Kulturë

Elbenita Kajtazi çon zërin e Kosovës në garën botërore të BBC-së

E ka bërë të prekshme ëndrrën e saj të kahershme. Sopranoja e njohur shqiptare Elbenita Kajtazi, duke kaluar me sukses të gjitha fazat përzgjedhëse, është në mesin e 15 garuesve në “BBC Cardiff Singer of the World”. Kështu, siç ka njoftuar edhe faqja “classical-music”, Kosova për herë të parë garon në një nga ngjarjet më të njohura të muzikës operistike. Kajtazi, sopranoja e lindur në Mitrovicë, në garën që mbahet në qershor, në Cardiff të Walesit, do të ketë konkurrentë nga vende si SHBA-ja, Britania, Koreja e Jugut, Venezuela, Gjeorgjia, Madagaskari, e të tjera

Në botën e muzikës klasike “BBC Cardiff Singer of the World” është garë e mezipritur për këngëtarë operash e koncertesh. Nga “dyert” e këtij konkursi shpërthyen me karriera të suksesshme edhe emra të tillë si Karita Mattila, Dmitri Hvorostovsky, Bryn Terfel, Anja Harteros dhe Jamie Barton.

Edicioni i sivjetmë i kësaj gare – që mbahet nga 12 deri në 19 qershor në Cardiff – do të ketë konkurrentë nga 15 vende të ndryshme.

“Aty janë Madagaskari dhe Republika e Kosovës – asnjëri prej të cilëve nuk ka marrë pjesë ndonjëherë në garë”, është bërë e ditur në faqen “classical-music.com”, për garën që sivjet shënon edicionin e 20-të.

Është sopranoja shqiptare që jeton në Gjermani, Elbenita Kajtazi, ajo që i ka siguruar Kosovës pjesëmarrje në këtë ngjarje.

 “BBC Cardiff Singer of the World 2021” është gara në të cilën sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi do ta përfaqësojë vendin. Është hera e parë që Kosova përfaqësohet në këtë garë, që sivjet shënon edicionin e 20-të

E qeshur dhe e emocionuar në të njëjtën kohë, artistja e lindur në Mitrovicë ka dhënë kumtin se do të jetë pjesë e njërit prej konkurseve më të njohura në botë për operën.

Në një video të shkurtër të realizuar në hyrje të Wiener Staatsoper, në kryeqytetin austriak, ajo është shprehur e lumtur që përfaqëson Kosovën në këtë garë me konkurrentë nga e gjithë bota.

“Uroj nga zemra që t’ju përfaqësoj sa më mirë e të ndahem edhe vetë e kënaqur nga kjo garë”, ka thënë Kajtazi, duke shtuar që kishte qenë gjithmonë ëndërr e saj të ishte pjesë e këtij konkursi.

Pos sopranos 30-vjeçare nga Kosova, në edicionin e sivjetmë të “BBC Cardiff Singer of the World” marrin pjesë: Christina Gansch, soprano 31-vjeçare nga Austria; Chuan Wang, tenor 32-vjeçar nga Kina; Nicolai Elsberg, bass 31-vjeçar nga Danimarka; Stephganie Wake-Edwards, mezzo-soprano 27-vjeçare nga Anglia; Natalie Kutateladze, mezzo-soprano 29-vjeçare nga Gjeorgjia; Álfheiður Erla Guðmundsdóttir, soprano 27-vjeçare nga Islanda; Michael Rakotoarivony, bariton 28-vjeçar nga Madagaskari; Ankhbayar Enkhbold, bariton 32-vjeçar nga Mongolia; Gihoon Kim, bariton 29-vjeçar nga Republika e Koresë; Jusung Park, bass-bariton nga Republika e Koresë; Evgeniia Asanova, mezzo-soprano 26-vjeçare nga Rusia; Masabane Cecilia Rangwanasha, soprano 27-vjeçare nga Afrika e Jugut; Reginald Smith Jr, bariton 32-vjeçar nga Amerika; Maria Brea, soprano 30-vjeçare nga Venezuela, si dhe Sarah Gilford, soprano 29-vjeçare nga Walesi.

Këta këngëtarë do të shoqërohen nga “BBC National Orchestra of Wales” dhe “Orchestra of the Welsh National Opera”, me dirigjentët e njohur Andrew Litton dhe Michael Christie.

E vetmja këngëtare shqiptare që deri tani ka marrë pjesë në këtë garë është sopranoja nga Shqipëria, Erla Kollaku. Debutoi aty më 1997.

Ndryshe, “BBC Cardiff Singer of the World” është një garë e çdo dyvjetshme që organizohet në bashkëpunim me Operën Kombëtare të Walesit, si dhe me mbështetjen e qytetit të Cardiffit.

Kjo garë është e hapur për të gjithë ata këngëtarë që janë në fillimet e karrierave të tyre profesionale, nga mosha 18 deri në 32 vjeç. Pas një procesi përzgjedhës në tri faza, konkurrentët e zgjedhur, zakonisht deri në 20 syresh, ftohen të garojnë në Cardiff për të performuar muzikë operistike e koncertale përballë një jurie me emra të shquar. Kjo garë ka filluar nga “BBC Wales” më 1983 në nderim të hapjes së sallës “St David” në Cardiff, ku ndodhet Orkestra Kombëtare e Walesit.