Kulturë

Elbenita Kajtazi mbizotëron Manonin, rolin sfidues të operës franceze

Duartrokitjet e shumta kanë qenë pagëzim për një sprovë të kaluar me sukses. Me Manonin, një nga rolet më sfiduese të muzikës operistike franceze, sopranoja Elbenita Kajtazi po vazhdon suksesshëm rrugëtimin lirik. Debutimin me operën “Manon” të kompozitorit francez Jules Massenet e pati të dielën në Operën Shtetërore të Hamburgut.

Mëngjesin e së hënës, për KOHËN ka treguar se adrenalina akoma i vlon në gjak. Nuk e ka pasur aspak të lehtë natën për shkak të emocioneve. Megjithatë, ishin për diçka të mirë. I jashtëzakonshëm u cilësua interpretimi i saj nga njerëzit që pritën ta takonin pas premierës.

“Debutimi im në rolin e Manon Lescaut është një përmbushje shpirtërore”, ka thënë Kajtazi. Ajo ka tri javë që zgjohet në orën 6 të mëngjesit me partiturë në dorë për të mësuar këtë rol. Nuk është një rol i thjeshtë veçanërisht pasi personazhi kryesor – në këtë rast Kajtazi – është shtylla e shfaqjes.

“Manon” është opera më e famshme e Massenetës dhe shumë shpejt pushtoi skenën operistike. Vepra që dha premierën në Paris në vitin 1884 akoma mban një vend të rëndësishëm në repertorët e shtëpive me nam operistike. Është shembulli thelbësor i sharmit dhe karakteristikave thelbësore të muzikës dhe kulturës parisiene të periudhës që njihet si “Epoka e bukur” (Belle Époque).

Ndryshimet e shumta emocionale dhe pjekuria që përjeton Manon brenda pesë akteve të operës janë vështirë të katalizueshme. Kështu që në aktin e parë Kajtazit i vështirësohen gjërat.

“Manon në aktin e parë paraqitet si një 16-vjeçare e re, e cila nuk ka asnjë përvojë jetësore përveçqë është e lazdruar dhe për këtë arsye prindërit e saj vendosin që ta dërgojnë në manastir. Por pa përfunduar ky akt ajo dashurohet me Chevalier des Grieux, pra brenda aktit ajo duhet të rritet, të përjetojë ndjenjën e dashurisë dhe atë ndjenjën e vendosmërisë për të ikur me dikë që e dashuron, për të lënë pas gjithçka dhe për të shkuar në Paris”, ka thënë Kajtazi. Mirëpo as jeta në kryeqytetin e Francës nuk është se e përmbush Manonin.

“Unë mendoj se Manon është një grua që e do lirinë, dëshiron të jetë e lirë, por gjithashtu dëshiron edhe pasuri, mirëpo fatkeqësisht zgjedh rrugë të gabuar për t’i pasur këto dy gjëra. Edhe për mua liria ka shumë rëndësi, prandaj si rol më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë dhe e kam realizuar me të vërtetë mirë bazuar edhe në reagimin që mora nga publiku në fund të shfaqjes”, ka thënë Kajtazi. Të gjata ishin duartrokitjet në fund të premierës në videon që ajo ka shpërndarë në rrjetet sociale.

Kajtazi është e njohur me dëshirën për të ikur dhe për të lënë gjithçka me qëllimin që të arrijë atë që dëshiron. Kishte dashur që të qëndronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me shpresë se atje do të gjente suksesin. Kishte lënë më pas Kosovën për Gjermaninë, ku gjeti sukses në skena operistike me nam. Mirëpo rrugëtimi ishte mjaft i vështirë dhe i mori shumë mund e përkushtim. Njëlloj si rrugëtimi gjatë përgatitjes së rolit si Manon.

“Kam pasur vetëm tri prova me orkestër dhe pesë ditë prova të regjisë e që janë shumë pak pasi që duhej që të gjitha t’i mbaja në mend. Përkundër kësaj ndihem shumë mirë pasi që kam marrë vlerësime shumë të mira nga të gjithë që ishin të pranishëm, njerëz të rëndësishëm të kulturës këtu. Po ashtu ndihem shumë mirë pasi që e kam realizuar një ëndërr që e kam pasur qe disa vjet dhe për të cilën kam punuar shumë”, ka thënë ajo. Ka shtuar se beson që ky është një rol që do ta performojë shumë gjatë pasi që e gjen veten tek ai dhe i përshtatet jashtëzakonisht shumë.

“Në rolin e Manon kam punuar me katër gra të fuqishme. Me pianisten Camille Lemonnier, me të cilën kam punuar për tri javë pa asnjë ditë pushim në mënyrë që frëngjishtja ime të tingëllojë sa ma origjinale, Caroline Isabel Merz, profesoresha ime, pa kujdesin e mbikëqyrjen e së cilës nuk debutoi asnjë rol Ermonela Jaho, e cila edhe pse nga distanca është gjithmonë aty për të më mësuar gjërat më të rëndësishme që më duhen për një debutim të tillë dhe Elda Laro, e cila më jep energjinë më të mrekullueshme që një pianiste mund të ta japë, edhe pse unë gjithmonë them se pianoja e Eldës tingëllon sikur orkestër”, ka treguar Kajtazi.

Për këtë sezon Kajtazi ka të planifikuar debutimin me katër role. E nisi mbarë me rolin e Ritës në operën njëaktëshe të Gaetano Donizettit. Vepra e titulluar “Deux hommes et une femme” njihet edhe me emrin që e mban personazhi kryesor që interpretohet nga Kajtazi. Premiera u dha më 1 shtator të 2021-tës në sallën e koncerteve “Konzerthaus” në Berlin.

Kajtazi dha edhe premierën e “Dasmës së Figaros” e caktuar më 27 nëntor të vitit të kaluar dhe me reprizën e saj të parë. Rrugëtimin me këtë rol njëherë ia ndali pandemia. Programi u shty për shkak të situatës me pandeminë. Në këtë operë pati rolin e konteshës. Ky rol bëri që ajo të përvetësojë rolin e tretë nga kjo operë. Debutimin e parë e kishte me rolin e Barbarinës në vitin 2016 në teatrin “Aalto, në qytetin gjerman Essen”. Rolin e dytë që këndoi ishte Susanna në vitin 2019 në Operën shtetërore të Hamburgut, ndërsa me konteshën u shfaq në “Theater Erufurt” në Gjermani.

Rrugëtimin lirik tani e vazhdoi edhe me Manon. Debutimi i radhës është roli i Mimit nga opera “La Boheme” që do ta ketë në qershor të 2022-tës në “Semperoper Dresden”. Interpretimi i rolit është goxha emocionues, pasi në versionin që do ta portretizojë Kajtazi ajo vdes në fund. Pavarësisht kujdesit të Rodolfos dhe miqve të tij, Mimi nuk i bën ballë sëmundjes. Kështu kasta sjell një interpretim plot pasion, por edhe pjesë që thyejnë zemrën.