është edhe performanca e Kajtazit. Vokali i saj, paraqitja e natyra, sipas kritikës, e bën publikun për vete që në momentin e parë.

“Manon” është një ndër operat më të famshme të Massenet dhe shumë shpejt pushtoi skenën operistike. Vepra që dha premierën në Paris në vitin 1884 ende mban një vend të rëndësishëm në repertorët e shtëpive të mëdha operistike. Është shembulli thelbësor i sharmit dhe karakteristikave esenciale të muzikës dhe kulturës parisiene të periudhës që njihet si “Epoka e bukur” (Belle Époque). Ndryshimet e shumta emocionale dhe pjekuria që përjeton Manon brenda pesë akteve të operës janë vështirë të kapërcyeshme.

“Të gjithë kolegët e saj janë disi në hije nga Manon por, megjithatë, në një mënyrë inspiruese. Kjo performancë e Manonit magjeps të gjithë, me shumë mundësi edhe përjetimesh të ardhshme më 4, 9 dhe 12 shkurt”, ka shkruar mediumi gjerman.

Po aty shkruhet se Manon është dielli rreth së cilës sillen të gjithë, kur është e veshur si fshatare, por edhe kur është e veshur me gëzof dhe rroba të shtrenjta.

“Vërtet, çfarë debutimi i suksesshëm”, thekson kritika.

Tregon se në aktin e parë ajo ka një djallëzi naive dhe hyn në skenë me një shportë për mace, në shpinë ka një çantë dhe është kurioze për botën dhe nuk heziton të provojë gjëra të ndaluara si alkooli dhe cigaret. Që në fillim, Kajtazi josh me tonin e pastër, të lartë dhe me lehtësinë që kombinon lojën me këndimin. Ajo arrin të portretizojë një dashnore të re të shkujdesur e që nuk u reziston dot tundimeve për para e famë. Me delikatesë dhe bukuri intonon: “Adieu, notre petite table”.

“Në aktin e dytë Kajtazi gjithashtu shfaq gëzimin për jetën, duke përdorur zërin dhe gjestet me mjeshtëri për të mësuar nga konti Des Grieux vendndodhjen e të birit. Në skenën e përmendur tashmë në manastir, Kajtazi në fakt arrin të shprehë dëshpërimin që ka Manon për të kërkuar kthimin e Des Grieux madje edhe me sjellje seksuale të pakufizuar”, shkruhet aty.

E në fund ajo është e robëruar, sepse gruaja që mund të shijonte vetëm ekstremet, të tilla si alkoolin dhe rrezikun që sjell ruleti rus e kupton se ka ardhur fundi.

“Afër vdekjes së saj, ajo kupton gabimet e saj dhe dashurinë. Gjatë aktit të pestë Kajtazi dhe Enea Scala ngjallin përsëri mornica, skenë pas skene. Nuk ka mënyrë tjetër për ta thënë këtë, të dy rolet janë portretizuar nga aktore që meritojnë duartrokitje”, përmbyll kritika pjesën e saj sa i përket sopranos nga Mitrovica.

Kajtazi të enjten ka rezultuar pozitive me koronavirus dhe i është anuluar paraqitja si Manon për të premten mbrëma.

“Unë në fakt po ndihem mirë dhe do të mund të këndoja pa problem, por rregullat janë rregulla dhe më duhet të karantinohem. Për fat të keq, edhe pse jam e vaksinuar dhe kam marrë edhe dozën përforcuese, nuk më kurseu as mua. I dëshiroj shumë fat Pretty Yende për rolin si Manon”, ka thënë Kajtazi. Ka shtuar se uron që të rezultojë negative të paktën për performancat për 9 dhe 12 shkurt.

Beson se ky është një rol që do ta performojë shumë gjatë pasi që e gjen veten tek ai dhe i përshtatet jashtëzakonisht shumë.

“Unë mendoj se Manon është një grua që e do lirinë, dëshiron të jetë e lirë, edhe për mua liria ka shumë rëndësi, prandaj si rol më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë”, ka thënë ajo për KOHËN. Ka shtuar se në këtë periudhë po e lumturojnë pamasë kritikat dhe reagimet pozitive për interpretimin e saj.

Për këtë sezon Kajtazi ka të planifikuar debutimin me katër role. E nisi mbarë me rolin e Ritës në operën njëaktëshe të Gaetano Donizettit. Vepra e titulluar “Deux hommes et une femme” njihet edhe me emrin që e mban personazhi kryesor që interpretohet nga Kajtazi. Premiera u dha më 1 shtator të 2021-tës në sallën e koncerteve “Konzerthaus” në Berlin.

Kajtazi luajti në premierën e “Dasmës së Figaros” e caktuar më 27 nëntor të vitit të kaluar dhe me reprizën e saj të parë. Rrugëtimin me këtë rol njëherë ia ndali pandemia. Programi u shty për shkak të situatës. Në këtë operë pati rolin e konteshës dhe bëri që ajo të përvetësojë rolin e tretë nga kjo operë. Debutimin e parë e kishte me rolin e Barbarinës në vitin 2016 në teatrin “Aalto” në qytetin gjerman Essen. Rolin e dytë që këndoi ishte Susanna në vitin 2019, në Operën Shtetërore të Hamburgut, ndërsa me konteshën u shfaq në “Theater Erufurt” në Gjermani.

Rrugëtimin lirik tani e vazhdoi edhe me Manon. Debutimi i radhës është roli i Mimit nga opera “La Boheme”, që do ta ketë në qershor të 2022-tës në “Semperoper Dresden”. Interpretimi i rolit është goxha emocionues, pasi në versionin që do ta portretizojë Kajtazi ajo vdes në fund. Pavarësisht kujdesit të Rodolfos dhe miqve të tij, Mimi nuk i bën ballë sëmundjes. Kështu kasta sjell një interpretim plot pasion, por edhe pjesë që thyejnë zemrën.