Në mëngjes ka marrë trenin nga Hamburgu për në Berlin. Sopranoja Elbenita Kajtazi të martën gjatë tërë ditës ka bërë prova për Gretel me operën “Hänsel und Gretel”. Me rolin me të cilin debutoi në vitin 2017, Kajtazi po hap një kapitull të ri. Emri i saj tani do të figurojë edhe në një shtëpi tjetër prestigjioze të operës në Gjermani, në “Staatsoper Unter den Linden” të Berlinit
“Me mëngjes kam marrë trenin për në Berlin”, tregon sopranoja Elbenita Kajtazi. Një natë më parë ka marrë një thirrje nga Shtëpia operistike e Berlinit. E ftuan që ta luajë Gretelën, pasi që sopranoja që do ta interpretonte këtë rol rezultoi pozitive me COVID-19. Pa kaluar 24 orë, Kajtazi e ka gjetur veten në provën gjenerale për operën “Hänsel und Gretel”. Ka veç një ditë për të mësuar gjithçka rreth produksionit ku drejtor muzike është Thomas Guggeis e regjisor Achim Freyer. Me këtë rol do të ngjitet në skenë më 12, 13 dhe 14 janar.
Bëhet fjalë për operën e kompozuar nga Engelbert Humperdinck – që premierën e pati më 23 dhjetor në vitin 1893 – bazuar në rrëfimin me të njëjtin titull nga Vëllezërit Grim. Opera shpalos rrëfimin për dy fëmijët që humbin në mal, ku ndeshen me shtrigën.
Fëmijët që dëshirojnë të luajnë e jo të ndihmojnë me punët e shtëpisë, aksidentalisht rrezojnë ushqimin. Pasi që familja ishte e varfër, nëna e tyre më pas i dërgon në mal për të mbledhur manaferra. Atje Gretël dhe vëllai i saj takojnë shumë krijesa të mira dhe miqësore, por edhe shtrigën, duke kaluar kështu shumë peripeci për t’u kthyer shëndosh e mirë në shtëpi.
Pikërisht me këtë operë dedikuar fëmijëve, Kajtazit do t’i figurojë emri edhe në një shtëpi tjetër prestigjioze të operës në Gjermani, në “Staatsoper Unter den Linden”, e themeluar në vitin 1743.
Salla e shtëpisë prestigjioze “Staatsoper Unter den Linden” në Berlin, ku debuton sopranoja nga Kosova
Kajtazi ka thënë se kjo shtëpi operistike ia kishte vjedhur zemrën që kur kishte shkelur për herë të parë në të në vitin 2020, kur vetëm për prova gjenerale kishte pasur rolin e Sophies në operën “Der Rosenkavalier”. Tani sefte del para publikut në petkun e Gretel-es. Me këtë rol kishte debutuar në vitin 2017 në teatrin “Aalto” në Essen.
“Është një vepër e mrekullueshme në të cilën flitet për dy fëmijë, një ngjarje që edhe të ne e kemi dëgjuar si përrallë. Ata dalin në mal, e humbin rrugën, pastaj takojnë shtrigën, pra është një operë për fëmijë por që këtu dëgjohet jashtëzakonisht shumë, sidomos gjatë festave të fundvitit dhe shfaqjet vazhdojnë edhe në janar për shkak të kërkesave”, ka thënë Kajtazi. Ftesa i kishte ardhur pas performancave që kishte dhënë këtë vit pikërisht me këtë rol në Hamburg.
“Është një sfidë e madhe pasi që kam vetëm ditën e sotme me prova, pra komplet një operë e re nën një regji të re, nën drejtimin e Achim Freyer e që është mjaft i famshëm këtu në Gjermani. Do të jetë paksa sfiduese, por është një produksion shumëngjyrësh e modern dhe uroj që t’ia dal me sukses, pasi që është një debutim shumë i rëndësishëm për mua”, ka thënë ajo.
Ka shtuar se karakteristikë e këtij roli mbetet se ajo duhet të personifikojë një fëmijë.
“Staatsoper Unter den Linden”
“Kam gjithmonë kënaqësi kur e këndoj Gretelen, sepse më zgjon gjithmonë atë fëmijën që e kam akoma brenda vetes, prandaj e shijoj çdo sekondë prej që fillon opera e deri kur ajo mbaron”, ka thënë ajo. Ka shtuar se janë ato sherret dhe grindjet e dashuria në mes të vëllait dhe motrës që e bëjnë këtë shfaqje aq të kërkuar e që do të dëshironte ta interpretonte edhe para fëmijëve në Kosovë.
“Sa herë e këndoj Gretelen mendoj me veten time se sa shumë dëshirë do të kisha ta këndoja këtë rol edhe për fëmijët në Kosovë, do të ishte me të vërtetë diçka e bukur dhe emocionuese për mua. Po tani, meqenëse është formuar Opera e Kosovës, ka shpresë, besoj që ndoshta do të ndodhë kjo gjë ndonjëherë”, ka thënë Kajtazi.
Për këtë sezon ka të planifikuar debutimin me katër role. E nisi mbarë pikërisht me Ritën. Dha premierën e “Dasmës së Figaros” e caktuar më 27 nëntor, dhe reprizën e saj të parë. Rrugëtimin me këtë rol njëherë ia ndali pandemia. Programi u shty për shkak të situatës me COVID-19.
Debutimi me konteshën bëri që ajo të përvetësojë rolin e tretë nga kjo operë. Fillimisht ishte me rolin e Barbarinës në vitin 2016 në teatrin “Aalto”, në qytetin gjerman Essen. Rolin e dytë që këndoi ishte Susanna në vitin 2019 në Operën shtetërore të Hamburgut, ndërsa me konteshën u shfaq në “Theater Erfurt” në Gjermani.
Rrugëtimin e saj lirik do ta vazhdojë me rolin e Manonit nga opera “Manon” e kompozitorit francez Jules Massenet, këtë muaj në “Staatsoper Hamburg”.
“Për mua karakteristik është fakti se po futem në një rrugëtim më lirik, soprano lirike, pasi që deri tani kam kënduar si soprano leggero ose ‘baby lyric’, kurse tash po i futem një repertori më lirik”, do të thoshte kur iu konfirmua roli. Do të theksonte se me shumë punë ka arritur deri te ky nivel për të kënduar role më lirike, siç janë rolet e konteshës, Manoni, Mikaela, Violeta, Mimi e të tjera.